Projektligjin Për shfuqizimin e ligjit nr. 8340/1
Edmond Spaho Atëherë fillojmë mbledhjen. Sot kemi për të shqyrtuar projektligjin Për shfuqizimin e ligjit nr. 8340/1, datë 06.05.1998, Për rregullimin e pasojave që kanë rrjedhur nga zbatimi i dekretit nr. 204, datë 05.06.1992, Për pasurinë e sindikatave.
Zonja Bitri, a mund të na shpjegoni me dy fjalë thelbin e projektligjit, synimin, pasojat, mënyrën se si është parashikuar të trajtohet? Më pas, mund tu përgjigjeni pyetjeve të deputetëve, nëse kanë.
Rezarta Bitri Falemnderit!
Atëherë, në mënyrë sintetike, projektligji nga pikëpamja rregulluese-normative është një projektligj konciz. Në fakt, nuk sjell shumë rregullime nga ana sasiore, rregullime të reja ligjore, sepse thelbi i këtij projektligji që propozohet, objekti kryesor i tij, ka të bëjë me shfuqizimin e ligjit aktual të vitit 1998, i cili ka qenë një ligj për rregullimin e disa pasojave juridike të krijuara si pasojë e mosmiratimit të dekretit të Presidentit të Republikës, të vitit 1992.
Me pak fjalë, mund të bëj një resume shumë të shkurtër historike të këtij kuadri legjislativ. Me anë të një dekreti të vitit 1992 janë miratuar një listë pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat u kalonin sindikatave, me qëllim që ato ti shfrytëzonin këto pasuri për objektin kryesor të veprimtarisë së tyre.
Mirëpo, ky dekret, i cili bazohet në ligjin kushtetues të vitit 1992 Për dispozitat kryesore kushtetuese, ka pasur një artificë ligjore, si pasojë e së cilës ishte domosdoshmëri që një dekret i tillë, pavarësisht karakterit të tij normatues-rregullues, të miratohej dhe aprovohej nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ose, në rast të kundërt, të kishte një kundër-firmim nga Kryetari i Këshillit të Ministrave, apo nga ministri përkatës.
Siç rezulton nga dokumentet vijuese, nuk ka asnjë lloj konfirmimi, asnjë miratim nga Kuvendi i Shqipërisë dhe asnjë kundër-firmim. Pra, dekreti ka qenë një akt, i cili nuk ka prodhuar asnjë efekt juridik.
Në këto kushte, në vitin 1998, në fakt me një distancë kohore prej gjashtë vjetësh, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë nxjerr një projektligj, i cili kishte si qëllim të vetëm rregullimin e pasojave që kishin ardhur nga mosmiratimi i dekretit, duke vendosur disa rregullime, në fakt, rregullime deri diku ndoshta pak të paqarta, për palët dhe subjektet e tjera. Por, në aspektin e rregullit normativ, edhe me anë të këtij projektligji këto pasuri, të cilat janë listuar në dekretin e vitit 1992, nuk kanë kaluar asnjëherë në pronësi të sindikatave dhe, për pasojë, ne ndodhemi në një situatë të tillë, ku nuk kemi asnjë akt ligjor, pra asnjë instrument rregullator, i cili të na e rregullojë këtë situatë në mënyrë të shprehur, në mënyrë që të mos kemi situata dhe konflikte të cilat të na detyrojnë tu drejtohemi rast pas rasti gjykatave shqiptare. Pra, lind e nevojshme që Qeveria shqiptare të propozojë këtë lloj projektligji, i cili në mënyrë të shprehur dhe të qartë për të gjitha subjektet dhe aktorët e interesuar shfuqizon ligjin e vitit 1998, i cili, në fakt, edhe në jurisprudencën e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, në vendimet që ato kanë marrë, vendime unifikuese, nuk ka sjell ndonjë efekt, sepse vetë dekreti ku referon ligji i vitit 1998 ka qenë një akt, i cili asnjëherë nuk ka pasur ose nuk ka prodhuar efekte juridike.
Në këtë kontekst, me shfuqizimin e këtij ligji, ne qartësojmë situatën ligjore aktuale dhe rregullojmë edhe disa pasoja të cilat lidhen me palët e treta, që janë subjekte të cilat kanë lidhur kontrata, për veprime juridike, me sindikatat. Krahas këtyre rregullimeve, në projektligj është përcaktuar edhe një strukturë shtetërore, e cila fillimisht është menduar të ishte një strukturë krejtësisht e re, e cila do të inventarizonte të gjitha këto prona të cilat janë prona të paluajtshme të shtetit.
Mirëpo, për shkak të efekteve financiare, kostove të tepërta për Buxhetin e Shtetit është gjykuar dhe është menduar që këto detyra, këto atribute dhe përgjegjësi ti kalohen Agjencisë së Privatizimit të Pronave, e cila është një strukturë që funksionon për zbatimin e ligjit Për pronat e paluajtshme të shtetit dhe, si e tillë, do të ketë si atribute shtesë kryesore edhe inventarizimin e këtyre lloj pronave.
Gjithashtu, në tekstin ligjor që ju prezantohet ka edhe një dispozitë të fundit, e cila është dispozita tipike nënligjore, që për çështje të tjera dytësore, më të detajuara, ia kalon kompentecën ekzekutivit, për të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të ligjit. Kjo ishte ana legjislative, ana normuese-rregullatore.
Ndërsa, një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm, i cili ka qenë edhe si stimul legjislativ për hartimin e këtij projektligji, është edhe situata reale me këto prona, pasuri të paluajtshme të shtetit. Nga verifikimet që janë bërë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe nga informacioni që disponohet nga Ministria e Drejtësisë, pjesa më e madhe e këtyre pasurive janë shtëpi pushimi, shtëpi kulture, të cilat kanë pasur si atribut ose kanë qenë në funksion të objektit kryesor të veprimtarive sindikaliste, por si të tilla, duke qenë se pjesa më e madhe e këtyre ndërtesave ka këtë lloj qëllimi, për aktivitet që zhvillohen në to, në bazë të legjislacionit Për pronat e paluajtshme të shtetit ato klasifikohen si prona të paluajtshme publike, që do të thotë se tjetërsimi i tyre është i ndaluar, përveçse me ligj.
Dhe, duke qenë se ne kemi konstatuar se mbi këto pasuri janë kryer veprime juridike, shitjeje sidomos, që kanë për qëllim tjetërsimin e pasurive shtetërore, atëherë kjo situatë është një situatë emergjente, e cila duhet të marrë fund këtu. Dhe këto pasuri, të cilat janë pasuri me një interes publik, të kthehen në funksion të këtij interesi.
Kjo ishte pak a shumë... (Ndërhyn Sherefedin Shehu.)
Bëhet fjalë për pasuritë që ne kemi verifikuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Një pjesë e konsiderueshme e ndërtesave që kanë nën administrim sindikatat janë shtëpi pushimi, shtëpi kulture, të cilat në bazë të legjislacionit në fuqi Për pasuritë e paluajtshme të shtetit konsiderohen pasuri të paluajtshme publike. Që do të thotë se ka një klauzolë ligjore, sipas së cilës këto pasuri nuk mund të tjetërsohen përveçse me ligj.
Edmond Spaho E qartë. Doja të sqaroja vetëm natyrën e objektit, sepse në projektligj ka një pikë ku flitet edhe për objektet e kulturës së ish-ndërmarrjeve bujqësore. Dhe, nuk e kam të qartë se si lidhen këto me sindikatat. Pasi mendoj se jo në çdo rast