E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënshkruhet kontrata për fillimin e ndërtimit të fabrikës së re të çimentos nga grupi industrial Titan, në zonën e Fushë - Krujës

- Kryeministri Berisha përshëndet investimin e grupit Titan prej 250 milionë euro dhe hapjen e mbi 300 vendeve të punës

Sot pasdite, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës për fillimin e ndërtimit të një fabrike çimentoje nga kompania "Antea Cement", pjesë e grupit industrial ndërkombëtar Titan. Ky projekt kap një investim prej 250 milionë euro.

Investimi i grupit Titan synon ndërtimin e një fabrike çimentoje në zonën e Fushë Krujës, e cila do të hyjë në funksionim në dhjetor 2009. Fabrika do të furnizojë tregun shqiptar me çimento të cilësisë së lartë dhe gjithashtu do të eksportojë në tregjet globale. Funksionimi i saj do të krijojë më shumë se 300 vende të përhershme pune. Grupi Titan është një ndërmarrje industriale ndërkombëtare, e pranishme në 4 rajone të botës, Greqi, SHBA, Europë Juglindore dhe në Mesdheun Lindor. Firma kryesore e grupit, Titan Cement S.A, është një shoqëri greke me mbi 100 vjet eksperiencë në industrinë e çimentos.

Kryeministri Berisha vlerësoi se realizimi i këtij projekti përbën një dëshmi të madhe të besimit në rritje të investitorëve të huaj në Shqipëri. Kryeministri siguroi mbështetjen e plotë të qeverisë për ndërtimin e fabrikës, duke theksuar se qeveria do të vazhdojë të mbështesë, të lehtësojë dhe të inkurajojë investimet në Shqipëri. Industria e çimentos, tha Kryeministri, gjatë viteve që vijnë do të njohë dimensione të reja shumë të mëdha. Aktualisht, përveç projektit të grupit Titan janë edhe 3 projekte të mëdha, të cilat rrisin investimet në këtë industri me rreth 1 miliardë euro.

Drejtori për Europën dhe Lindjen e Mesme i grupit Titan, zoti Mike Slagas, duke falënderuar Kryeministrin Berisha për mbështetjen e dhënë në konkretizimin e projektit, u shpreh se prodhimi i kësaj fabrike do të mbajë markën "Made in Albania" .

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›