E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon parlamentaren italiane Margherita Bonivèr

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një takim me Senatoren Margherita Bonivèr, një nga përfaqësueset më prestigjoze të politikës italiane, në radhët e partisë së Forza Italia-s.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha dhe zonja Bonivèr diskutuan mbi projektin mjaft ambicioz të organizimit të “Expo Milano 2015”, një eveniment ky tepër i rëndësishëm dhe prestigjioz, i konceptuar si një takim ndërkombëtar dhe si një iniciativë mediatike që do të promovojë ekonominë, artin, turizmin, tregtinë, edukimin, ekologjinë, teknologjinë e avancuar të rreth 181 vendeve pjesëmarrëse.

Gjithashtu Senatorja Bonivèr e njohu Kryeministrin Berisha me karakterin universal të “Expo Milano 2015”, i cili do të organizohet nga një komitet, në përbërje të të cilit janë 34 shkencëtarë dhe akademikë, ndër tyre, edhe disa nobelistë,  mjaft të njohur në mbarë botën.

Zonja Bonivèr e njohu gjithashtu me iniciativat në kuadër të  këtij evenimenti për të ndihmuar vendet në zhvillim, duke u bazuar në mjaft projekte politike, sociale, ekonomike dhe  kulturore në brendi të tij.

Kryeministri Berisha u shpreh se “Expo Milano 2015” do të jetë një oportunitet dialogu, kooperimi dhe zhvillimi në nivel botëror dhe se Shqipëria do të përpiqet të marrë pjesë në këtë vitrinë ndërkombëtare, ku të promovojë zhvillimet dhe potencialet e veta në shumë fusha si në turizëm, art dhe kulturë, burimet ekonomike etj..

Zonja Margherita Bonivèr ka një karrierë të gjatë politike në Senatin italian për disa legjislatura, ish Ministre e Turizmit dhe Zëvendëssekretare në Ministrinë e Jashtme, si dhe ka mbajtur poste të rëndësishme në organizma ndërkombëtarë si në OKB, në Amnesty International, Kryqi i Kuq etj..

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›