E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha homazhe ne ambasaden e Maqedonise

Kryeministri, Sali Berisha zhvilloi sot homazhe dhe shprehu ngushëllime në ambasadën e Maqedonisë në Tiranë, për ndarjen nga jeta të ish-presidentit, Kiro Gligorov. Kryeministri Berisha la një shënim në librin e ngushëllimeve, të çelur me këtë rast nga ambasada, ku vlerësoi kontributin ish-presidentit Gligorov në paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë, të rajonit të Ballkanit jugor, si dhe në bashkëpunimin rajonal.
Pas homazheve, kryeministri Berisha u shpreh se “erdha për t’i shprehur nderimin tim, ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së ish-presidentit Kiro Gligorov, qeverisë së Maqedonisë dhe mbarë qytetarëve të këtij vendi. Kiro Gligorov ishte shtetari që me mençurinë, guximin, urtësinë dhe vendosmërinë e tij shkëputi në rrethana shumë të vështira Republikën e Maqedonisë nga Federata Jugosllave që po shpërbëhej dhe e shkëputi atë në mënyrë paqësore”.
Më tej, kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi se “Gligorovi ishte Presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Republikën e Maqedonisë. Me politikën që ndoqi, me qëndrimet dhe maturinë e tij, ai dha një kontribut të madh në paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në Ballkanin e jugut”.
Gjithashtu, në vlerësimet për këtë figure, kryeministri Berisha shtoi se “vdekja e tij është një humbje e madhe për Maqedoninë mike dhe për të gjithë miqtë e saj në rajon e kudo në botë. Gligorov lë emrin e themeluesit të Maqedonisë së lirë, por dhe të shtetarit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›