E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me Kryetarin e Bordit të “Enterprise Estonia”, zotin Ulari Alamets

Në vijim të vizitës së tij në Estoni, Kryeministri Berisha pati një takim me zotin Ulari Alamets, Kryetar i Bordit të “Enterprise Estonia”, një fondacion shtetëror, i menaxhuar në mënyrë të pavarur, me qëllim mbështetjen dhe promovimin ndërkombëtar të biznesit estonez.   

Kryetari i Bordit të “Enterprise Estonia” e njohu Kryeministrin me aktivitetet e kësaj shoqërie dhe shërbimet që ajo ofron. Ky fondacion ka të punësuar 230 punonjës dhe menaxhon rreth 200 milionë euro në vit. Krahas zyrave të hapura në Estoni, fondacioni ka shtrirë zyrat e tij edhe në 12 vende, në Stokholm, Londër, Tokio, San Fransisco etj.. Një nga synimet kryesore të “Enterprise Estonia” është nxitja e zhvillimit të eksporteve estoneze në botë, që aktualisht përbëjnë 55 për qind të GDP-së estoneze.  

Fondacioni ndihmon bizneset me dhënie kredish konsumatore, konsulencë financiare, shërbime elektronike, si këshillime, aplikime on line për bizneset, analizë të praktikave të bizneseve, etj. Gjithë procesi i tyre mbështetet në shërbimet on line. Po ashtu, fondacioni ndihmon kompanitë estoneze që të shtrijnë shërbimet dhe aktivitetin e tyre në vende të ndryshme, si shtrirja e sistemit të informacionit të turizmit estonez, etj.

Kryeministri Berisha e falënderoi zotin Alamets për mikpritjen e ngrohtë, ndërsa e njohu më tej atë me zhvillimet dhe reformat ekonomike të ndërmarra në Shqipëri. Kryeministri u shpreh i impresionuar me funksionimin e modelit të zgjedhur nga kjo shoqëri, për të koordinuar, zhvilluar dhe promovuar biznesin në tregun ndërkombëtar. Në ndjekje të këtij modeli shumë të vlerësuar, Kryeministri tha se qeveria shqiptare do të punojë për marrjen e disa masave, si heqja e taksës së përfitimeve të pashpërndara, krijimi i një Autoriteti kombëtar certifikues për firmën digjitale, reduktimi i numrit të licencave, kryerja e aplikimeve on line, etj.   

Aktualisht, në Estoni ka mesatarisht 37 biznese për 1000 banorë dhe Fondacioni po punon që deri në vitin 2015 të arrihet mesatarja evropiane në këtë drejtim, prej 52 biznese për 1000 banorë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›