E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha përshëndet çeljen e panairit Klik Ekspo Group në Tiranë

-        Kryeministri Berisha fton investitorët e huaj të konsiderojnë në mënyrën më serioze praninë e tyre me investime në Shqipëri

Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në çeljen e panairit Klip Ekspo Group, në Tiranë. Ky panair, i cili do të qëndrojë i hapur deri në datën 30 nëntor, ka sjellë në Tiranë rreth 800 biznese, nga 30 vende të ndryshme nga rajoni dhe mbarë bota, të cilët kanë ekspozuar produktet e tyre. Organizimi i panairit vjen edhe si një kontribut e nderim për kombin shqiptar, në 100 vjetorin e pavarësisë së tij. 

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zëvendëskryeministri dhe ministër i  Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Edmond Haxhinasto, Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve Sokol Olldashi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha, Zëvendëskryeministri i Kosovës Bexhet Pacolli, Zëvendëskryeministrja e Kosovës Mimoza Kusari, Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë Valon Saraçini, Presidenti i Klik Ekspo Group Luan Muhametaj e shumë drejtues e menaxherë të fushës së biznesit nga shumë vende të botës. 

Në këtë ceremoni, Presidenti i panairit Klik Ekspo Group i akordoi Kryeministrit Berisha Medaljen “Shqiponja e Artë”, me motivacionin; “Figurë themeltare e historisë së demokracisë dhe promotor i projekteve madhore të zhvillimit të vendit, në 100 vjeçarin e parë të shtetit shqiptar”.

Duke shprehur falënderimet më të përzemërta për këtë vlerësim, Kryeministri tha se e pranonte atë “si  zotim solemn për të punuar së bashku për përmirësimin e klimës së biznesit dhe zgjerimin e pandërprerë të lirisë ekonomike, lirisë  fiskale dhe tregut të lire në tërësi”.

Kryeministri theksoi se ky është panairi më i madh në historinë e vendit tonë, panairi më i pasur, në të cilin marrin pjesë kompani nga të katër anët e botës, me një prezencë të fuqishme të ekonomisë më në rritje, më dinamike të planetit, që është ekonomia e Republikës Popullore të Kinës. Kryeministri shfrytëzoi këtë rast për të siguruar të gjithë investitorët vendas e të huaj se qeveria do të vazhdojë të bëjë gjithçka për suksesin në rritje të tyre, në Shqipëri.

Kryeministri Berisha, duke ftuar të gjithë investitorët të konsiderojnë në mënyrë më serioze praninë e tyre me investime në Shqipëri, bëri një përmbledhje të potencialeve kryesore dhe fushave që ofron Shqipëria, si dhe masave të marra nga qeveria shqiptare në mbështetje dhe lehtësim të biznesit. Kryeministri përmendi këtu potencialet e mëdha në fushën energjetike, në turizmin bregdetar e malor, në parqet logjistike, në fushën minerale etj.

Në përshëndetjen e tij në këtë panair, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Të nderuar të ftuar, të dashur biznesmenë e biznesgra, presidentë e menaxherë të kompanive nga mbarë bota, që keni ardhur sot dhe ekspozoni në qendër të Tiranës prodhimet, aftësitë, produktet tuaja të mrekullueshme. Me këtë rast, dëshiroj të shpreh vlerësimin më të madh për ju, zoti President i Klik Ekspo Group, për këtë organizim të shkëlqyer. Ky është panairi më i madh në historinë e vendit tonë, panairi më i pasur, në të cilin marrin pjesë kompani nga të katër anët e botës, me një prezencë të fuqishme të ekonomisë më në rritje, më dinamike të planetit, që është ekonomia e Republikës Popullore të Kinës. Unë shfrytëzoj rastin të siguroj investitorët vendas e të huaj se qeveria do të bëjë gjithçka për suksesin në rritje të tyre, në Shqipëri.

Të nderuar investitorë dhe drejtues të kompanive nga mbarë bota,

Prania juaj sot këtu është një rast i madh, jo vetëm për t’i paraqitur konsumatorit shqiptar e biznesit shqiptar potencialet tuaj të mëdha, arritjet tuaja të mrekullueshme, por është një rast i veçantë për t’u njohur me potencialet e mëdha të këtij vendi, me përpjekjet dhe arritjet  e shënuara në krijimin e një klime miqësore ndaj biznesit.

