Kryeministri Berisha: Qeveria, vëmendje maksimale për përballimin e situatës së zjarreve në vend
Kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë analizoi situatën e deritanishme të përhapjes së zjarreve në zona të ndryshme të vendit dhe masat e marra për përballimin e situatës. Kryeministri theksoi se vazhdojnë të mbeten problematike zonat pyjore të Germenjit, Llogarasë, Lura, Valbona etj. Gjithashtu Kryeministri vuri në dukje faktin se janë identifikuar raste të zjarrëvënies së qëllimshme nga persona të caktuar.
Duke kërkuar vëmendjen maksimale për gjetjen e mënyrave sa më efikase në përballimin e situatës, Kryeministri theksoi se forcat e ushtrisë dhe të policisë kanë kontribuar në mënyrë thelbësore për përballimin e saj, ndërsa përsa i përket qeverisjes vendore Kryeministri kërkoi një angazhim më të madh të saj.
Megjithëse gjendja e emergjencës paraqitet edhe në shumë vende të tjera fqinje, Kryeministri informoi se janë bërë të gjitha përpjekjet për sigurimin e mjeteve shtesë, me qera, që do të lehtësojnë shuarjen e zjarreve.
Gjithashtu, Kryeministri iu bëri thirrje qytetarëve, që në kushtet e klimës së nxehtë, e cila po vazhdon prej disa ditësh, ta konsiderojnë parandalimin e zjarreve si një prej detyrave më të rëndësishme. Për këtë qëllim, Kryeministri kërkoi vënien nën kontroll dhe gadishmëri të të gjitha impianteve të fikjes së zjarrit në ndërtesat publike dhe mobilizimin e të gjitha resurseve për përballimin e situatës.
Ndër të tjera, Kryeministri u shpreh në fjalën e tij:
"Zjarret e rëna në vend vazhdojnë të mbeten një problem madhor. Grupi i drejtuar nga zëvendëskryeministri Oketa po e ndjek në mënyrë konstante situatën, por në fakt klima është shumë e disfavorshme. Në raste të caktuara janë identifikuar edhe krime njerëzore, zjarre të vëna nga persona kriminalë.
Përpjekje shumë të mëdha janë bërë për të siguruar mjete shtesë me qera, por për fat të keq zjarret kanë përfshirë edhe shumë vende të rajonit, të cilat aktualisht nuk kanë mundësi reale për të ofruar ndihmë për shkak të situatës së krijuar. Sidoqoftë ne pritëm përgjigje, pasi kërkesa jonë u adresua në shumë drejtime. Vëmendja e të gjithëve duhet përqëndruar në gjetjen e mënyrava sa më efikase për përballimin e situatës.
Deri tani ushtria ka dhënë një kontribut thelbësor, duke u përballur më shumë se të gjithë të tjerët, gjithashtu edhe forcat e policisë. Kurse për sa i përket qeverisjes vendore, bashkitë, komunat, mund të themi se nuk janë kaq të angazhuara në parandalimin e zjarreve dhe shuarjen e tyre.
Problem mbeten pyjet e Germenjit, LLogaraja, Lura, Valbona, por me klimën aktuale potenciali i ndezjes është realisht shumë i madh. Ne përcaktuam një fond. Mendosj se fondet kryesisht duhet të drejtohen drejt njësive më eficente. Deri tani janë njësitë e ushtrisë dhe ato të policisë që përballen më me vendosmëri. Ajo cka mund të bëjë policia pyjore, por edhe ajo e rendit është që të mund të kontrollojë të gjitha zonat e mundshme të zjarrvënies, sepse deri tani nuk ka humbje në njerëz, por zjarret mund të ndodhin si në rastin e Kalabrisë, që zjarri për pak sa nuk dëmtoi turistët.
Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ketë një mbikqyrje për parandalimin e zjarreve. Pritet një përgjigje për disa kërkesa të dërguara në drejtime të ndryshme për disa mjete shtesë, por fatkeqësisht vendet përreth i kanë mjetet të anagzhuara dhe kanë mungesa të tyre në raport me situatën e pakontrolluar të zjareve që kanë rënë.
Do tu bëja thirrje të gjithë qytetarëve që ta konsideronin parandalimin e zjarreve, si një nga detyrat më të rëndësishme në këtë periudhë, kur moti i nxehtë favorizon përhapjen e tij me shpejtësi. Në ndërtesat publike duhet të funksinojnë impiantet e fikëses së zjarrit, të cilat duhet të kontrollohen dhe të jenë në gadishmëri. Mendoj se është e domosdoshme një mobilizim shumë më i madh i bashkive dhe komunave të vendit, të cilat duhet të shpallin në zonën e tyre gjendjen e emergjencës në nivel qarku dhe të mobilizohen të gjitha resurset për përballimin e situatave. Ushtria mund të mobilizojë njësi shtesë, natyrisht që duhen ti akordohen të gjitha fondet. Po kështu forcat e rendit duhet të kenë të gjitha mundësitë që të angazhohen gjithnjë e më shumë në luftën kundër zjarreve."