Kryeministri Berisha: Politika e tolerancës zero kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, angazhim i vazhdueshëm i qeverisë
Kryeministri Berisha ishte sot në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Brendëshme në bashkëpunim me misionet PAMECA dhe ICITAP me rastin e dorëzimit të diplomave, Drejtuesve të lartë të Policisë së shtetit, në përfundim të programit trainues akademik.
Qëllimi i programit trainues 9 mujor, synon rritjen e kapaciteteve institucionale dhe operacionale të Policisë së Shtetit, si dhe pajisjen e drejtuesve të lartë me aftësi dhe teknika drejtuese, në mënyrë që komuniteti të përfitojë prej tyre një shërbim policor, profesional, të përgjegjshëm e cilësor.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha theksoi se është tejet e rëndësishme vazhdimi i luftës me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, për të parandaluar fuqishëm eksportin e trafiqeve dhe krimeve në vendet fqinje dhe drejt perëndimit.
Kryeministri Berisha vlerësoi përpjekjet dhe rezultatet e arritura nga policia e shtetit në luftën e përditshme kundër krimit, duke theksuar se roli i tyre nuk është i rëndësishëm vetëm brenda territorit të vendit.
Kryeministri u shpreh se është e domosdoshme që tu ndërpritet rruga elementëve kriminalë brenda rradhëve të policisë, duke i vendosur ata përpara ligjit.
Duke vlerësuar bashkëpunimin me vendet partnere si një element kyç në punën e forcave të policisë, Kryeministri theksoi se krimi ndërkombëtar duhet të luftohet me një bashkëpunim të sukseshëm ndërkombëtar.
Në përfundim të ceremonisë, Kryeministri Berisha u dorëzoi diplomat, drejtuesve të lartë të policisë, pjesëmarrës në programin e trainimit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri u shpreh:
"Më lejoni që në rradhë të parë tu përshëndes të gjithë ju, të gjithë oficerët, inspektorët e policisë së shtetit kudo që janë, të shpreh vlerësimin tim të madh për punën e tyre, përkushtimin, kontributin që dhanë dhe japin , për sigurinë e jetës dhe të veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, bashkëpunimin e shkëlqyer që kanë vendosur me vendet partnere, sigurinë e madhe që kanë krijuar në vend. Gjithashtu një falenderim të përzemërt dua tu bëj sot PAMECA-s dhe Komisionit Europian, qeverisë austriake, qeverisë britanike për sponsorizimin e këtij kursi, me qëllim trainimin e oficerëve të lartë të policisë, rritjen e aftësive të tyre menaxhuese si një kusht i rëndësishëm për përmirësimin e punës dhe suksesin e saj.
Çdo ditë policia e shtetit bën një përpjekje të mëdha për zbatimin dhe imponimin e ligjit, duke u përballur me grupe kriminale të fuqishme. Në këtë përballje të vazhdueshme mund të thuhet në tërësi se bilanci i saj është qartësissht i sukseshëm, por roli i tyre është shumë më i madh se sa për Shqipërinë. Ne jemi të kufizuar nga vende mike. Përballë kemi Italinë me mijëra km linje detare, ndaj dhe ne duhet të vazhdojmë luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, jo vetëm për të siguruar jetën dhe veprimtarinë e qytetarëve shqiptarë, por edhe për të parandaluar eksportin e trafiqeve dhe krimeve në vendet fqinje dhe drejt perëndimit.
Ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe që ju, krahas aftësimit tuaj, duhet të jeni shumë të vëmendshëm kundrejt institucionit tuaj. Asgjë nuk rëndon dhe dëmton më shumë punën tuaj sesa individët me uniformë që bashkëpunojnë me krimin, ndaj dhe është në detyrimin tuaj madhor që të forconi gjithnjë e më shumë shërbimin tuaj të brendëshëm, të nxirrni jashtë rradhëve tuaja dhe të vendosni para ligjit, ata, të cilët venë në rrezik direkt jetën tuaj, venë në rrezik sigurinë e vendit, si dhe sigurinë e qytetarëve. Në bashkëpunimin e tyre me krimin ata hapin dyert për të . Ju keni bërë përpjekje të mëdha, në këtë aspekt, gjatë këtyre viteve. Suksesi i operacioneve tuaja, ndër të tjera ka në bazë edhe integritetin me të cilin ju i keni realizuar ato, por nuk mund të mohoet se sërish ka patur rrjedhje, ndonëse të rralla. Ndaj dhe kërkohet nga ju që të bëni përpjekje shumë më të mëdha ndaj këtyre elementeve.
Bashkëpunimi me komunitetitn është një linjë tjetër jashtëzakonisht e rëndësishme e punës suaj. Në Shqipëri ju keni detyrën më të vështirë dhe sigurisht një ndër detyrat me të nderuara. Në bashkëpunim me komunitetin, ju, jo vetëm mund të përmbushni më mirë këtë detyrë, por do të rrisni gjithnjë e më shumë reputacionin tuaj të nderuar, vendin tuaj të merituar në shoqëri.
Dua tu siguroj ju se qeveria mbështet tërësisht reformën që ju keni ndërrmarrë. Një ligj i ri është miratuar. Ky ligj përmirëson në mënyrë substanciale funksionimin e policisë së shtetit, duke krijuar një riorganizim të saj. Ajo çka kërkohet, përmirësimi i ndjeshëm i menaxhimit, jam i bindur se kursi i kryer do të jetë një kontribut thelbësor në këtë drejtim. Me policinë e shtetit, me forcat e armatosuar kemi një problem dhe ky është menaxhimi i buxhetit dhe ky është një problem shumë i rëndësishëm. Ne jemi të vendosur tu mbështesim ju, në mënyrë që jut ë përmbushni me nder dhe dinjitet detyrën tuaj. Ne jemi të vendosur të rrisim buxhetin për mbrojtjen me 2 % të GDP-së. Por të gjitha këto janë rritje të mëdha të përgjegjësive tuaja, për nje përdorim më të mirë të buxhetit dhe një konsolidim të mirëpërdorimit të tij.
Unë kam shumë besim se mbi bazën e sukseseve spektakolare që ju keni arritur, para së gjithash me kurajon, profesionalizimin, ndershmërinë, përkushtimin tuaj, ju do të vazhdoni këtë punë, këtë sukses, do ta konsolidoni atë, duke e bërë Shqipërinë një vend gjithnjë e më të sigurtë. Do të zgjeroni gjithnjë e më shumë bashkëpunimin me vendet partnere. Krimi ndërkombëtar duhet të përballet me një bashkëpunim ndërkombëtar. Edhe njëherë ju uroj suksese. Falenderoj të gjithë donatorët për ndihmën , përkushtimin që dëshmojnë në trajnimin tuaj, në shkëmbimin e informacioneve.