E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takohet me arsimtare të Delvinës

Pas takimeve në Sarandë, Kryeministri Berisha e vijoi vizitën, pasditen e sotme, në Delvinë ku u takua me arsimtarë të qytetit, me të cilët diskutoi rreth reformave të qeverisë për përmirësimin e sistemit arsimor në vend.

Kryeministri Berisha theksoi se përpjekjet e bëra nga qeveria shqiptare në mbështetje të arsmitarëve, si psh rritja e pagave me 20-23 për qind, shënojnë një rritje në tërësi të investimeve të fundit në arsim më shumë se në dhjetë vjet të marra sëbashku.
Kryeministri siguroi se edhe në të ardhmen nuk do të mungojnë investimet për trajnimin e mëtejshëm të arsimtarëve në mënyrë që ata të përballojnë kërkesat në rritje të kohës

Kryeministri theksoi se rritja e numrit të nxënësve që frekuentojnë shkollat 9 vjeçare deri në masën 90 për qind, rritja e numrit të nxënësve në shkollat e mesme, investimet për konvikte dhe shkolla, janë disa nga objektivat e qeverisë për zhvillimin e arsimit.
Ndërsa kujtoi se dy vjet më parë Shqipëria kishte një dallim katër herë më të ulët se vendet e Bashkimit Europian përsa i përket numrit të sudentëve, Kryeministri tha se po bëhen përpjekje për rritjen e numrit të studentëve.

Një rëndësi e veçantë tha Kryeministri do t'i kushtohet arsimit të mesëm profesional. Në këtë kuadër Kryeministri premtoi rishikimin e mundësive për rihapjen e shkollës bujqësore të Delvinës.

Gjatë bashkëbisedimit, Kryeministri Berisha u ndal hartimin e teksteve shkollore për të cilat tha se duhet të kenë përputhshmëri sa më të madhe me tekstet e vendeve të Bashkimit Europian.
Kryeministri theksoi se tesktet shkollore do të botohen dhe në gjuhën greke për minoritarët.

Nisur nga diskutimet e ditëve të fundit për ndryshimin e teksteve të historisë, Kryeministri Berisha tha se tekstet duhet të pastrohen nga doktrina e sistemit të totalitarizmit dhe do tu përshtaten standardeve moderne.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›