Kryeministri Berisha fton biznesin kanadez të investojë në Shqipëri

Kryeministri Berisha pati një drekë pune me një përfaqësi të komunitetit të biznesit kanadez në rezidencën "Rideau Gate", ku është mikpritur nga qeveria kanadeze.
Sipërmarrësit kanadeze shprehën gatishmërinë e tyre për të qenë investitorë aktivë dhe pjesëmarrës në zhvillimin e Shqipërisë. Më tej, ata shprehën interesimin e tyre për fushat e investimeve në vend dhe kushtet që qeveria shqiptare u ofron atyre.
Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha për investimet e huaja dhe qeveria shqiptare po bën shumë hapa për të krijuar një klimë të favorshme për biznesin.
Ne ndihmë të kësaj klime të favorshme janë sistemi fiskal që në janar të vitit 2008 e do ta bëjë Shqipërinë vendin me taksat më të ulëta në Europë, lufta e vazhdueshme ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, prokurimet elektronike etj..
Kryeministri Berisha i njohu biznesmenët kanadezë me “One Stop Shop” në regjistrimet e biznesit, që së shpejti do të zbatohet edhe për licencat dhe lejet.
Biznesmenët kanadezë diskutuan me Kryeministrin rreth potencialeve të Shqipërisë ne sektorin e energjisë, në turizëm, në shfrytëzimin e pasurive minerale dhe të naftës, në tekstile dhe industrinë e lëkurës.
Tregu i punës në Shqipëri është një treg i ri, dinamik dhe me çmime konkurruese, ndaj komuniteti i biznesit kanadez duhet t’i kthejë sytë sa më shumë nga vendi im dhe ne do t’i mbështesim ata fort, u shpreh Kryeministri Berisha.