Kryeministri Berisha pret zotin Patris Krisman, Sekretar i Përgjithshëm i Euro Geo Survey
Kryeministri Berisha priti sot zotin Patris Krisman, Sekretar i Përgjithshëm i Euro Geo Survey, një sistem zyrash që synon mbështetjen dhe promovimin e sektorit të gjeologjisë. Qëllimi i vizitës së tij ishte koordinimi i projekteve të ndryshme të zyrës së saj në Shqipëri, me sistemin e zyrave të ngjashme në vende të ndryshme. Zoti Krismas i bëri të ditur Kryeministrit se zyra e tyre në Shqipëri disponon informacion të shumtë dhe interesant në lidhje me industrinë e minierave, burimet minerare, informacione dhe të dhëna që duhet të përpunohen dhe dixhitalizohen, për t’u vënë në dispozicion të publikut privat, shtetëror dhe investitorëve të huaj.
Kryeministri, pasi falënderoi përfaqësuesin e kësaj zyre për interesin dhe sugjerimet e dhëna në lidhje me zhvillimet në fushën e përpunimit të informacionit minerar, i prezantoi planet dhe hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në lidhje me sektorin minerar. Krahas rregullimeve institucionale të ndërmarra në këtë fushë, modernizimit të kësaj infrastrukture drejtuese, Kryeministri tha se në këtë drejtim, për qeverinë, mbetet prioritet rregullimi i informacionit minerar dhe modernizimi i shërbesave që këto institucione duhet të ofrojnë për të interesuarit në këtë fushë.
Zyra e Euro Geo Survey në Shqipëri ka nevojë të modernizohet më tej dhe të ofrojë produkte të reja për të interesuarit, si në fushën e biznesit ashtu edhe në atë të kërkimit shkencor, duke bashkëpunuar më strukturat e njëjta ndërkombëtare dhe ato të vendit. Trajnimi i burimeve njerëzore të këtij sektori është një tjetër detyrë që duhet marrë në konsideratë dhe duhet arritur nga kjo zyrë, por dhe nga universiteti dhe Instituti i ri i Gjeo - shkencave, pranë universitetit. Koordinimi i punës së këtyre institucioneve dhe i qeverisë, i ministrive përkatëse, theksoi Kryeministri Berisha, është faktor i rëndësishëm për të përcaktuar misionin dhe rolin e këtij institucioni në kushtet e ekonomisë së tregut. Po ashtu, ky koordinim ndihmon reformat e ndërmarra nga qeveria në mbështetje të këtij tregu, si dhe ritmet e shpejta të rritjes dhe standardeve ndërkombëtare në fushën minerare.
Kryeministri falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të Euro Geo Survey, zotin Patris Krisman, për ndihmën e ofruar në këtë drejtim dhe e njohu atë me faktin se edhe Banka Botërore, me Departamentin e specializuar të saj, po kontribuon me ekspertizë në përcaktimin e një strategjie dhe rregullimi të sektorit minerar. Kjo do të konkretizojë objektivat e qeverisë për riaftësimin e sektorit minerar dhe produkteve të tij në Shqipëri, në kuadrin e rëndësisë së madhe që ka marrë ky sektor në rang ndërkombëtar.