E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Po punohet paralelisht për zhdëmtimet dhe pastrimin e zonës së Gërdecit

Kryeministri Berisha deklaroi sot në mbledhjen e Komisionit të Emergjencës Civile se  do të intensifikohen operacionet e kërkimit në fshatin Gërdec.  


Kryeministri nënvizoi se Ministria e Shëndetësisë do të ndjekë me të gjithë potencialin e saj gjendjen e të plagosurve, dhe do të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme siç janë bërë deri më sot, për shpëtimin e jetëve të tyre duke i nisur për mjekime të specializuara kur ta gjykojnë mjekët se është e nevojshme.


“Probleme shumë serioze do të fillojnë në fshatin Gërdec dhe në zona të tjera ku ka shtëpi të prishura dhe kafshë të mbetura nën rrënoja, të cilat kërcënojnë me përhapje epidemie në rast se nuk merren masa të menjëhershme. Asgjë më të rëndësishme se pastrimi i zonës së pari nga predhat dhe së dyti nga rrënojat nuk ka”, u shpreh Kryeministri Berisha duke shtuar se në këtë operacion duhet të angazhohet xhenio dhe duhet të punësohen me kontratë punëtorë nga fshatrat  e zonës.
“Duhet që të bëhet evadimi sa më i shpejtë i rrënojave. Të përcaktohet zona e grumbullimit të tyre që sot dhe pas çminimit të fillojë me shpejtësi të madhe tërheqja e tyre”, u shpreh Kryeministri Berisha.


Duke u ndalur në vlerësimin e dëmit, Kryeministri Berisha tha se një vlerësim paraparak është bërë, por theksoi se ALUIZNI do të ofrojë 200 punonjës, të cilët janë të specializuar për vlerësimin e ndërtimeve dhe disponon hartën e plotë të paradëmtimit.
Kryeministri tha më tej se në vlerësimin e dëmit duhet të përcaktohen gjithashtu shtëpitë me dëmtime të rënda  që duhet të shemben, të cilat për shkak të dëmeve të pësuara nuk mund të rindërtohen.


“Rreth 300 ndërtesa  janë të shembura dhe 185 janë me dëmtime të rënda. Të përcaktohet këto me dëmtime të rënda. Kjo do të kërkojë dhe ekip të specializuar inxhinerësh ndërtimi. Prandaj Ministria e Transporteve dhe institutet e saj do të përcaktojnë se cilat banesa duhet të rindërtohen, cilat do të ndërtohen nga e para që të procedojmë me shpejtësi për hapjen e shesheve të ndërtimit”, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se aty ku nuk ka rrezik për shpërthime komisionet do të përcaktojnë disbursimin e dëmit në mënyrën më të shpejtë të mundshme.  


“Le të punojmë paralelisht me zhdëmimet. Ne do të zhdëmtojmë dëmin e krijuar. Me ndërhyrjen tonë ne do bëjmë zhdëmtimin e plotë. Nuk mund të ketë asnjë lloj hezitimi që ne zonën t`a rindërtojmë tërësisht më mirë se ç`ka qenë në kuptimin e ndërtimeve. Në kuptimin tjetër zona është e dramatizuar sepse ka pësuar një shok psikologjik dhe të gjithanshëm”, u shpreh Kryeministri Berisha duke nënvizuar se shpejtësia është kushti i kushteve për të mbyllurr sa më shpejt këtë fatkeqësi.
“Të gjitha dëmet e vlerësuara në një shifër të përafërt ne do t`i kemi  nesër për të kërkuar ndihma sepse ndihma janë ofruar nga vendet mike nga institucione ndërkombëtare, sikurse janë hapur numrat e llogarive”, vijoi më tej Kryeministri Berisha 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›