E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Qeveria ka angazhuar për Tiranën 160 milionë dollarë

-       Për Tiranën, Qeveria ka përgatitur investime për kanalizimet  me rreth 120 milionë dollarë, investime për unazën e re të Tiranës me rreth 50 milionë dollarë, ka akorduar për shkollat e Tiranës 2.5 miliardë lekë, i ka akorduar për ujësjellës-kanalizimet 1 miliardë lekë.

Gjatë vizitës në bashkinë e Kamzës, Kryeministri Berisha tha se qeveria ka angazhuar për Tiranën 160 milionë dollarë. Qeveria, ka përgatitur investime për kanalizimet  me rreth 120 milionë dollarë, investime për unazën e re të Tiranës me rreth 50 milionë dollarë, ka akorduar për shkollat e Tiranës 2.5 miliardë lekë, i ka akorduar për ujësjellës-kanalizimet 1 miliardë lekë.

Në përshëndetjen drejtuar qytetarëve të kësaj bashkie, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të dashur qytetarë dhe qytetare të Bathores,

Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes dhe t’ju uroj gëzuar rrugën e re, si dhe të shpreh kënaqësinë time që ne takohemi sot, në një seri inaugurimesh, të premtuara nga Sali Berisha në fushatën e zgjedhjeve të kaluara dhe të mbajtura një për një.

Sot, inaugurojmë këtë rrugë, do të inaugurojmë linjën elektrike 20 kilovolt, që do ta bëjnë Bathoren me rrjetin e cilësinë më të mirë, si çdo qytet tjetër, do të inaugurojmë ujësjellësin dhe ju garantoj se faza e dytë e tij do t’ju furnizojë me ujë për të gjitha nevojat tuaja.

Qytetarë dhe qytetare të Bathores,

Vetëm investimet në inaugurimet e sotme në bashkinë e Kamzës arrijnë në vlerën 850 milionë lekë. Inauguruam rrugë, inauguruam fillimin e punimeve për ndërtimin e shkollës 9-të vjeç are në Laknas, inauguruam rrugë të tjera, ujësjellësin dhe ju garantoj se qeveria ime do të bëjë çdo investim për të shndërruar Bathoren në një prej lagjeve më moderne të Tiranës. 

Në tre vjet, Shqipërinë e poshtërimit, e shndërruam në Shqipërinë e shpresës, Shqipërinë e stërhequr, e shndërruam në Shqipërinë e respektuar, Shqipërinë e bllokuar në procesin e integrimit, e kemi shndërruar në Shqipërinë që integrohet. Në tre vjet, ne ia dolëm të nisim dhe të zhvillojmë me mijëra e mijëra projekte në rrugë, shkolla, ujësjellës dhe kanalizime.

Në tre vjet, qeveria ime, ndonëse bëri uljet më të mëdha të taksave në Evropë, ia doli të sjellë mbi 3.2 milionë dollarë më shumë, sesa qeveria e mëparshme. Sot janë mbi 3.2 miliardë dollarë që nuk përfundojnë më në xhepat e pushtetarëve, kontrabandistëve dhe evazorëve, por shndërrohen në rrugë, shkolla, ujësjellës, në paga dhe pensione për qytetarët e Bathores dhe mbarë Shqipërisë.

Shqipëria sot është Shqipëria e shpresës, sepse ecën e sigurt në projektet e saj të mëdha. Është Shqipëria e shpresës, sepse nga Valbona në Konispol, e tëra është në rindërtim. Është Shqipëria e shpresës, sepse në tre vjet rritem pensionet dhe pagat sa kurrë në historinë e saj. Është Shqipëria e shpresës, sepse ajo mori ftesën për anëtarësim në NATO. Është Shqipëria e shpresës, sepse është vendi me rritjen ekonomike ndër më të lartat në Evropë. Është Shqipëria e shpresës, sepse për të gjitha këto mori ftesën për anëtarësim në NATO dhe pret që vitin e ardhshëm të anëtarësohet me të drejta të plota në këtë Aleancë.

Kryetari me korrespodencë i bashkisë së Tiranës ka hyrë në ethe të thella dhe përçartet çdo ditë. Unë dua t’i them: Zoti Kryetar, me shpifjen, mashtrimin, trillimin që i ke shndërruar në shtyllat kryesore të politikës tende, je pa asnjë të ardhme. Zoti Kryetar, nuk ka ilaçe, nuk ka sulfate që të ulin temperaturën tende të madhe. Ti je i pashprese. Ndaj bëhu burrë dhe priti me durim zgjedhjet, që të marrësh verdiktin e qytetarëve shqiptarë, të cilët ti, zoti Rama, me trillimet dhe mashtrimet që fabrikon çdo ditë i konsideron qenie për t’u gënjyer dhe për t’u mashtruar. Por shqiptarët kanë sot sensin e lirisë. Shqiptarët kanë mençurinë për të dalluar qartë se kush mban premtimin, se kush thotë të vërtetën dhe se kush përpiqet t’ju mbushë mendjen me shpifje, trillime dhe mashtrime.

Vëllezër dhe motra,

Kryetari i bashkisë doli në konferencë dhe tha se qeveria po përvetëson projektin për venddepozitimin e mbetjeve urbane të Sharrës. Me lejoni t’ju them se qeveria ka angazhuar, jo në projektin e Sharrës prej 800 milionë lekë, por për Tiranën rreth 160 milionë dollarë. Qeveria ka përgatitur investime e kanalizimeve me rreth 120 milion dollarë. Qeveria ka përgatitur investime për unazën e re të Tiranës me rreth 50 milionë dollarë. Qeveria i ka akorduar për shkollat e Tiranës së paku 2.5 miliardë lekë, i ka akorduar për ujësjellës-kanalizimet 1 miliardë lekë.  Qeveria do të akordojë sërish, por asnjë qindarkë për ty dhe mashtrimet e tua, por që të gjitha janë për qytetarët, për Tiranën, kryeqytetin e vendit.

Sapo inauguruam këtu, në Laknas, një shkollë, ndërkohë që kryetari me korrespodencë i bashkisë së Tiranës i kemi dhënë 2.2 miliardë lekë për të ndërtuar 7-të shkolla të reja dhe për të rikonstruktuar 12-të tjera, por ka ndërtuar vetëm dy shkolla të reja dhe një prej tyre në Yzberish dhe jo në Tiranë.

Dhe kjo ndodh sepse nuk gjen troje për shkollat, sepse shkolla nuk janë pallate dhe nuk mund të kërkojë të marrë 15 për qind, siç marrin rëndom për pallatet. Përse i dogji fondet për ndërtimin e shkollave kryetari i bashkisë së Tiranës? Ai i dogji fondet sepse nuk janë banorët e Tiranës, nuk janë fëmijët tuaj problemi i tij, Por kur qeveria ia ka dhënë paratë dhe ai nuk zgjidh problemin e shkollave, çfarë problemi mund t’i zgjidhë ai Shqipërisë, siç pretendon. Kjo është Shqipëria po ra në duart e tij.

Ky zotëri nuk mendon për asgjë tjetër, as për fëmijët e qytetarëve, as për të moshuarit e Tiranës, as për rrugët e tyre. Ai ka vetëm një qëllim, të cilin do ta realizojë me çdo mjet, mashtrim dhe trillim. Kjo është karriera e tij e nxirë dhe e pashpresë. Por çfarëdo që të bëjë ai, nuk e shpëton dot. Nuk ka sulfat që t’i ulë atij temperaturën e disfatës së tij.

Edhe një herë, ju uroj dhe ju përshëndes”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›