Kryeministri Berisha: Qeveria, e vendosur të bëjë çdo investim për një shërbim shëndetësor cilësor e modern
- Kryeministri përuron repartin e mamografisë, me vlerë mbi 800 milion lekë, në spitalin rajonal të Durrësit
Kryeministri Berisha tha sot, gjatë një vizite në spitalin rajonal të Durrësit, se qeveria është e vendosur të bëjë çdo investim për një shërbim shëndetësor cilësor dhe modern.
Duke përshëndetur dy investimet e sotme në fushën e shëndetësisë, Kryeministri theksoi se “brenda një dite ne faktojmë se janë rreth 1.6 miliard lekë që investohen për shëndetësinë vetëm në aksin Durrës-Kavajë.”
“Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo investim për një shërbim shëndetësor cilësor. Shuma të mëdha do të investohen në të gjitha qendrat rajonale dhe qendrën spitalore “Nënë Tereza”, në mënyrë që Shqipëria të ketë një shërbim shëndetësor modern,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri theksoi se qeveria, krahas masave që ka ndërmarrë për rritjen e pagave në sektorin shëndetësor, është e vendosur të rrisë në mënyrë progresive buxhetin për shëndetin publik.
“Qeveria, - u shpreh Kryeministri, - po rrit në dhe ne jemi të vendosur ta rrisim buxhetin për shëndetin publik. Ne jemi qeveri që investojmë, pasi është bërë e mundur rritja e të ardhurave, edhe duke ulur taksat, për shkak të zhvillimit ekonomik dhe luftës kundër informalitetit. Gjithashtu pagat me rritjen më të lartë, në këto dy vjet, kanë qenë ato të infermierëve, sepse ata kanë një detyrë delikate e të vështirë. Ne e nisëm me to në mënyrë që të mund të shënojmë një kthesë në cilësinë e shërbimit. Por jo pak janë rritur edhe pagat e mjekëve, me 20 për qind këtë vit 20. Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo investim për një shërbim shëndetësor cilësor.”
Gjatë vizitës në spitalin e Durrësit, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka, përuroi repartin e ri të mamografisë, i pajisur me aparaturat e teknologjisë më të fundit për diagnostifikimin e neoplazive të gjirit. “Ky repart u mundësua në sajë të ndihmës në kuadrin e programit Interreg të ndihmës komunitare që vjen nga rajoni i Pulias në Shqipëri dhe që ka vlerën e mbi 800 milion lekë,” u shpreh Kryeministri.
Aparaturat e reja, si mamografia dhe eko-ja bëjnë të mundur zbulimin e formave më të hershme të neoplazive të gjirit dhe trajtimin e tyre më efikas.