E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha në Porto Palermo: Qeveria disponon fonde për një infrastrukturë moderne të gjithë bregut të Shqipërisë

Në përfundim të vizitës së tij në zonën e bregut, ku ka inaguruar fillimin e punimeve të një sërë investimesh në fshatrat e jugut Kryeministri Berisha, u ndal në Porto Palermo, ku u takua dhe me banorët e kësaj zone.

Pas inspektimit të punimeve në rrugën e bregut, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria disponon të gjitha fondet për realizmin e çdo projekti që nevojitet për të ndërtuar një infrastrukturë moderne përgjatë këtij bregu, nga Orikumi deri tek Kepi i Stillos.
 
Ndër të tjera Kryeministri Berisha u shpreh:
 
“Së pari, dua të përshëndes të gjithë banorët e Bregut.
Sot erdha për të inspektuar punimet e rrugës së bregut, e cila përbën një nga rrugët absolutisht më të rëndësishme për mbarë vendin. Ndërkohë, inagurova një sërë projektesh në fshatra dhe realisht bregun do ta ndryshojmë me shpejtësi. Qeveria disponon të gjitha fondet për realizmin e çdo projekti që nevojitet për të ndërtuar një infrastrukturë moderne evropiane, nga Orikumi tek Kepi i Stillos. Ky vit ka pasur prurjen më të madhe të turistëve se ndonjëherë më parë në historinë e vendit. Ju garantoj se përfundimi i kësaj rruge dhe i projekteve të tjera do ta shumëfishojë numrin e turistëve në bregun e detit Jon dhe në Shqipëri.

Sot isha në Borsh, inauguruam një rrugë dhe diskutuam për projekte të tjera, por vetëm Borshi, sikurse më informuan bashkëbiseduesit e mi, ka kapacitete edhe për 30 mijë turistë. Ne do të përfundojmë rrugën në prillin e vitit të ardhshëm. Ndërkohë, dua të përgëzoj kompanitë për punën e bërë deri më sot, sepse siç e shihni, këto janë ritmet më të shpejta të punimeve në krahasim me të gjithë ndërtimet që janë bërë në Shqipëri.
Unë nuk jam ekspert, por cilësia duket e mirë dhe natyrisht që duhet bërë më e mira në cilësi dhe me e shpejta e mundshme në afate. E tërë trajektorja do të përfundojë në prillin e ardhshëm, por duke patur parasysh stinën kompanitë mund të avancojnë në përfundimin e punimeve duke i përfunduar në shkurtin që vjen. Ne do t’u jemi shumë mirënjohës për përfundimin e punimeve para afatit. Prandaj kompanitë të punojnë me tre turne dhe t’ia bëjnë këtë dhuratë bregut dhe  tërë Shqipërisë, sepse këtu ne përfaqësohemi dhe duhet të përfaqësohemi me një fytyrë të vërtetë evropiane, me një infrastrukturë të nivelit të zhvilluar të një vendi të qytetëruar.
Unë dua t’ju informoj se qeveria është e përqendruar më shumë tek rrugët, sepse këtë trashëgimi gjetëm.

Trashëguam rrugë që dënojnë njerëzit, rrugë që pengojnë zhvillimin, rrugë që janë jashtë të gjitha standardeve, por e rëndësishme është që ne do t’i ndërtojmë, dhe jemi duke i ndërtuar. Sot janë rreth 800 kilometra rrugë kombëtare, autostrada dhe superstrada. Në këtë vit investohen rreth 1.2 miliardë dollarë në rrugë dhe unë ju siguroj se me këto ritme, pas 3-4 vitesh, Shqipëria do të ketë rrjetin rrugor më të ri dhe ndër më të mirët që meriton. Masterplani i ri për bregun e Jonit është bërë dhe është një masterplan jashtëzakonisht i studiuar, i cili me kritere të sakta të standardeve më të mira u përcakton autoreve vendore dhe ju komuniteteve, të drejtën e hartimit të planeve të zhvillimit të fshatrave, të bashkisë dhe zonave tuaja.

U bëj thirrje që me përkushtimin më të madh të zgjidhni studiot më të mira, sepse keni një shans historik për të ndërtuar perla të vërteta, për të bërë ndërtimet më të mira dhe për ta bërë të famshëm këtë breg në të gjithë botën sepse disa tipare i ka të pashoqe. Planet turistike po i bëjmë, infrastrukturën po e ndërtojmë dhe ju siguroj se do të jetë një nga brigjet më të preferuara të tokës për vizitorët. Ju mikpritjen e keni tradicionale. Jeni njerëz të zot, punëtorë, njerëz të sakrificës, dhe unë jam i bindur që do t’ia dilni ta bëni bregun një nga vendet më të zhvilluara të Mesdheut dhe me gjerë”.
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›