Kryeministri estonez Ansip: Reformat e kanë bërë Shqipërinë një vend tërheqës për investitorët estonezë
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me kryeministrin e Estonisë, zotin Andrus Ansip. Duke shprehur kënaqësinë për vizitën e Kryeministrit Berisha në Estoni, kryeministri estonez shprehu përgëzimet e tij për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO nga ana e Shqipërisë.
Të dy personalitete vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve, si dhe shprehën vullnetin e tyre të përbashkët për intensifikimin e tyre të mëtejshëm, në të gjitha fushat, si në zhvillimin e teknologjisë së informacionit, ekonomi, kulturë, mbrojtje, arsim , etj
Kryeministri estonez vlerësoi reformat e qeverisë shqiptare dhe kontributin personal të kryeministrit Berisha në progresin e tyre. Në këtë kontekst, Kryeministri Ansip vlerësoi hapat e rëndësishme të Shqipërisë drejt zhvillimit të një demokracie të qëndrueshme dhe të ekonomisë së tregut. “Reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, u shpreh zoti Ansip e kanë bërë tashmë Shqipërinë një partner të besueshëm ekonomik dhe një vend tërheqës për investitorët estonezë."
Duke falënderuar për mikpritjen, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e tij, për rolin pozitiv që luajti Estonia për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, nga ana e Shqipërisë. Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu faktin se Estonia ka qenë ndër vendet e para që ka ratifikuar MSA-në të Shqipërisë me BE.
Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare është e interesuar në mënyrë të veçantë për zgjerimin thellimin e bashkëpunimit në fushën e teknologjisë së informacionit. Kryeministri tha se ky vit do të jetë për Shqipërinë, viti i teknologjisë së informacionit. “Megjithëse Shqipëria ka bërë shumë në këtë drejtim, u shpreh Kryeministri ne mbetemi të vendosur që të bëjmë ç’është e mundur që në Shqipëri të zbatojmë modelin e suksesshëm të Estonisë, duke e sjellë Shqipërinë në moshën digjitale.” Në këtë kontekst, Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare është e gatshme të bashkëpunojë ngushtësisht në fushën e arsimit, për zhvillimin teknikave te reja te teknologjisë së informacionit.
Nga ana e tij, Kryeministri estonez shprehu gatishmërinë me te madhe për ofrimin e bashkëpunimit, në fushën e teknologjisë së informacionit në mënyrë që Shqipëria të përfitojë maksimalisht nga eksperienca estoneze në këtë fushë. “Përdorimi i teknologjisë së informacionit përbën një mjet të rëndësishëm për shtimin e transparencës dhe uljen e korrupsionit.” , u shpreh zoti Ansip
Më pas, Kryeministri Berisha bëri një prezantim të ecurisë së reformave në fusha të ndryshme, duke u ndalur në mënyrë të veçantë, në masat konkrete të ndërmarra nga qeveria shqiptare, për lehtësimin e aktivitetit të biznesit në terësi, si vendosja e e-taksave, e-prokurimeve, hapja e ONE STOP SHOP, etj. Kryeministri u shpreh se do të punohet në vazhdimësi për liberalizimin e mëtejshëm të tregut, në mënyrë që të liberalizohen të gjitha shërbimet që ofron qeveria, sic eshte minimizimi ne maksimum i dhenies se licensave dhe konsolidimi i One Stop Shop.
Duke ftuar investitorët estonezë për të shfrytëzuar pasuritë e panumërta natyrore të Shqipërisë, Kryeministri Berisha i siguroi ata se të investosh në Shqipëri është një histori suksesi.
Me qëllim forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy vendeve Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare do të hapë ambasadën shqiptare në Estoni.
Për sa i përket bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, Kryeministri estonez Ansip vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare për rritjen me 2 % të GDP për mbrojtjen, duke u shprehur se edhe qeveria Estoneze po punon gradualisht për të arritur këtë gjë.
Ndër të tjera, gjatë këtij takimi Kryeministri estonez vlerësoi masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për krijimin e enjë mjedisi të shëndetshëm dhe parashikues për biznesin, si ulja në tersi e taksave, vendosja e taksës së sheshtë prej 10 %, rritja e nivelit të të ardhurave, etj.
Më tej të dy homologët diskutuan për zhvillimet më të fundit në rajon dhe kryesisht në Kosovë. Kryeministri Berisha falënderoi kryeministrin dhe qeverinë estoneze për njohjen e shtetit të Kosovës, duke u shprehur se pavarësia e Kosovës, është vendimi më i drejtë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryeministri tha se përpjekjet për manipulim të serbëve në Mitrovicë, me qëllim destabilizimin, nuk i shërben të ardhmes së Kosovës dhe as vetë serbëve.
Më pas kryeministri Berisha e ftoi Kryeministrin estonez Ansip të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi me kënaqësi.
Pas takimit të dy kryeministrat dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp dhe më pas kryeministri estonez shtroi një drektë për nder të kryeministri shqiptar dhe delegacionit që e shoqëronte.