E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha sëbashku me pasardhës të Ismail Qemal Vlorës zbulojnë në Tiranë, shtatoren e themeluesit të pavarësisë

Kryeministri Berisha sëbashku me Darling Vlorën, pasardhës i themeluesit të pavarësisë së Shqipërisë, zbuluan sot në mbrëmje shtatoren e Ismail Qemal Vlorës, e vendosur në një nga lulishtet në qendër të Tiranës.

Në një ceremoni ku merrnin pjesë autoritete të larta të vendit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, kryetarët e komunës së Prishtinës në Kosovë, i komunës së Tetovës në Maqedoni, i komunës së Ulqinit në Mal të Zi, i komunës së Preshevës, pasardhës të familjes së Ismail Qemalit, Kryeministri Berisha e konsideroi vendosjen e shtatores së Ismail Qemal Vlorës në Tiranë, një akt që i mungonte kryeqytetit, për të nderuar burrin më të madh të historisë kombëtare.

“Në rast se sot, ne jemi të lirë, kudo që jetojmë dhe ekzistojmë si të tillë, kjo është  falë këtij akti, falë këtij burri dhe bashkëpunëtorëve të tij, që në kushtet më të vështira dhe me një guxim mbinjerëzor ngritën në Vlorë, flamurin e Skënderbeut,” - u shpreh Kryeministri, duke e konsideruar këtë edhe aktin e themelimit të Shqipërisë etnike.

Ismail Qemali, të gjithë shqiptarët që punuan e luftuan për lirinë e dinjitetin e shqiptarëve, nga Lidhja e Prizrenit e deri më sot, tha Kryeministri, “mbyllën sytë me një ëndërr të vetme, të cilën çdo shqiptar, i frymëzuar nga guximi i tyre, duhet ta lexojë me ndershmëri, me guxim e kurajë. Ajo ishte ëndrra e bashkimit të shqiptarëve.”

Fjala e Kryeministrit në ceremoninë e vendosjes në Tiranë, të shtatores së Ismail Qemalit

“Jemi sot, këtu, për të përuruar shtatoren e atit të pavarësisë së Shqipërisë, një prej burrave më të mëdhenj, më të shuar, më të guximshëm e më vizionar të historisë së kombit tonë, Ismail Qemal Vlora. Pasardhës i një prej familjeve më të fuqishme shqiptare, i familjes së Sinan Pashës që do të kryesonte rreth katër herë kabinetin në Perandorinë Osmane, i pashallarëve dhe zyrtarëve të tjerë më të lartë të Perandorisë Otomane. Ismail Qemal Vlora do të ishte dhurata më e madhe, më e bukur që kjo familje e shquar do t’i bënte kombit, do t’i bënte Shqipërisë.

Ky burrë i madh, reformator i përmasave botërore bëri gjithçka për të reformuar një perandori, në të cilin jetonin edhe shqiptarë, por ai qe ndër të parët që kuptoi se kjo perandori nuk mund të reformohej. Ai kuptoi se xhonturqit, të cilët arritën të mashtronin në një mënyrë a tjetër shqiptarët, ishin kryekëput antishqiptarë. Në këto kushte, Ismail Qemal Vlora merr përsipër sëbashku me një grup bashkëpunëtorësh, Hasan Prishtinën, Luigj Guirakuqin, Isa Boletinin, Dedë Gjo Lulin dhe burra të tjerë, të punojë me vendosmëri për pavarësinë e Shqipërisë. Politikan i një kalibri botëror, ai kuptoi se Aleanca Ballkanike nuk ishte gjë tjetër, veçse Aleancë kryekëput antishqiptare. Aleancë, me të cilën fqinjët ballkanikë kishin vendosur të ndanin në mënyrë përfundimtare trojet e kombit shqiptar.

Pas një udhëtimi biblik, 27 ditor, në të cilin kaptoi dete, male, shtatë vende, ai zbarkoi në Durrës e rendi në Vlorë, për të shpallur pavarësinë e Shqipërisë, më 28 nëntor të viti 1912, për të ngritur në Vlorë flamurin kombëtar, flamurin e Skënderbeut. Ismail Qemal Vlora jo vetëm është ati i pavarësisë, por ai themeloi e kryesoi qeverinë e parë të shqiptarëve në një vend të pavarur, e cila përcaktoi interesin kombëtar si yllin e saj polar.

