Kryeministri Berisha inauguron segmentin rrugor Ruzhdie- Margelliç, në qarkun e Fierit
Rruga me gjatësi 3.7 km dhe gjerësi 5 metra, dikur një pengesë serioze për transportin normal të njerëzve dhe mallrave, është shndërruar tashmë, në një infrastrukturë moderne e bashkëkohore, nga e cila përfitojnë 5 mijë banorë dhe 6 fshatra.
Kjo zonë e mirënjohur për prodhimet bujqësore, ullishtat, vreshtarinë, blegtorinë, si dhe prodhimin e vajit të ullirit, do të përfitojë nga rruga e re, lehtësi të mëdha për transportin e këtyre prodhimeve drejt tregjeve të të Patosit, Fierit dhe Lushnjës.
Në komunën e Ruzhdies janë ndërtuar deri tani mbi 10 km rrugë, po ndërtohet shkolla 9 vjecare dhe se shpejti fillon ndërtimi i ujësjellësit te tre fshatrave, Ruzhdie, Siqet e Gjinoqar.
Ndërsa në qarkun e Fierit gjatë viteve të fundit janë investuar mbi 620 milionë euro në ndërtimin e 75 ujësjellësave e kanalizimeve, 91 shkollave dhe 64 qendrave shëndetësore.
Përsa i përket infrastrukturës rrugore janë ndërtuar mbi 500 km rrugë kombëtare dhe rurale me një vlerë prej 280 milion euro. Nga këto 220 milion euro janë investuar në ndërtimin e 235 km autostrada e rrugë kombëtare ndërsa 28 milion euro janë investuar në mbi 195 km rrugë rurale. Se shpejti fillon ndertimi i By-pass-it te Fierit 21 km me vlere 38milion euro.
Në sistemin e Energjisë Elektrike dhe Hidrokarbureve janë investuar 284 milion euro, ndërsa në bujqësi janë investuar 7.5 milion euro. Janë mbjelle sipërfaqe 1390 ha: nw te cilat 1200 ha me ullinj ose 350 000 rrenje ullinj ) dhe me dru frutor 240 ha ( peme frutore e vreshta). Janë subvencionuar 4400 krerë bagëti dhe kane përfituar 2350 fermerë ne te gjitha skemat subvencionuese. Gjithashtu janë realizuar 3.5 milion euro investime ne kanale vaditëse e kulluese.
Kryeministri Berisha përshëndeti banorët e mbledhur me këtë rast dhe shprehu për ta vlerësimin dhe mirënjohjen më të thellë për shpirtin e tyre punëtor, përkushtimin ndaj vlerave të demokracisë, si dhe për vendosmërinë për të ndryshuar Ruzhdien, fshatrat dhe zonat përreth cdo vit e më shumë.
Kryeministri iu premtoi banorëve se qeveria do të financojë çdo projekt, në katër katër anët e komunës së tyre, për ta bërë atë me rrugë, kanalizime, ujësjellësa, shkolla, qendra shëndetësore, njëlloj si çdo lagje e qyteteve të vendit.
Në fjalën drejtuar banorëve, kryeministri Berisha u shpreh:
“Më lejoni në radhë të parë tu jap ju, përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen më të thellë, vlerësimin më të madh për ju, banorët e Ruzhdies, shpirtin tuaj punëtor, përkushtimin tuaj ndaj vlerave të demokracisë, vendosmërinë tuaj për të ndryshuar Ruzhdien, fshatrat, zonat tuaja, çdo vit më shumë, çdo vit e më mirë. Por unë jam sot këtu për tu zotuar para jush dhe për ti dhënë fjalën këtij burrit që kam karshi, kryetarit tuaj, se qeveria do të financojë çdo projekt, në katër katër anët e komunës suaj, për ta bërë komunën tuaj me rrugë, kanalizime, ujësjellësa, shkolla, qendra shëndetësore, njëlloj si çdo lagje e qyteteve tona.
