Kryeministri Berisha merr pjesë në prezantimin e raportit “Të bësh biznes” të Bankës Botërore
- Znj. Jane Armitage: “Është kënaqësi të jem sot këtu për t’i dhënë urimet Shqipërisë për rezultatet e mrekullueshme, për faktin që jeni një nga 10 performuesit më të mirë në ekonomi, në fakt jeni numri 2 që keni arritur këtë hov të mrekullueshëm.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në prezantimin e raportit “Të bësh biznes”, të hartuar nga ekspertë të Bankës Botërore. Në këtë prezantim ishte e pranishme Drejtoresha Rajonale për Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore, znj. Jane Armitage, perfaqesuesja e BB-se ne Shqiperi znj. Camille Nuamah, Kryesuesja e Grupit të Ekspertëve të BB-së , znj. Penelope Brook, përfaqësues të tjerë të Bankës Botërore, ministra të kabinetit qeveritarë, etj.
Drejtoresha Rajonale për Europën Juglindore dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore, znj. Jane Armitage, shprehu kënaqësinë që ndodhej në Shqipëri për të uruar autoritetet dhe popullin shqiptar për rezultatet në performancën ekonomike. “Është kënaqësi të jem sot këtu për t’i dhënë urimet Shqipërisë për rezultatet e mrekullueshme, për faktin që jeni një nga 10 performuesit më të mirë në ekonomi, në fakt jeni numri 2 që keni arritur këtë hov të mrekullueshëm. Besoj se të gjithë ndiheni krenar dhe të kënaqur kur mësoni se Shqipëria ka kaluar nga vendi i 135 në vendin e 86, një hov i mrekullueshëm brenda një viti. Kjo do të thotë se Shqipëria është në rrugën e vet, së bashku me vendet e tjera të Europës Juglindore, çka është se rëndësishme në botën e sotme globale dhe konkurruese, ku të gjitha vendet përpiqen të tërheqin sa më shumë investitorë si të huaj ashtu edhe vendas”, u shpreh znj. Armitage.
Kryeministri Berisha e vlerësoi raportin si një dëshmi e arritjeve reale të ekonomisë shqiptare. Duke nënvizuar se mbetet ende punë për t’i çuar përpara këto arritje, kryeministri shprehu bindjen se vitin e ardhshëm Shqipëria do të bëjë një tjetër kapërcim të madh në renditjen e vendeve në raportin e Bankës Botërore. “Dua t’ju siguroj se asgjë nuk do më shmangë dhe nuk do të më bëjë të largohem nga ky objektiv madhor. Ai do të jetë, sikundër ka qenë, një prioritet i lartë në axhendën time qeveritare. Na u deshën me qindra mbledhje, të formulonim me qindra ligje dhe vendime, por do të na duhet shumë punë për t’i zbatuar ato”, theksoi kryeministri.
Kryeministri shprehu mirënjohjen për Bankën Botërore, USAID, FMN, BERZH, KFW dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare, për ndihmën dhe mbështetjen e tyre.
Në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
“Dëshiroj të filloj duke shprehur mirënjohjen time të thellë Bankës Botërore, USAID, FMN, BERZH, KFW dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare, të cilat me ndihmën, mbështetjen teknike dhe financiare të tyre bënë të mundur këtë. Fakti që Shqipëria u klasifikua në nivel të lartë në performancën e saj ndaj reformave, përfundimisht e bën vendin tonë, më bën mua me shumë shpresë drejt një të ardhmeje më të ndritur.
Beteja për lirinë e tregut është një betejë për begati, për kombet të cilët ende nuk janë të begatë. Por, ajo që unë besoj tashmë është se përfundimisht liria e tregut është një e drejtë themelore e njeriut. Asgjë nuk është e lidhur me shumë se kjo me parimet e një sistemi demokratik. Prej tre vitesh unë kryesoj Task-Force-n për reformën rregullatore dhe vendosa të bëj të pamundurën për të marrë çdo vendim, për të përshtatur çdo praktikë e cila zgjeron lirinë e tregut në vendin tim.
