E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti estonez: Kryeministri Berisha, rol të rëndësishëm në reformat në Shqipëri

Kryeministri Berisha u takua sot me Presidentin e Republikës së Estonisë Toomas Hendrik Ilves. Duke shprehur kënaqësinë për këtë vizitë, Presidenti estonez shprehu vlerësimin e tij të lartë për reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe rolin e rëndësishëm të Kryeministrit Berisha në realizimin me sukses të këtyre reformave veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe për krijimin e një klime të favorshme për biznesin.

Presidenti Ilves u shpreh se ishte jashtëzakonisht i kënaqur për marrjen nga Shqipëria të ftesës për anëtarësim në NATO dhe përgëzoi Kryeministrin Berisha për këtë arritje. Në këtë drejtim, ai shprehu mbështetjen për vazhdimin e bashkëpunimit ushtarak, si dhe mbështetjen e Estonisë për integrimin europian të Shqipërisë.

Presidenti Ilves tha se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara vitet e fundit dhe ne mirëpresim rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, veçanërisht në fushën e teknologjisë së  informacionit. Ai u shpreh se zhvillimi i teknologjisë së informacionit është shumë i rëndësishëm, sepse u krijon njerëzve lirinë t’i bëjnë gjërat sa më thjesht, si dhe rrit transparencën në luftën kundër korrupsionit.

Presidenti Ilves, i cili ka qenë dhe raportues për Shqipërinë në procesin e Marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit,  u shpreh se si njohës i vendit tonë, Shqipëria ka potenciale të mëdha, veçanërisht në fushën e turizmit. Ai theksoi se suksesi i Shqipërisë duhet të bëhet i njohur në mënyrë që të tërheqë sa më shumë investitorë estonezë. 

Duke e falënderuar për mikpritjen, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Estonia i ka dhënë dhe i jep dy projekteve më madhore të kombit shqiptar në këtë shekull, integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian.

Kryeministri e njohu Presidentin estonez me reformat e ndërmarra në vend. Ne, - u shpreh Kryeministri - kemi krijuar një klimë politike të mirë në Shqipëri. Së bashku me opozitën kemi filluar dhe së shpejti do të përfundojmë reformën në fushën e gjyqësorit, realizuam reformën elektorale dhe ndryshimet kushtetuese.

Kryeministri theksoi se si rezultat i luftës me tolerancë zero kundër krimit të organizuar janë arritur suksese të rëndësishme, janë kapur 206 grupe kriminale, 900 anëtarë të tyre janë dërguar para drejtësisë dhe Shqipëria ka disa nga treguesit më të ulët të kriminalitetit në Europë.

Kryeministri theksoi se edhe në luftën kundër korrupsionit ka pasur arritje të rëndësishme dhe ne jemi të vendosur ta thellojmë këtë luftë. Në këtë drejtim, Kryeministri përmendi shkurtimin e shpenzimeve operative 30 për qind, digjitalizimin e procedurave, e-procurement, e-taxes, regjistrimin elektronik të bizneseve. Në sajë edhe të kësaj lufte, tha Kryeministri, edhe pse kemi ulur taksat, të ardhurat janë rritur nga 23 në 27 për qind dhe këtë vit do të shkojnë në 28 për qind të PBB-së, duke krijuar kështu një klimë të favorshme për biznesin.

Gjatë takimit, Kryeministri bëri të ditur se në muajin maj Dhoma e Tregtisë do të organizojë forumin e biznesit Shqipëri-Estoni për të promovuar potencialet e mëdha që Shqipëria ofron për investitorët, si dhe reformat që qeveria ka ndërmarrë për krijimin e kushteve të favorshme për biznesin.

Duke vlerësuar arritjet dhe sukseset e Estonisë, Kryeministri Berisha shprehu interesin për të rritur bashkëpunimin midis dy vendeve, veçanërisht në fushën e teknologjisë së informacionit. "Duke u bazuar në modelin tuja, i cili është vërtetuar si model i suksesshëm, ju mund të na ndihmoni të evitojmë gabimet dhe të organizohemi më mirë në këtë fushë." Kryeministri e konsideroi të rëndësishëm aplikimin e modelit estonez të IT-së edhe në sistemin bankar. Ky sistem është një nga fushat më të zhvilluara në Shqipëri, ku operojnë mbi 20 banka nga më të mëdhatë në Europë dhe do të ishte e vlefshme që bankat të aplikojnë në treg praktikat më të fundit të IT-së, të përdorura me sukses edhe në Estoni, u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha falënderoi Presidentin Ilves për rolin dhe qëndrimin e Estonisë për Kosovën, duke qenë një nga vendet e para që njohu pavarësinë e saj. Kryeministri theksoi se pavarësia e Kosovës është vendimi më i drejtë për paqen dhe stabilitetin në rajon. Kryeministri theksoi se qëndrimi i Serbisë për të manipuluar serbët e Mitrovicës veriore është i dëmshëm dhe nuk i shërben të ardhmes së Kosovës dhe as serbëve të Kosovës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›