Qeveria shqiptare, këto vite, ka ndërmarrë reforma të thella, të cilat, siç do të konfirmonte Fondi Monetar Ndërkombëtar në vizitën e tij të fundit në Shqipëri, kanë mbrojtur këtë ekonomi nga kriza e thellë evropiane dhe globale. Që në vitet e para e në vazhdim, ne kemi qenë dhe jemi të bindur se rruga më e sigurt e mbrojtjes nga kjo krizë është mbështetja tek biznesi. Çfarëdo që të bëjë sektori publik, më të madhen mund ta bëjë qeveria, duke zgjeruar për biznesin lirinë e tregut, duke garantuar lirinë e tregut. Kjo krizë shumëdimensionale ka si zgjidhjen më të sigurt rritjen e konkurueshmërisë, çka do të thotë zhdukjen e barrierave burokratike, por edhe zvogëlimin e ngarkesës fiskale për bizneset. Ne kemi bërë një hap të madh përpara. Sot ne jemi vendi i “One Stop Shop” për regjistrimin e bizneseve, ndërkohë që në Shqipëri sot funksionon Qendra Kombëtare e Licencave dhe lejeve, në të cilën aplikanti ka mundësinë të gjurmojë, në çdo etapë, në çdo institucion të administratës shqiptare, dokumentet e tij dhe afatin e dhënies së përgjigjes. Përveç kësaj, është vendosur edhe parimi “Heshtja është miratim”, çka i shkurton në mënyrë shumë të ndjeshme “këmbët” burokracisë administrative.

 Shqipëria ofron potenciale të mëdha në fushën e energjisë. Sot ajo është “pika e mjaltit” në investimet në energjiën e rinovueshme në Evropë.

 Zonja e zotërinj,

Falë një kuadri ligjor të shkëlqyer, në këtë vend,  qeveria ka firmosur me sektorin privat për ndërtimin e 332 hidrocentrale, disa prej të cilave projekte ndër më të mëdhatë në kontinent, siç është Kaskada e Devollit, investim prej 1 miliardë euro, ku zbatimi i projektit fillon vitin e ardhshëm.

Qeveria bën përpjekje të mëdha për të tërhequr investime në fushën e turizmit. Shqipëria ka bregun detar më mahnitës të Mesdheut. Adriatiku është një nga brigjet më ranore të kontinentit, Joni është bregu në të cilin malet zbresin direkt në det dhe krijojnë një harmoni mahnitëse të të dy klimave, të të dy situatave. Malet e Shqipërisë janë malet më të virgjëra të Evropës dhe qeveria shqiptare do të vendosë ligjin “8 vjet pa asnjë taksë”, për çdo investitor në turizmin malor të vendit.

Zonja e zotërinj,

Parqe moderne logjistike janë në ndërtim e sipër, në një distancë të shkurtër midis kryeqytetit dhe aeroportit të Tiranës. Ju rikujtoj këtu se firma konsulente ndër më të njohurat e botës, McKenzie, në një studim që i ka bërë luginës Tiranë- Durrës, del me konkluzionin se kjo luginë mund të shndërrohet në Shenzhenin e vërtetë të Evropës, luginë e cila ka infrastrukturën më moderne, portin, aeroportin, hekurudhën, autostradën, furnizimin me ujë e energji, e çdo gjë tjetër. Parqet logjistike që po ndërtohen në hyrje të kësaj lugine, janë një lehtësi e jashtëzakonshme për investitorët, për të instaluar fabrikat dhe uzinat e tyre. Unë i garantoj ata se do t’i vendosin dhe instalojnë ato, në përputhjen me ligjin që sapo miratoi parlamenti, pa asnjë TVSH. Pra, është hequr përfundimisht TVSH-ja për të gjitha makineritë.

Shqipëria ka pellgje minerare të një rëndësie botërore, krom, hekur, hekur - nikel, bakër. Minierat e saj shtrihen në të gjitha masivet malore. Tani së fundi bëhet fjalë për toka të rralla, platin, flori e minerale të tjera. Ndaj ju ftoj të konsideroni në mënyrë më serioze praninë tuaj në Shqipëri. Në Shqipëri do të gjeni krahun më të favorshëm të punës, se në çdo vend tjetër të Evropës. Interesi i madh që po dëshmon biznesi kinez këtë vit për Shqipërinë, natyrisht është i lidhur direkt edhe me krahun e punës të leverdishëm që ofron Shqipëria. Ndaj dhe këshilla ime miqësore për ata që mendojnë të investojnë në vende të largëta, është që le të ndalen në Shqipëri njëherë e ta provojnë, sepse do të kenë absolutisht një histori të vërtetë suksesi.

 Edhe njëherë, ju uroj suksese, ju falënderoj zoti Luan Muhametaj, President i Klik Expo Group, për këtë punë të shkëlqyer. Zoti Pacolli, zonja Kusari, zoti Valon, zoti Haxhinasto, zoti Olldashi, zoti kryetar i Bashkisë së Tiranës, për të gjithë kontributin që keni dhënë në organizmin e këtij panairi, më i madhi në historinë e këtij vendi, por njëkohësisht dhe nder i madh që i bëhet kombit shqiptar në 100 vjetorin e pavarësisë së tij.

Gëzuar dhe suksese.

Ftoj qytetarët shqiptarë të përfitojnë nga ditët e hapura të këtij panairi, për t’u njohur me prodhimet e mrekullueshme rajonale, evropiane dhe botërore. Faleminderit. 


26/11/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›