Kryeministri Berisha takon Ambasadorin e Austrisë në Tiranë, zotin Derkowitch
Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha priti në një takim Ambasadorin e Austrisë në Tiranë, zotin Klaus Derkowitchç, në kuadër të përfundimit të 6-mujorit që Austria kryesoi presidencën e radhës së Bashkimit Europian.
Ambasadori austriak Derkowitchç i paraqiti kryeministrit disa nga prioritetet dhe rezultatet e këtyre 6 muajve të presidencës austriake të BE-së.
Ndërsa Kryeministri Berisha e falënderoi ambasadorin Derkowitchç për rëndësinë dhe vëmendjen që presidenca austriake i kushtoi Shqipërisë dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri e vlerësoi shumë të suksesshme presidencën austriake, në përmbushjen e shumë objektivave të saj, veçanërisht përsa i përket çështjeve të lidhura me Europën Juglindore
Kryeministri Berisha i kërkoi ambasadorit Derkowitchç t'i transmetojë Kancelarit Shussel dhe qeverisë austriake falënderimet e përzemërta për përkrahjen e tyre të vazhdueshme ndaj Shqipërisë dhe për rolin që kjo presidencë luajti për finalizimin dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Me këtë rast, zoti Berisha i shprehu ambasadorit austriak vendosmërinë e Shqipërisë për të realizuar të gjitha detyrimet e kësaj marrëveshjeje dhe per te permbushur te gjitha standardet për integrimin sa më shpejtë në BE.
Ambasadori Derkowitchç e siguroi Kryeministrin Berisha se Austria do të vazhdojë të përkrahë me vendosmëri Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit. Ai shprehu bindjen se Europa Juglindore do të vazhdojë të jetë ndër prioritetet e BE-së edhe gjatë presidencave të ardhshme të saj.