Kryeministri Berisha mbërrin në Vlorë, mes pritjes së jashtëzakonshme që i rezervuan qytetarët
Kryeministri Berisha mbërriti në mbrëmje në Vlorë, për të festuar me qytetarët shpalljen një shekull më parë të pavarësisë. Kryeministri përjetoi me emocion të veçantë pritjen e jashtëzakonshme që iu rezervua nga qytetarët, të cilët e shoqëruan në një pjesë të rrugës nga Levani deri në hyrje të qytetit.
Mes entuziazmit të qytetarëve, Kryeministri Berisha drejtoi një dedikim të veçantë: “Mirëmbrëma Vlora! Mirëmbrëma mbarë Shqipëria e shqiptarët kudo ku jeni! Përshëndetjet më vëllazërore nga Vlora e flamurit, Vlora e Ismail Qemal Vlorës, Vlora e pavarësisë. Mirënjohjen më të thellë për këtë pritje vëllazërore. Do të lexoj këtu, para jush, këto pak fjalë që shkrova në këtë pergamenë:
Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 nëntor të viti 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë, qytetarëve të Vlorës e të mbarë Shqipërisë! Gëzuar 100 vjetorin!"
Ky dedikim i Kryeministrit Berisha, i shkruar në pergamenë, do të vendoset e ruhet në Muzeun e Pavarësisë në Vlorë.
27/11/2012