Vëllezër e motra,
Gjatë këtyre viteve ne kemi investuar në Ruzhdie rreth 10 km rrugë, jemi të vendosur që gjatë tre viteve që vijnë të asfaltojmë çdo kilometër rrugë në këtë komunë. Rruga që sapo inauguruam është një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, nga buxheti i qeverisë dhe donatorët, prej 120 milion lekë. Po rindërtojmë shkollën 9 vjeçare, ujësjellësa dhe sisteme kanalizimesh. Së shpejti do të fillojmë të investojmë në ujitjen e pemëtoreve, e tokave tuaja në të gjithë komunën. Qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për suksesin e fermave tuaja.
Vëllezër e motra,
Në këto vite ne kemi investuar në rrugë sepse pa rrugë nuk ka treg, sepse pa rrugë nuk ka kujdes shëndetësor, sepse pa rrugë nuk ka sistem arsimor që duhet, pa rrugë nuk ka zhvillim. Jam këtu për tu dhënë fjalën se 4 vjeçari që vjen, do të jetë 4 vjeçari i sistemit më modern të vaditjes që ekziston në ndonjë vend. Ne besojmë se potenciali i bujqësisë sonë është i jashtëzakonshëm. Ne besojmë, se në rast se gjatë këtyre viteve është arritur që eksportet e saj të rriten nga 66 milion dollarë që ishin në vitin 2005, në 154 milion dollarë në vitin 2012, bindja jonë e thellë është se eksporti mund dhe duhet të dhjetëfishohet por kjo kërkon vaditje, kërkon teknologji, kërkon që në çdo parcelë të përdoren teknologjitë më të avancuara. Nesër qeveria vendos për të hequr Tvsh-ne nga të gjitha importet dhe të gjithçka tjetër që ju blini edhe në tregun shqiptar për të rritur prodhimin bujqësor.
Ne do të bëjmë gjithçka që ju të mbillni fidanët më të mira, do të bëjmë gjithçka që ju të mbarështoni rracat më të mira të gjedhëve dhe bagëtive të tjera, do të bëjmë gjithçka që ju të keni linjat më moderne të përpunimit, do të bëjmë gjithçka për marketingun e prodhimeve tuaja.
Në rrethin e Fierit gjatë këtyre viteve ne kemi investuar 620 milion euro, në të cilat janë punësuar mijëra e mijëra qytetarë të Fierit. Kemi ndërtuar 560 km rrugë nga të cilat autostrada dhje rrugë kombëtare 235 km, rrugë rurale 195 km, rrugë nga FSHZH 130 km. Së shpejti fillon dhe ndërtimi i by-pass të Fierit, me 21 km, prej 38 milion euro. Janë në ndërtim dhe rrugët: Roskovec – Kurjan; Kthesa e Patosit – Roskovec;Fiershegan – Kozare; Hysgjokaj – Vashaj; Lushnje – Hysgjokaj.
Ne, në një hark të shkurtër kohor, do të kemi asfaltuar çdo rrugë në këtë qark, me një potencial të jashtëzakonshëm bujqësor dhe industrial.
Vëllezër e motra,
Në këtë hark kohor të shkurtër ne kemi ndërtuar 75 ujësjellesë dhe kanalizme, ndërtuam dhe rindërtuam 91 shkolla dhe 61 qindra shëndetsore. Ne do të bëjmë gjithçka që ju të keni infrastrukturën më modern. Tek lexoja një mbrëmje në Facebook-un tim një mesazh nga miqtë e mi , njëri prej tyre më thoshte se “Zoti kryeministër, këto janë bërë me paratë e popullit.” “Po I dashur-I thashë unë, duke filluar nga rroga ime dhe cdo gje tjetër është para dhe djersë e popullit.- Po vetëm një gjë , në qoftë se para viti 2005 raporti i BB thoshte se 1.4 miliard para në vit përfundonin në xhepat e zyrtarëve dhe kontrabandistëve, gjatë këtyre 7 viteve , nga këto para të popullit ne kemi mbledhur jo një, dy apo tre miliard, por kemi mbledhur 9,2 miliard dollar më shumë, me të cilat ne ndërtuam mbi 10 mijë km rrugë dhe vetëm në qarkun e Fierit kemi shtruar 560 km, me te cilat ne ndërtuam dhe rindërtuam 1300 shkolla, me të cilat ne ndërtuam dhe rindërtuam qindra sisteme kanalizimesh, ujësjellësa, vaditje, kullimi, me te cilat ne rritëm120-150 % rrogat e mësuesve tanë , ne dyfishuam pensionet në fshatrat tona. Pra, i dashur miku im, populli aty ishte, paratë aty ishin, por rrugët nuk ndërtoheshin, ujësjellësat nuk ndërtoheshin, shkollat rrënoheshin, pensionet nuk rriteshin, por ku shkonin ato? Ndaj dhe jam këtu për tu zotuar para jush për të bërë gjithçka që taksat tuaja ti shndërrojmë në rrugë, në ujë, në kanalizime, në vaditje, në fidanishte në pemëtore, në mirëqënie për ju.
