E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha merr pjesë ne Konferencën "Për përmirësimin e cilësisë së ajrit"

Sot paradite, kryeministri Berisha mori pjesë në konferencën e organizuar nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, me temë "Për përmirësimin e cilësisë së ajrit".

Konferenca u përqëndrua në masat që duhen të ndërmerren për të mbrojtur mjedisin në tërësi dhe parandaluar ndotjen e vazhdueshme të ajrit në veçanti. Përmirësimi i cilësisë së ajrit u vlerësua si një faktor kryesor që ndikon drejtëpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe të shëndetit të tyre.

Kryeministri Berisha, duke marrë fjalën në konferencë, ndër të tjera u shpreh:

"Kjo konferencë trajton një problem madhor për standartin e jetës së qytetarëve shqiptarë, i cili duhet të synojë standartin e qytetarëve europianë.

Shqipëria me pozicionin e saj gjeografik, lartësinë e saj mesatare dhe klimën është e krijuar nga natyra si një vend me ajër nga më të pastrit, ndërkohë që për fat të keq qendra të saj shumë të rëndësishme si Tirana apo qytete të tjera, kanë ajër thellësisht të ndotur. Përqindja e lartë e dioksodit të karbonit në ajrin e kryeqytetit dhe të ndonjë qyteti tjetër përbën një kërcënim direkt për shëndetin e qytetarëve të të gjitha moshave.

Mjedisi në Shqipëri pasi shpëtoi nga industria gjigande e të shkuarës, u bë subjekt i një agresioni të ri shumë të rëndë dhe dy nga faktorët kryesorë të kësaj ndotjeje kanë qenë ndërtimi në rradhë të parë, i cili nuk respekton asnjë kriter të mbrojtjes së mjedisit. Pas Kabulit, qyteti i Tiranës ka titrin më të lartë të pluhurit në dy kontinentet sepse hapen 30 rrugë, punimet e të cilave vazhdojnë për tre vjet, sepse janë të rralla rastet kur pallate në ndërtim mund të marrin masa mbrojtëse për mospërhapjen e pluhurit.

Në mënyrën më të pamëshirshme i janë shkatërruar kryeqytetit sipërfaqet e gjelbëra. Faktikisht vitet e fundit janë vitet e batërdisë së vërtetë mjedisore në kryeqytet dhe në rast se konceptohet ne këtë mënyrë ushtrimi i komepetencave vendore, kjo do të sjellë katastrofa mjedisore. Ndaj dhe z ministër është jashtëzakonisht e domosdoshme që legjislacionin për mjedisin ta zbatojme me rigorizitet te plotë, ta plotësojmë aty ku mungon dhe ta shpallim si një përparësi të madhe.

Faktori i dytë madhor ndotës është karburanti që përdorin automjetet, të cilat vijnë gjithnjë duke u rritur në numër.
Në krye të këtij ndotësi është ARMO. Kjo sipërmarrje qe tregton karburante jashtë të gjitha standarteve të vendeve për shëndetin e njerëzve e vendos shtetin dhe qeverinë, ndaj çështja e cilesisë së karburanteve të kësaj korporate duhet te trajtohet me seriozitretin me te madh.

Ne duhet te bejme çdo perpjekje që rafineria e Ballshit të privatizohet, të ripërtërije teknologjinë dhe nuk mund të pranojmë një karburant të tillë që shpërndan sulfur dhe gazra sulfhidrike në mbarë vendin dhe është absolutisht një ndotës kryesor dhe e gjitha kjo për shkak të mosrinovimit të teknologjisë së rafinerisë. Ajo ka mbetur aty me teknologjit të vjetëruar.

Karburanti është një problem madhor. Duke theksuar ARMON nuk kam ndërmend të zbus qëndrimin ndaj importuesve te cilet duhet me rigorozitet te respektojnë standartet dhe nje detyre shume te madhe, ka inspektoriati dhe laboratori perkatës, i cili duhet te jetë në lartësinë e duhur sepse ka të bëjë me një çeshtje jashtëzakonisht te rendesishme. Për sa i përket automjeteve te vjetra eshte e domosdoshme që të shqyrtohen edhe njehere te gjitha regullat e importit, në mënyrë që të ecim drejt standarteve.

Unë mendoj se disa masa emergjente për kryeqytetin janë të domosdoshme dhe duhet të shpallim një plan emergjente në mënyrë që edhe të rrisim vetëdijen e qytetarëve, por edhe ti mbrojmë qytetarët nga kjo situatë në të cilën e ka zhytur veprimtaria tërësisht e pakontrolluar ndotëse si e ndërtimit ashtu edhe e automjeteve dhe punëve të tjera publike.

Pyllëzimi është përpjekja më madhore që duhet të bëjme ne për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe situatën e mjedisit në tërësi. Janë siguruiar fondet nga ministria e mjedist për rreth 7 mijë hektarë, por ju siguroj se në rast se komunat, bashkitë, komunitetet e trajtojnë me seriozitettin që e meriton këtë problem këto 7 mijë hektarë mund të dyfishohen dhe të bëhen brenda 4 viteve, 14 mijë hektarë, ndaj dhe le të bëjmë një projekt, në të cilin të përfshijmë tërësisht komunitetin në veprimtarinë e gjelbërimit dhe pyllëzimit të mjediseve ku jetojmë, të zonave të pyllëzuara dhe të shënojmë një kthesë të re rrënjësore ndaj qëndrimit tonë ndaj mjedisit.

Dua të përgëzoj ministrinë për trajtimin serioz që po u bën problemeve të mjedisit. Dy javë më parë ne trajtuam gjendjen e baseneve ujore dhe lumenjve dhe nxorrem konkluzionet përkatëse. Duke përgëzuar gjithashtu edhe institucionet. Janë një seri institucionesh të tilla të pavarura që japin një kontribut shumë të rëndësishëm me ekspertizën e tyre dhe unë i vlerësoj shumë personalisht dhe si qeveri për shkallën e lartë të ekspertizës dhe kontributin. Këto institucione, në mënyrë të përsëritur janë përpjekur dhe unë i ftoj të ngrenë fuqishëm zërin edhe si një oponencë e shkëlqyer e qeverisë. Interesi është të mbrojmë mjedisin, të zhvillojmë mjedisin dhe shumë nga ju keni krijuar arkivë shumë të çmuar të cilën qeveria e ka patur dhe do ta ketë në konsideratë, në të gjithë programet dhe punën e saj.

Duke ju garantuar mbështetje të plotë të të gjitha përpjekjeve mendoj se zbatimi i ligjeve ekzistuese është kushti më thelbësor për të krijuar një kthesë rrënjësore në qëndrimin ndaj mjedisit që në fakt është qëndrimi ndaj vetes, fëmijëve, familjes komunitetit.

Ju faleminderit"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›