Ne jemi të privilegjuar nga ekspertiza dhe vlerësimet e larta të Bankës Botërore, USAID dhe agjencive të tjera ndërkombëtare. Unë e pashë raportin dhe miqësisht ju them se ne shohim aty atë çka kemi arritur si vend. Ne jemi të bindur se mbetet ende shumë për të bërë, por fakti që kemi kapërcyer 50 vende brenda një viti më jep shpresë se do të vazhdojmë me sukses, do të kapërcejmë edhe më shumë vende.
Banka Botërore e vlerësoi Shqipërinë ndër vendet e para dhe unë ju premtoj se do të bëj të pamundurën që ky vend të ecë me shpejtësi drejt të ardhmes. Pikërisht për këtë arsye, në takimin që pata sot me përfaqësues të Bankës Botërore, diskutuam më shumë për të ardhmen sesa për të kaluarën. Ne folëm më tepër për mënyrën se si do veprojmë tregues pas treguesi, indeks pas indeksi, për të gjithë kuadrin ligjor, për të instaluar në vend praktikat më të mira për biznesin.
Ky është edhe një vit elektoral për Shqipërinë, por ju siguroj gjithashtu se nuk do të më shmangë dhe nuk do të më bëjë të largohem nga ky objektiv madhor. Ai do të jetë, sikundër ka qenë, një prioritet i lartë në axhendën time qeveritare. Na u deshën me qindra mbledhje të formulonim me qindra ligje dhe vendime, por do të na duhet shumë punë për të zbatuar këto ligje.
Më lejoni të falënderoj gjithashtu të gjithë bashkëpunëtorët e mi, ministrat, të falënderoj Parlamentin dhe të gjitha agjencitë, për mbështetjen e tyre shumë të fortë ndaj reformave.
Ka disa rezultate të këtyre reformave dhe unë do të përmend 3 prej tyre:
Duke zgjeruar liritë fiskale dhe duke arritur një ulje dramatike të taksave, ne rritëm në mënyrë të ndjeshme të ardhurat. Brenda tre viteve, të ardhurat nga tatimet janë 190 miliardë lekë ose 3.2 miliardë USD, krahasuar me tre vjet më parë. Ne mund t’i tregojmë gjithkujt se si funksionon filozofia jonë dhe liria fiskale dhe se si ato do të ecin në të ardhmen.
Gjithashtu, një indeks tjetër që më jep kënaqësi dhe shpresë janë eksportet në rritje. Këtë vit, eksportet shqiptare janë rritur 42 për qind, krahasuar me një vit më parë.
Së treti, lajmin më të bukur në ekonomi e solli gjashtëmujori i parë i këtij viti ku Shqipëria ka një rritje rreth 11 për qind. Të dhënat e fundit tregojnë se kjo rritje filloi në tremujorin e parë me 10.4 – 10.5 për qind dhe këtë tremujor është afërsisht 11 për qind.
Përfundimisht, Shqipëria ka nevojë për këtë rritje ekonomike dhe qeveria do të bëjë të pamundurën për ta mbajtur të qëndrueshëm këtë nivel. Ne ndamë të njëjtin mendim sot me zonjën Kamile Nuamah për të punuar së bashku, për të hapur një kapitull të ri në këtë bashkëpunim.
Unë dua të siguroj çdo investitor se pasioni im kryesor është që të jem një politikan i tregut, pra si politikan më mbetet t’i ndihmoj investitorët në projektet dhe suksesin e tyre.
Ne u jemi shumë mirënjohës gjithashtu Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe USAID-it, me të cilën ne kemi tre projekte të rëndësishme, në kuadrin e Pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit. Drejtuesve të USAID-it u kam shprehur mirënjohjen time për asistencën dhe projektet shumë të rëndësishme të tyre që e kanë ndryshuar Shqipërinë, si projekti për regjistrin e biznesit që reduktoi kohën e regjistrimit të një biznesi nga 42 ditë në 1 orë, taksat elektronike, prokurimet elektronike, etj. Ju jam tejet mirënjohës dhe ju siguroj se këtë e konsideroj vetëm një fazë, për të vazhduar punën time të përditshme me ju dhe bashkëpunëtorët e mi, për ta çuar gjithnjë e më përpara vendin tim. Faleminderit”.