Kryeministri Berisha inauguron shkollën e mesme në komunën Polis të Librazhdit
Kryeministri Berisha vijoi sot turin “Shqipëria po ndryshon” me inaugurime të disa veprave publike në Librazhd.
Kryeministri përuroi përfundimin e shkollës së mesme “Muhedin Sherifi” në komunën Polis në fshatin Gosimë, investim i buxhetit të shtetit me vlerë 7.8 milionë lekë.
Duke uruar vëllazërisht banorët e kësaj komune për shkollën e re, Kryeministri Berisha i siguroi ata se qeveria do të mbështesë çdo përpjekje të drejtuesve vendorë për lehtësimin e jetës së tyre.
“Vij këtu për herë të parë, por vij në një fshat të bukur, në një fshat të cilit ju, banorët e tij, i keni punuar çdo pëllëmbë tokë. Ky është një nder i madh për ju. Kjo është dëshmi e përpjekjeve tuaja për të përballuar me dinjitet jetën dhe kërkesat e saj. Unë ju garantoj se qeveria do mbështesë çdo përpjekje të kryetarit të komunës, të qeveritarëve vendorë për t`ua lehtësuar ju kushtet e jetesës, për të bërë që prodhimet tuaja, pasuritë tuaja natyrore të marrin një vlerë më të madhe, vlerën që ju takon”, u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu Kryeministri Berisha tha se qeveria ka përcaktuar fondin për asfaltimin e rrugës që lidh këtë komunë me Librazhdin. Në këtë kontekst Kryeministri tha se kjo qeveri po investon dhe do të vazhdojë të investojë në fshatra më shumë se çdo qeveri tjetër në historinë e këtij vendi. “Vetëm këtë vit në rrugët e fshatrave të Shqipërisë ne investojmë mbi 7 miliardë lekë dhe ne nuk do të bëjmë dallim. Ne vërtet po investojmë dhe po ndërtojmë akset kombëtare sepse ato duhen, por absolutisht po investojmë dhe po ndërtojmë të gjitha rrugët e rëndësishme të fshatrave shqiptare në mënyrë që ju të dilni më shpejt drejt tregut, që ju të komunikoni më shpejt me Librazhdin, Elbasanin dhe Tiranën, në mënyrë që prodhimet tuaja të kapin më mirë dhe më shpejt tregun”, theksoi Kryeministri.
Më tej Kryeministri e vuri theksin edhe tek investimet që po bëhen në furnizimin me ujë duke evidentuar faktin se në tre vite qeveria ka ndërtuar mbi 480 ujësjellësa dhe qindra sisteme kanalizimesh. Sërish, vijoi Kryeministri, ne do vazhdojmë përpjekjen tonë për t`ju siguruar ju ujin dhe kushte më të mira për jetën tuaj.
Kryeministri theksoi se gjatë këtij turi do të inaugurojë edhe rrugën Librazhd-Steblevë, për të cilën garantoi se do të vazhdojë deri në Shupenzë.“Nuk do të ketë fshatra të harruar dhe të braktisura. Aty ku të jeni ju do të jetë edhe qeveria”, u tha Kryeministri banorëve.
Duke shprehur kënaqësinë për inaugurimin e shkollës së re të kësaj komune në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Kryeministri Berisha tha se qeveria i ka dhënë përparësi absolute arsimit sepse të gjithë kemi përparësi fëmijën. “Me këtë shkollë fëmijët tuaj nisin siç e meritojnë vitin e ri shkollor. Ne i kemi dhënë përparësi absolute arsimit sepse të gjithë ne së bashku përparësi më të madhe kemi fëmijën. Për ne fëmija është i pari dhe do të bëjmë çdo përpjekje që mësuesit e fëmijëve tanë të marrin shpërblimin që meritojnë. Në tre vite ne rritëm rrogat me 75 %, vitin e ardhshëm ato do të dyfishohen”, u shpreh Kryeministri.
Në tre vjet, vijoi Kryeministri janë ndërtuar mbi 141 shkolla të reja dhe janë rikonstruktuar rreth 460 të tjera. Kryeministri siguroi se qeveria nuk do ta ndërpresë këtë betejë derisa shkolla e fundit e Shqipërisë të ngjajë si e re, të rikonstruktohet ose të ndërtohet nga e para.
Kryeministri theksoi se në këtë mënyrë vendi po shkëputet nga një periudhë shumë e mundimshme dhe e pamerituar duke hyrë në një rrugë me më shumë shpresë dhe të ardhme.
Më pas Kryeministri vizitoi ambientet e brendshme të shkollës dhe kabinetin e informatikës ku u shpreh se qeveria po bën përpjekje që çdo shqiptar të bëhet përdorues i internetit. “Qeveria do të krijojë lehtësira të mëdha. Këto ditë ne inauguruam sistemin e certifikatave elektronike. Ky është një lehtësim i madh për qytetarët sepse po punohet që çdo qytetar pa qenë nevoja të shkojë në gjendjen civile të mund ta tërheqë certifikatën nga interneti”, tha Kryeministri.
Gjithashtu Kryeministri theksoi se krahas rritjes së përdoruesve të kompjuterit duhet të mbahet në vëmendje edhe libri dhe të krijohen, forcohen dhe pasurohen nëpër shkolla edhe bibliotekat. Ne tha Kryeministri, vërtet po ecim drejt krijimit të bibliotekave virtuale, por ato nuk mund të zëvendësojnë bibliotekat me libra. “Ne duhet të jemi miq të kompjuterit dhe miq të librit”, u shpreh Kryeministri.