Zëvendëskryeministri Oketa: Prokurimi elektronik, eleminon korrupsionin në tendera

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa gjatë një konference dhënë sot për shtyp shpjegoi në mënyrë më të detajuar vendimin e qeverisë për “Për Kryerjen e Proçedurave të Prokurimit Publik me Mjete Elektronike”. Zoti Oketa bëri të ditur dhe lehtësirat që përfiton biznesi nga zbatimi i këtij vendimi.
Zv/kryeministri u shpreh se që nga hyrja në fuqi e ligjit për Prokurimet Publike, në janar 2007, nuk ekzistojnë më ankesa për mospaisje me dokumentacionin e tenderave, dhe numri i të interesuarve për dokumentat e publikuara në faqen e internetit të APP-së ka arritur deri në 7 714 në muaj të caktuar.
Fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Gazmend Oketa;
“Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, u morën një sërë vendimesh të rëndësishme por një vendim tëpër i rëndësishëm ishte vendimi “Për Kryerjen e Proçedurave të Prokurimit Publik me Mjete Elektronike”. Ky vendim përbën përpjekjen e parë për të rregulluar zbatimin e kësaj metode prokurimi në Shqipëri.
Prokurimi elektronik është në përputhje të drejtpërdrejte me një nga objektivat e qeverisë shqiptare si dhe në mbështetje të Programit të Marrëveshjes së Sfidës së Mijëvjeçarit. Vendimi do të shërbejë si instrument suksesi i komponentit të prokurimit elektronik brënda Reformës të Prokurimit Publik.
Vendimi është përgatitur me mbështetjen e ekspertizës së Marrëveshjes së Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë.
Në hartimin e këtij Vendimi, janë marrë parasysh direktiva e Bashkimit Europian për Prokurimet Publike si dhe standardet e praktikat më të mira në këtë drejtim.
Me këtë vendim, ngrihet për herë të parë një platformë elektronike që do të mundësojë zbatimin e prokurimit elektronik në praktikë. Platforma tashmë është ngritur dhe ka kaluar fazën e testimeve teknike për t’u vënë në zbatim.
Fillimisht kjo platformë do të administrohet nga Agjencia e Prokurimeve Publike dhe në një fazë të mëvonshme, pas konsolidimit të Agjencisë për Shërbimet e Qeverisjes Elektronike, kjo platformë do të transferohet dhe integrohet me shërbimet e tjera elektronike.
Më këtë platformë çdo operator ekonomik që regjistrohet për herë të parë në sistem, do t’i lëshohet një emër përdoruesi dhe fjalëkalim personal, i cili gjurmohet dhe verifikohet në çdo kohë nga vetë sistemi sa herë që ai kërkon të marrë pjesë në procedurat elektronike të prokurimit duke bërë kështu lidhjen logjike ndërmejt të dhënave dhe dërguesit.
Aplikimi i gjerë i sistemit në të ardhmen do të ulë shumë shpenzimet administrative të proçedurave të prokurimit, me një përqindje të përafërt deri në 25%, duke kursyer para publike, gjë që do të justifkojë ndjeshëm administrimin dhe përdormin e mjeteve elektronike në prokurimet publike.
Elementet e prokurimit elektronik aplikohen prej më shumë se nëntë muajsh, pas hyrjes në fuqi të ligjit në janar 2007, dhe që nga kjo periudhë Agjencia e Prokurorimeve Publike mundëson që nga faqja e saj elektronike të shkarkohet pa pagesë i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për pjesëmarrjen në tendera.
Që nga hyrja në fuqi e këtij ligji nuk nuk ekzistojnë më ankesa për mospaisje me dokumentacionin e tenderave, dhe numri i të interesuarve për dokumentat e publikuara në faqen e internetit të APP-së ka arritur deri në 7 714 në muaj të caktuar.
Shifrat janë optimiste, por jo të mjaftueshme për të pretenduar zhdukjen e korrupsionit në prokurime, për këtë arsye aplikimi i proçedurave të prokurimit elektronik është një hap i vështirë por shumë i rëndësishëm në këtë luftë.
Me proçedurat e prokurimit elektronik,
- Autoritetet kontraktore dhe subjektet pjesëmarrës në tendera do të regjistrohen në APP për t’u identifikuar në sistem
- subjektet do të njoftohen në kohë reale për çdo njoftim prokurimi, (pra me shpalljen e proçedurës së prokurimit nga autoriteti kontraktor, të gjitha subjekteve të identifikuara në sistem u shkon njoftimi për proçedurën e prokurimit menjëherë)
- subjektet mund te kerkojne sqarime apo ndryshime te dokumentave te tenderit, por nuk do te jete i mundur identifikimi i tyre. Autoriteti kontraktor do t’i pergjigjet ketyre ankesave apo kerkesave dhe me to do kene mundesi te njihen ne cdo kohe te gjithe subjektet e tjera te interesuara per kete procedure)
- subjektet do të japin ofertat e tyre nëpërmjet rrugës elektronike dhe askush nuk mund të njihet me këto oferta deri në datën dhe orën e hapjes së proçedurës. Nëse nuk hapen njëkohësisht ofertat nga të gjithë anetarët e komisionit të vlerësimit askush nuk mund të njihet me to.
Pra gjatë gjithë proçedures ruhet anonimati duke shmangur kështu çdo mundësi komunikimi, apo marreveshje paraprake ndërmjet subjekteve vetë apo ndërmjet tyre dhe autoritetit kontraktor, apo çdo lloj manipulimi me mënyrën dhe kohën e paraqitjes së ofertave për të favorizuar firma të caktuara.
Aplikimi i proçedurës së prokurimit në rrugë elektronike parashikohet të fillojë që në proçedurën e rradhës, që tashmë është shpallur, për blerjen e energjisë elektrike dhe specialistët janë duke punuar për ta finalizuar me sukses këtë proçedurë.
Menjëherë do fillojnë aplikime të kësaj proçedure në të gjitha institucionet pilot. Janë përzgjedhur disa institucione pilot si; Ministria e Shëndëtesise, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit, Ministria Ekonomisë Tregetisë dhe Energjitikës, KESH, Bashkia Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
Qëllimi i qeverisë është rritja në vazhdim e sasisë së fondeve që prokurohen në rrugë elektronike, për këtë qëllim ky aplikim do të filloje nga institucionet që kanë dhe sasinë më të madhe të fondeve dhe kanë kapacitetet e duhura për të realizuar këto procedura. Hap pas hapi numri i institucioneve do të jetë në rritje me synim aplikimin në të gjithë autoritetet kontraktore.
Platforma është përgatitur në formë të tillë që në një të ardhme të afërt, me miratimin e ligjit ëer ankandet, edhe ankandet të mund të realizohen në rrugë elektronike.
Pas miratimit të legjislacionit të ri për prokurimet, i përafruar me direktivën europiane, publikimit të dokumentacionit të tenderave dhe vënia në dispozicion e tyre falas në rruge elektronike, kjo është reforma me madhore në fushën e prokurimeve që do të përmbushë synimin e qeverisë për rritjen e transparencës në prokurime dhe zhdukjen e korripsionit në to”.