Oketa: Qeveria ka sensibilitet maksimal për përmirësimin e administrimit të territorit

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa mori pjesë sot në tryezën e organizuar nga Universiteti Polis, Platforma IDR dhe Instituti për Zhvillimin e Habitatit, Co-Plan për çështjet e zhvillimit të arkitekturës dhe territorit.
Në fjalën e tij Zëvendëskryeministri Oketa e vuri theksin në zhvillimet urbanistike kaotike gjatë periudhës së tranzicionit, zhvillime që në disa raste kanë dëmtuar edhe trashëgiminë kulturore.
“Mjafton të dalësh në rrugët e Tiranës, dhe t`i hedhësh një sy studimit kaotik që fatkeqësisht ka prekur pjesën më të madhe të qyteteve të pjesës qëndrore të vendit. Mjafton të ngjitesh në Malin e Dajtit dhe të shohësh se është e vështirë të përdorësh fjalën kryeqytet për Tiranën”, u shpreh Zëvendëskryeministri Oketa.
Më tej Zëvendëskryeministri Oketa u ndal në gatishmërinë dhe vendosmërinë e qeverisë për përmirësimin e sistemit të administrimit të territorit.
“Është rasti të përmendim faktin që ka një sensibilitet maksimal të qeverisë për përmirësimin e sistemit të administrimit të territorit dhe është një detyrim moral që të kontribuojmë ndershmërisht dhe sinqerisht në përpjekjet për ta nxjerrë sistemin ekzistues të administrimit të territorit nga status quo-ja ku është aktualisht”, tha Zëvendëskryeministri.
Në këtë tryezë merrnin pjesë përfaqësues të njohur të fushës së arkitekturës dhe urbanistikës dhe pedagogë të arkitekturës të Universitetit Polis.
Më poshtë vijon fjala e plotë e Zëvendëskryeministrit Gazmend Oketa në konferencën mbi çështje të Zhvillimit dhe Arkitekturës dhe Territorit
Ndiej kënaqësi të përshëndes këtë tryezë të nderuar dhe të rëndësishme për tematikën që ajo do të trajtojë sot lidhur me identitetin kombëtar e parë në kuadrin e studimeve hapësinore të arkitekturës dhe trashëgimisë kulturore. Hapësira, studimi i territorit trashëgimia kulturore për një kohë të gjatë fatkeqësisht janë lënë pa vëmendjen e duhur nga vendimmarrja dhe fatkeqësisht janë konsideruar larg temave të politikës së ditës.
Për këtë arsye vendi ynë ka vuajtur dhe po vuan disa nga pasojat e kësaj mungese vëmendje. Kriza e territorit në zhvillimet e saj dinamike deri në kufijtë e kaotikes me dëmtimin dhe degradimin e vlerave dhe aseteve tona jetike për zhvillimin e ekonomisë tonë, dyzimi i vlerave tona më të mira të trashëgimisë kulturore dhe monumentale ka lënë gjurmë ndonjëherë të pakthyeshme në historinë e qyteteve tona.
Mjafton të dalësh në rrugët e Tiranës, mjafton t`i hedhësh një sy studimit kaotik që fatkeqësisht ka prekur pjesën më të madhe të qyteteve të pjesës qendrore, mjafton të shohësh kryeqytetin, mjafton të ngjitesh në Malin e Dajtit dhe të shohësh se është e vështirë të përdorësh fjalën kryeqytet për Tiranën.
Pak ditë më parë isha i ftuar nga shoqata “Tirana”, skenografia në këtë aktivitet kishte paraqitur disa fotografi të vjetra të Tiranës, të cilat fatkeqësisht nëse sot dalim në Tiranë është vështirë të gjendet një element të asaj trashëgimie kulturore të cilën gjithë së bashku duhet ta kishim ruajtur. Mjafton të shohim rrezikun që po i kanoset bregdetit përmes zhvillimeve informale kaotike dhe agresive. Mjafton të shohim neglizhimin që tranzicioni u rezervoi qyteteve tona historike monumentale për të rikujtuar rëndësinë e temës që diskutojmë. Theksoj rikujtuar pasi jam i bindur se të gjithë së bashku ne e kuptojmë rëndësinë e kësaj teme.
Kjo është një temë që është diskutuar për vite me radhë, por shpresoj që ky debat të shërbejë si fillimi i një zgjidhje përfundimtare të këtij problemi. Qytetet si Durrësi, Berati, Gjirokastra apo Shkodra tranzicioni u rezervoi një realitet jo perspektiv, çatitë në shembje në qytetin e Gjirokastrës apo monumentet e dëmtuara apo ato që janë nën kërcënim në qytetin e Durrësit janë një plagë e qyteteve tona që vuajnë mungesën e një perspektive bashkëkohore zhvillimi.
Në këtë fund tranzicioni shoqëria jonë po ndërgjegjësohet se këto tema janë në fakt jo-periferike për zhvillimin dhe integrimin e vendit tonë, parë sidomos në dritën e perspektivës integruese vlerat me të cilat ne pretendojmë të njihemi dhe të integrohemi në familjen europiane janë subjekt debati i shoqërisë sonë.