Miqtë e mi, këto vite ne kemi ndërtuar në fshat dhe në Shqipërinë rurale pothuaj 70 % të të gjitha investimeve, kemi investuar së paku mbi 3 miliard dollarë, vetëm grantet dhe subvencione kanë përfituar nga 2007 e deri më sot 42 mijë familje fermerësh shqiptarë dhe do tu them një gjë miqtë e mi, nga ky celulari im që marr çdo ditë me qindra ankesa dhe kërkesa, ju them me ndershmërinë më të madhe se nuk kam patur nga 2007 e deri më sot më shumë se 4-5 ankesa për padrejtësi në ndarjen e këtyre granteve. Dhe kjo tregon objektivitetin dhe ndershmërinë e atyre që bëjnë ndarjen e këtyre fondeve. U ndala këtu për tu thënë ju dhe mbarë fermerëve shqiptarë se ne nuk kemi arritur të realizojmë atë që do të donit ne dhe ju, por në këto vite ne së bashku me ju kemi bërë më shumë ase kurrë për Shqipërinë e fermerëve, për Shqipërinë rurale, për fshatin shqiptar.
Në një kohë kur të tjerët silleshin nëpër televizorë se “Berisha fiton me votat e eskimezëve , unë shprehja krenarinë për ju, krenarinë për cdo votues shqiptar. Ata të cilët konsideronin fshatarët shqiptarë eskimezë, ata s’kanë asgjë shqiptare në gjakun e tyre, sepse ata vlerësimin për ju e kanë në varësi nga besimi apo mosbesimi që shprehni. Ndërsa ne vlerësimin për ju e kemi nga djersa e ballit tuaj, puna e shkëlqyer që bëni, atdhetarizmi juaj, familjet tuaja, mbrothësimi që ju i bëni atyre me punën dhe djersën tuaj.
Të dashur miq, po shkojmë drejt zgjedhjeve. Duhet të bëjmë gjithçka për të bindur çdo banor të kësaj komune, çdo fermer, çdo qytetar, që së bashku të ecim përpara. Ne jemi ndryshimi, rruga që ndërtuam ëhstë ndryshimi, shkolla që po ndërtojmë është ndryshimi, pemëtoret e reja janë ndryshimi, kanalet vaditëse janë ndryshimi, pensionet që kemi dyfishuar janë ndryshimi, Shqipëria në NATO është ndryshimi, lëvizja e lirë në Evropë është ndryshimi, por ne votat i kërkojmë të kapim të ardhmen e re që na pret përpara, votat i kërkojmë që 4 vitet që vijnë të harrojmë sukseset që kemi patur 4 vitet që shkuan, të ecim drejt një mëkëmbje, begatisë, drejt zhvillimit, Shqipërisë evropiane, Shqipërisë, vend i zhvilluar. Ne shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve të përkushtuar për votën e lirë, shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve me projektin më të shkëlqyer që Shqipëri ka njohur në tërë historinë e saj.
Ju e keni dëgjuar atë shokun se çdo ditë bën atë “ëh” që bënte ai tek Knjazi i Malit të Zi. E dini ju atë historinë,-ma vodhën programin thotë,- është bërë qesharak. Po në fund të fundit ai të thotë ç’të dojë, ne do të hartojmë një program të shkëlqyer dhe me një vendosmëri të madhe , ta bëjmë atë realitet në interesin më të mirë të secilit prej nesh, të secilit prej jush, të banorëve të Ruzhdies, të Fierit dhe të mbarë Shqipërisë.
Edhe njëherë, përshëndetjet më vëllazërore!
05/03/2013