Kryeministri Berisha: Taksa dixhitale eliminon pazarin dhe konsolidojnë zbatimin e ligjit
Kryeministri Berisha tha, sot gjatë vizitës në bashkinë e Durrësit, se brenda këtij muaji fillon zbatimi i taksës dixhitale, e cila ka për qëllim zbatimin korrekt të ligjit dhe shmangien e abuzimeve.
“Autoriteti ynë tatimor në tërësinë e tij merret me pazar dhe jo me ligj dhe ne nuk duam që ai të bëjë pazar me taksapaguesit. Ne kemi adaptuar normat më të ulëta dhe asnjë vend nuk ka norma më të ulëta se ne, por ne duhet të përjashtojmë pazarin. Në datën 16 do të fillojë nga zbatimi taksa “on line”. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse eviton pazarin. Biznesi bën deklarimin “on line”, pa u takuar me taksidarin. Nga kultura e pazarit, tepër e padobishme, kalojmë në zbatimin e ligjit. Deklarimi “on line” e ndihmon taksapaguesin të mos ketë kontakte dhe të bëjë deklarimin në ndërgjegjen të tij. Ne jemi për taksat e ulëta, por edhe për zbatimin e ligjit. Ky është interesi jetik i biznesit dhe qytetarëve, pasi marrëdhëniet duhet të jenë ligjore,” u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha vlerësoi një hap shumë pozitiv decentralizimin e biznesit të vogël dhe administrimin e tij nga pushteti vendor, në kuadër të reformës së decentralizimit fiskal. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha bëri të ditur, një tjetër masë, heqjen së shpejti të taksës mbi biznesin e vogël dhe vendosjen vetëm të taksës mbi të ardhurat personale 10 për qind.
“Kjo masë, - qartësoi Kryeministri, - nuk do të ketë ndikim në buxhetin lokal. Kjo bëhet, sepse biznesi i madh ka pasur në mënyrë konstante një kërkesë, vendosjen e faturës. Biznesi i madh në të vërtetë është dëmtuar në mënyrë substanciale, sepse ka një kooperim të pandërprerë midis biznesit të madh dhe atij të vogël dhe mungesa e faturës në nivelin e biznesit të vogël e dëmton realisht biznesin e madh. Këtu biznesi i madh ka pasur shumë të drejtë, sepse e përqendron sistemin tërësisht tek ai. Kjo nuk do të ketë asnjë rëndim mbi biznesin e vogël, por sjell një transparencë më të madhe. Ne e kuptojmë se masat që ne synojmë jo në çdo rast kanë mirëkuptimin, por në mënyrë absolute ato janë jetike për vendin.”
Kryeministri vlerësoi se Shqipëria po njeh dhe do të njohë nivele shumë më të larta zhvillimi. “Ka një fluks shumë të madh të investimeve, ka shumëfishim të lëvizjes së njerëzve dhe kjo është gjithashtu rritje e konsumit dhe shpenzimeve. Ne jemi në një situatë optimiste, por në rast se nuk vendosim ligjin, nuk mund të pretendojmë se do të ecim në mënyrë të konsoliduar. Nuk kemi synim tjetër veçse të bëhemi të vërtetë,” theksoi Kryeministri. Po ju jap një shembull kompania Bechtel tha se do të blinte materiale shumëmilionëshe në vend, por më pas u tërhoq sepse nuk i jepnin çmimin real të mallit, duke i afruar fatura me gjysmën e çmimit. Prandaj ne do të japim çmimet e referencës.