Cilat do të jenë vlerat që shoqëria jonë trashëgon, ruan, administron dhe zhvillon me të cilat do të prezantohet në familjen europiane. Nëse ndjekim këtë ritëm frenetik dhe kaotik që ka karakterizuar këtë tranzicion të gjatë shqiptar.
Para pak kohësh kam ndjekur me interes të madh një debat midis dy intelektualëve të njohur të kombit tonë zotit Kadare dhe zotit Qose, mbi vlerat me të cilat shoqëria jonë duhet të integrohet në familjen europiane. Fatmirësisht në këtë debat u përfshinë edhe një sërë figurash të njohura të opinionit publik, duke kontribuar në adresimin e disa dilemave dhe diskutimeve esenciale për shoqërinë tonë.
E përmenda këtë debat që shoqëria jonë të përballojë me seriozitet dhe vendosmëri dhe temën që ne po diskutojmë sot në këtë tryezë. Një nga dimensionet e këtij debati është debati mbi vlerat arkitektonike dhe ato të trashëgimisë kulturore ashtu sikurse mund të jetë debati mbi territorin në Shqipëri. A do të jetë e aftë shoqëria jonë të balancojë interesat e studimit me domosdoshmërinë e ruajtjes së vlerave historike. A do mundet shoqëria jonë të kontrollojë dinamiket studimore në funksion të mos-kompromemntimit të vlerave me të cilat vendi ynë identifikohet. Pra, ka ardhur koha për një shkollë alternative mendimi që të konsiderojë interesat perspektive studimore dhe integruese për të respektuar dhe evidentuar vlerat më të mira trashëgimore. Një debat i tillë kërkon një modelim të kujdesshmen profesional, por edhe pjesëmarrje gjithëpërfshirëse njëkohësisht. Për këtë arsye e vlerësoj këtë moment si një platformë serioze të përballimit të këtij debati.
Për një kohë të gjatë studimi i territorit ka qenë subjekt i një mentaliteti që nuk konsideronte balancimin mes interesave private dhe atyre publike. Kalimi i rrufeshëm i vendit nga një mentalitet që ndrydhte çdo mundësi reflektimi i mbi interesat private në një realitet tjetër ku interesi publik dhe shpesh edhe interesi kombëtar gjendeshin nën presionin e interesit private, ka qenë fatkeqësisht shprehja më e qartë e dështimit të politikave të studimit të territorit, e dështimit të një sistemi që nuk arriti të balancojë këto kahe interesash, shprehja e qartë e mbylljes të një epoke konservatore e tradicionale mbi territorin.
Nëse mund të bëj një krahasim do ta krahasoja situatën me një lavjerrës që qëndronte në ekstrem duke vendosur interesin mbi të gjitha interesat private. Në tranzicionin shqiptar ky lavjerrës u ndryshua duke marrë përpara gjithçka dhe duke shkaktuar dëme duke kaluar në ekstremin tjetër. Ajo që mendoj unë se ne duhet të bëjmë është të kontrollojmë energjitë e këtij lavjerrësi jo ta ndalojmë, por të balancojmë interesat publike dhe ato private, asnjëri prej tyre të mos dominojë natyrisht duke pasur si prioritare interesat publike dhe interesat kombëtare.
Ka ardhur koha për ristrukturimin e studimit të territorit, ka ardhur koha për mbylljen përfundimtare të kapitullit të tranzicionit ashtu siç kanë bërë sektorë të tjerë. Ka ardhur koha për krijimin e një sistemi që nuk është aty thjeshtë për të reaguar dhe rendur pas një tjetre praktike, por është aty për të udhëhequr zhvillimin për t`i paraprirë atij për të koordinuar interesat afatgjata dhe afatshkurtra publike e kombëtare dhe ato private.
Natyrisht kjo nuk është një sipërmarrje e lehtë, kjo është një sipërmarrje që kërkon përfshirjen e vlerave më të mira intelektuale, profesionale e shoqërore për të përballuar me dinjitet debatin mbi krijimin e një sistemi vlerash në mënyrë që të integrohemi më denjësisht në familjen europiane.
Është rasti të përmendim faktin që ka një sensibilitet maksimal të qeverisë për përmirësimin e sistemit të administrimit të territorit dhe është një detyrim moral që të kontribuojmë ndershmërisht dhe sinqerisht në përpjekjet për ta nxjerrë sistemin ekzistues të administrimit të territorit nga status quo-ja ku është aktualisht. Do të përfitoja nga rasti të ftoja të gjithë autoritetet e fushës që të kontribuojnë me seriozitet dhe me përkushtimin e duhur për krijimin e kuadrit ligjor në mënyrë që të krijojmë një sistem të drejtë të qëndrueshëm bashkëkohor të zhvillimit dhe administrimit të territorit. Jam i sigurt se vetëm duke bashkuar energjitë pozitive, duke parë përpara dhe duke respektuar vlerat ekzistuese do të mundim që nesër të krenohemi me identitetin tonë kombëtar me Shqipërinë hapësirat dhe territorin e saj.