Themeluesi i pavarësisë sonë njihte më mirë se kushdo tjetër planet ogurzeza që ishin thurur për trojet shqiptare. Ai nuk mund të pajtohej kurrë. Ndaj shpalli pavarësinë, me synimin e vetëm, të qartë, të përfaqësonte të gjitha trojet shqiptare. Ata që lexojnë dokumentin themelor të pavarësisë do të gjejnë aty firmat e përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi e diasporës. Ky është në të vërtetë edhe dokumenti i themelimit të Shqipërisë etnike, të Shqipërisë që do të shtrihej në të gjitha territoret, ku shqiptarët ishin vazhdimësi etnike dhe gjeografike. Por, natyrisht, Lufta e Parë Ballkanike, ndër aktet e para kishte pushtimin e trojeve shqiptare, masakrat më të mëdha të realizuara në lindje, në veri, në verilindje, në jug, në të katër anët e vendit. Në këto kushte, Fuqitë  e Mëdha do të mblidhnin Konferencën e Londrës, e cila në pamje të parë vendosi parime të drejta, vendosi që kufijtë e shteteve të respektojnë shumicën dhe vazhdimësinë etnike dhe territoriale. Por tjetër u shpall në Londër, e tjetër u vendos dhe i pari që kuptoi këtë, ishte babi i pavarësisë së Shqipërisë. Ai bëri gjithçka për t’iu kundërvënë këtij projekti, që ditën shpallej i drejtë dhe natën copëtonte njëra pas tjetrës, trevat shqiptare nga trungu i Shqipërisë. Në këto rrethana, Fuqitë e Mëdha, në një akt madhor antishqiptar, e internuan atë, në Nicë. Por ky burrë vigan, çdo orë, çdo ditë, kudo që ishte, punoi me vetëmohim të madh për Shqipërinë etnike, për Shqipërinë e pavarur në të gjitha territoret, ku shqiptarët jetonin si shumicë.  

Zonja e zotërinj,

Akti i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë ishte një akt shpëtimtar për kombin shqiptar. Në rast se sot, ne jemi të lirë, kudo që jetojmë dhe ekzistojmë si të tillë, kjo është  falë këtij akti, falë këtij burri dhe bashkëpunëtorëve të tij, që në kushtet më të vështira dhe me një guxim mbinjerëzor ngritën në Vlorë, flamurin e Skënderbeut.

Shekulli ka qenë një kalvar i vërtetë për shqiptarët dhe unë në rrafsh personal do t’i them Ismail Qemal Vlorës: 27 ditë t’u deshën i gjallë, të kaloje shtatë shtete, mijëra kilometra, male, dete e rrugë për të ardhur në vendin tënd. Një shekull t’u desh ty, burrë i shquar i kombit, për të dalë në sheshet e kryeqytetit tënd. E thashë këtë se  në këtë 100 vjetor, më shumë se çdo gjë tjetër duhet të përpiqemi të lexojmë historinë tonë, të mësojmë prej saj e si njerëz të qytetëruar e të lirë të nxjerrim  mësimet e duhura. Të mos harrojmë kurrë se Ismail Qemali, se të gjithë shqiptarët që punuan e luftuan për lirinë e dinjitetin e shqiptarëve, nga Lidhja e Prizrenit e deri më sot, se ata që ranë në betejat e mëdha të ushtrive të Lidhjes së Prizrenit, në kryengritjet e mëvonshme kundër Perandorisë Otomane, në betejat çlirimtare në Luftën e Dytë Botërore, ata që ranë në luftërat e fundit çlirimtare në Europë që u zhvilluan në Kosovë e në Maqedoni, mbyllën sytë me një ëndërr të vetme, të cilën çdo shqiptar, i frymëzuar nga guximi i tyre, duhet ta lexojë me ndershmëri, me guxim e kurajë. Ajo ishte ëndrra e bashkimit të shqiptarëve. Është në detyrën tonë të jemi të vërtetë me të vdekurit tanë, por të jemi të vërtetë edhe me të gjallët tanë, të jemi të vërtetë me të rinjtë tanë, të cilët, po të lexosh në sytë e në zemrat e tyre, në guximin dhe energjinë e tyre, kanë të shkruar me germa të arta idealin e bashkimit kombëtar. Ky është ideali i paqes, i stabilitetit dhe i zhvillimit jo vetëm i shqiptarëve në rajon, por i rajonit të tërë.

Në këtë 100 vjetor, shqiptarët duhet të festojnë me zotimin  tyre solemn të bëjnë gjithçka, për të bërë realitet ëndrrën e Ismail Qemalit, ëndrrën e qindra martirëve që ranë për t’u bërë të pavdekshëm dhe të prehen në flamurin kombëtar,  ëndrrën e Adem Jasharit, ëndrrën e heronjve të Sharrit, ëndrrën e të rinjve shqiptarë.

Edhe një herë gëzuar 100 vjetorin, gëzuar burri i madh i kombit, që sot mbështetësh në gurë të marrë nga Kanina në Vlorë, në shenjë respekti e pavdekësie për ty.”


26/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›