E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Liria është potenciali më i madh për një komb

Gjatë vizitës në Estoni, Kryeministri Berisha u takua sot me Kryetaren e Parlamentit, zonjën Ene Ergma.

Zonja Ergma përgëzoi Kryeministrin Berisha për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe shprehu kënaqësinë që forcat ushtarake estoneze shërbejnë së bashku me ato shqiptare në Afganistan. Ajo u shpreh se marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë shumë të mira dhe vizita e Kryeministrit do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të tyre.

Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që qeveria, presidenti dhe parlamenti estonez i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit euroatlantik, duke evidentuar faktin se parlamenti estonez ishte ndër të parët që ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Kryeministri shprehu besimin në forcimin e marrëdhënieve e bashkëpunimit në të ardhmen në interesin më të mirë të të dy vendeve. Kryeministri u ndal veçanërisht në bashkëpunimin në fushën e teknologjisë së informacionit, duke shprehur interesin për të përfituar nga modeli estonez i IT-së. "Kjo është mënyra më e mirë për të fituar kohën e humbur," u shpreh Kryeministri. Në këtë drejtim, po punohet për e-shkollat, një projekt me rëndësi të veçantë për të mbështetur edhe kurset on line në sistemin universitar. Kryeministri e njohu zonjën Ergma edhe me përpjekjet e qeverisë shqiptare për liberalizimin e shërbimeve si reduktimin e licencave dhe krijimin e ‘One stop shop’, sepse "liria, - theksoi ai - është potenciali më i madh për një komb."

Kryetarja e parlamentit estonez, zonja Ergma, duke përshëndetur përpjekjet dhe projektet e qeverisë shqiptare për zhvillimin e teknologjisë së informacionit, theksoi disa nga përfitimet që solli shtrirja e IT-së në Estoni sidomos në fushën e taksave, ku më shumë se 80 për qind e qytetarëve i paguajnë taksat vjetore on line dhe 98 për qind e transaksioneve në sistemin bankar janë gjithashtu on line. Kryeministri Berisha e vlerësoi tepër të vlefshëm adaptimin e këtij modeli edhe nga sistemi bankar në Shqipëri, një sistem tepër i zhvilluar, ku veprojnë 20 banka nga më të mëdhatë në Europë. Zonja Ergma vlerësoi si praktika të suksesshme, gjithashtu, organizimin nga qeveria estoneze të kurseve për përhapjen e kësaj teknologjie edhe tek mosha e tretë, si dhe aplikimi i suksesshëm i votimit elektronik.

Kryeministri Berisha e falënderoi Kryetaren e parlamentit për mbështetjen e dhënë Kosovës, duke e konsideruar pavarësinë e saj si vendimin më të drejtë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryeministri tha qëndrimi i Serbisë për të manipuluar serbët e Mitrovicës veriore nuk i shërben të ardhmes së Kosovës dhe as serbëve të Kosovës. Kryeministri u shpreh se e ardhmja e vendeve të rajonit është integrimi evropian.

Kryeministri Berisha e ftoi zonjën Ergma për një vizitë në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›