Nënshkruhet Marrëveshja mes Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe disa universiteteve italiane për restaurimin e ndërtesave historike të Tiranës

Nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha, u nënshkrua sot Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe tre universitete italiane, politeknikut të Torinos, Milanos dhe Barit për realizimin e projektit të vlerësimit të pasurisë arkitektonike të Tiranës. Marrëveshja ka si prioritet përgatitjen e studimit të fizibilitetit me qëllim restaurimin dhe përmirësimin e funksionalitetit të tre ndërtesave: Pallatit të Brigadave, selisë së kryeministrisë dhe ndërtesës së ish hotel Dajtit.
Marrëveshja u nënshkrua në Pallatin e Brigadave nga Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, njëkohësisht koordinator i grupit shqiptar të punës, z. Lorenc Bejko dhe znj. Maria Adriana Giusti, përfaqësuese e politeknikut të Torinos dhe koordinatore e grupit italian të punës.
Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, z. Bejko tha se restaurimi i këtyre objekteve do të bëhet duke ndjekur parimet dhe cilësinë e shekullit të 21-të në riadaptimin e këtyre objekteve në ndërtesave në funksionale dhe simbolike të qytetit.
Nënshkrimi i marrëveshjes u arrit pas diskutimeve të gjëra mes grupeve të ekspertëve të të dy vendeve gjatë konferencës ndërkombëtare, zhvilluar pak kohë më parë në Tiranë.