Kryeministri përuron ujësjellësin e ri të Fushë-Krujës
Sot paradite, Kryeministri Berisha vizitoi Fushë-Krujën, gjatë së cilës përuroi dy objekte të rëndësishme infrastrukturore për këtë qytet.
• Kryeministri, i shoqëruar nga Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe drejtues të pushtetit vendor, përuroi ujësjellësin e ri të Fushë-Krujës, investim i qeverisë shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim. Projekti realizoi ndërhyrjet në infrastrukturën ujore të zonës së Fushë-Krujës. Me përfundimin e këtij investimi përmirësohet në mënyrë të ndjeshme sasia dhe cilësia e shërbimit të furnizimit me uje dhe largimi i ujërave të përdorura në këtë zonë. Ky projekt përfshin bashkinë Fushë-Krujë, si dhe tre fshatra të saj, duke sjelle dukshëm shtimin e sasisë ujore në këtë zonë me popullsi rreth 32 000 banorë.
Duke përshendetur banorët e Fushë-Krujës, Kryeministri, ndër të tjera, theksoi:
"Ju përshëndes me shumë përzemërsi dhe shpreh nderin e madh që, sot, ndaj me ju, qytetarët e Fushë-Krujës gëzimin e inagurimit të ujësjellësit të ri, i cili e shndërron Fushë- Krujën në një nga 3-4 qytetet e vetme të Shqipërisë me ujë 24 orë.
Me këtë rast, dëshiroj të përgëzoj me shumë mirënjohje financuesit e këtij projekti, Bankën Islamike, të falendeoj me mirënjohje bashkinë e Fushë-Krujës dhe kompaninë që realizoi me kompetencë këtë projekt, i cili, sëbashku me investimin për fshatrat përrreth, ka vlerën e mbi 6 milion euro-ve dhe sistemon dhjetra kilometra tubacione për shpërndarjen e ujit dhe sistemin e kanalizimeve. Me këtë projekt është bërë një hap madhor në drejtim të infrastrukturës moderne të këtij qyteti, që, me të gjitha atributet e tij, është pjesë thelbësore e metropolit të vendit.
Ju keni fatin e merituar të jeni nga më të paktat qytete që do furnizoheni me ujë në 24 orë. Për mua dhe për të gjithë ata që drejtojnë është e dhimbshme kur sheh se në këtë vend të bekuar nga Zoti me ujë, më shumë se çdo vend tjetër i Ballkanit, 95 për qind e qytetarëve të tij nuk marrin ujin që meritojnë. Dhe jo se mungon uji, por sepse për vite e vite taksat tuaja, mundi dhe djersa juaj, ajo që ju paguani në çdo kafshatë nuk u shndërrua në ujësjellësa, kanalizme dhe rrugë, por, në të kundërt, në pasuri kriminale të qeveritarëve dhe zyrtarëve. Ky është shkaku i vërtetë, që, sot, Shqipëria është vendi i etjes së madhe të pamerituar.
Në emrin tuaj, dëshiroj t'u jap fjalën qytetarëve shqiptarë se qeveria që unë drejtoj do të përdorë me eficencë, ndershmëri dhe trasparencë të plotë taksat e qytetarëve, do të rrisë me shpejtësi furnizimin me ujë të qyteteve dhe komunave të vendit. Rrugët ujësjellësat, kanalizmet, shkollat, spitalet, shërbimet më themelore për ju janë projekti ynë kryesor.
Edhe një herë ju përshëndes përzemërsisht. Ju jap fjalën se ne do të ndryshojmë me shpejtësi infrastrukturën në shërbim të qytetarëve të Fushë-Krujës dhe të qytetarëve të mbarë Shqipërisë".
• Më pas, Kryeministri përuroi punimet në segmentin e rrugës nacionale Fushë-Krujë-Krujë. Investimi, me vlerë 58,615,659 lekë, financohet nga buxheti i shtetit. Rikonstruksioni i këtij segmenti do të përmirësojë ndjeshëm transportin rrugor mes këtyre dy qyteteve, duke lehtësuar edhe lidhjen e qytetit të Krujes me pjesën tjetër të infrastruktures rrugore të vendit.
Kryeministri Berisha e vlerësoi rrugën shumë të rëndësishme, që lidh mbarë kombin me zemrën e tij historike, Krujën. Në kuadër të përqendrimit të qeverisë në infrastrukturë, Kryeministri vlerësoi se ky 4 vjeçar, mbi të gjitha, do të quhet 4 vjeçari i rrugëve. Rikonstruksioneve të thella, theksoi Kryeministri, do t'i nënshtrohen edhe akse të tjera kombëtare si Milot-Peshkopi, Lushnje-Berat, Fushë Arrës-Kukës. Në këtë proces, Kryeministri vlerësoi si jashtëzakonisht të rëndësishme respektimin e standarteve të punimeve.
"Shoh një ndryshim cilësor. Kanë qenë mbresëlënëse puna e shkëlqyer e bërë në rrugën Orikum-Vlorë, puna cilësore e bërë me ujësjellësin dhe kanalizmet në Fushë-Krujë. Kam besim se kompanitë shqiptare po fitojnë dhe disponojnë të gjitha aftësitë për të përmbushur standartet. Ne nuk kemi patur një traditë në ndërtimin e rrugëve. Ajo që më ka bërë gjithmonë përshtypje ka qenë mungesa e kësaj tradite, sepse diktatura zhvilloi një koncept antirrugë. Por tashmë po krijohet kjo traditë dhe ministria përpunoi standartet e reja të ndërtimit, të cilat do të ndiqen me rigorozitet", u shpreh Kryeministri.
Krahas përmirësimit të infrastrukturës, Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e rritjes së sipërfaqeve të gjelbërta dhe veshjes me drurë dekorativë të rrugëve të reja.
"Dje, në Shkodër, deklarova nismën e re "Asfaltim, gjelbërim", pasi janë mijëra kilometra rrugë me baltë në qytetet tona. Ne do të bëjmë çdo përpjekje që qytetet të asfaltohen dhe gjelbërohen. Do të përcaktojmë një mekanizëm ku do të rrisim shumë grantin konkurues dhe do ta përfitojnë me përparësi bashkitë e komunat që do t'i bashkëngjisin të ardhurat e tyre këtij programi, si bashkëfinancim: një kilometër rrugë nga qeveria dhe një nga bashkia. Por kusht absolut do të jetë gjelbërimi. Duhet të mbjellim sa më shumë pemë e drurë në qytetet tona. Shikoni sidomos Tiranën, të cilën e shkatërroi betoni. Qyteti shëmbëllen me Phenian-in e Koresë, sipas disa artikujve më seriozë të shtypit evropian dhe botëror. Rrugë të gjërë dhe aspak gjelbërim. Gjelbërimi është gjallesa e njerëzimit. Gjelbërimi e njerëzon dhe fisnikëron më shumë rrugën, rrugicën, lagjen. Ne do t'ia kthejmë atë qytetarëve", u shpreh Kryeministri.