Kryeministri Berisha: Qeveria, 1 miliardë lekë investime në zonën e Kurbinit
-Kryeministri Berisha inauguron ndërtesën e Komunës Fushë Kuqe dhe shprehet se në mandatin tjetër granti për qeveritë vendore do të jetë shumë më i madh
Në vazhdim të vizitës në rrethin e Kurbinit, Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të ndërtesës së Komunës Fushë Kuqe. Duke përshëndetur të pranishmit në këtë ceremoni, Kryeministri u shpreh se investimet e bëra në të gjithë zonën e Kurbinit janë të ndjeshme dhe arrijnë vlerën rreth 1 miliardë lekë.
“Në një hark kohor prej një ore e gjysmë ne përuruam sot rrugë, shkolla, argjinatura, qendra komunitare, të cilat arrijnë vlerën rreth 1 miliardë lekë. Këto janë investime të ndjeshme për zonën, por më e rëndësishmja është që nga këto 1 miliardë lekë të paktën 600 milionë shkojnë për zonat rurale, për rrugët, kanalizimet, shkollat, e komunitetin e këtyre zonave. Ky është një tjetër premtimi i mbajtur i qeverisë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Krahas investimeve qeveria ka mbajtur dhe një tjetër premtim, atë të shumëfishimit të buxhetit për qeveritë vendore. “Tre vjet më parë ne deklaruam se do të shumëfishojmë grantin dhe buxhetin për qeveritë vendore, dhe e kemi bërë këtë. Në garantojmë se mandatin tjetër granti për qeveritë vendore do të jetë shumë më i madh së tani”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri kërkoi nga kryetari i Komunës që të hartohet sa më shpejt projekti për asfaltimin e rrugës deri në qendrën e komunës Fushë Kuqe, duke siguruar se qeveria është e gatshme ta financojë këtë projekt.