Kryeministri Berisha takohet me studente dhe pedagogë të Universitetit "Luigj Gurakuqi", në Shkodër
Sot paradite, kryeministri Berisha, zhvilloi një takim me studentë dhe pedagogë të Universitetit "Luigj Gurakuqi", të qytetit të Shkodrës. Në këtë takim kryeministri theksoi rëndësinë e madhe të zhvillimit të sistemit arsimor në Shqipëri dhe i njohu studentët me reformat e ndërrmarra nga qeveria për zhvillimin e këtij sistemi dhe ngritjen e tij në nivelet europiane.
Ndër të tjera, në fjalën e tij, kryeministri theksoi:
"Nuk ka asnjë lloj takimi tjetër që zhvilloj brenda apo jashtë vendit, që të më emocionojë më shumë se takimi me studentët. Kjo sepse unë kam kaluar mbi 23 vjet të jetës sime profesionale, duke dhënë leksione dhe seminare me nje përkushtim të plotë. Dashuria ime për studentët, respekti i pakufizuar për ta, më detyronin që çdo ditë të punoja për leksionet, njësoj sikur të mos kisha shkruajtur ndonjëherë më parë, që në çdo praktikë dhe seminar të vendosja një raport kthjelltësie me studentët dhe këtë e kam bërë me një përkushtim shumë të vecantë.Por emocionet e mija vijnë edhe nga të tjera shkaqe,gjithnjë të lidhura me të njëjtin raport, raportin me të vërtetën. Kur theksova se 23 vjet me rradhë kam bërë një punë të përkushtuar, kjo do të thotë që kam ruajtur raportin me të vërtetën shkencore. Në vitet 90, raportet studentë/pedagogë ndryshuan, ne u bëmë bashkëluftëtarë për të vërteta të mëdha njerëzore, për liritë dhe të drejtat e individit. Ishin studentët e universiteteve të Shqipërisë ata që u bënë promotorrët kryesorë të përmbysjes së diktaturës më të egër në Europë dhe i vendosën Shqipërinë dhe shqiptarët në rrugën e lirisë dhe të demokracisë. Ky raport më shoqëroi për gjithë jetën. Vitin e kaluar me studentët më bashkuan disa të vërteta të mëdha të hidhura, ajo që shqiptarët e Shqipërisë i mundonte më shumë se çdo gjë tjetër, mungesa e ligjit, vjedhja dhe shpërdorimi i pasurisë së tyre nga qeveritarët dhe zyrtarët e asaj kohe. Krimi i organizuar bënte që qytetarët të përkuleshin para tij. Përpara zgjedhjeve ne jemi përpjekur të bëjmë cdo gjë të ligjshme për bindur shqiptarët që të dalin nga ai sistem i pamerituar.
Kam qenë i bindur plotësisht në fitoren tonë, atëherë kur askush nuk e besonte. Atëherë kur studentët i kam takuar në sheshet e rrugët e Shqipërisë dhe që të gjithë duke celur zemrën e tyre dëshmonin se ishin për ndryshimin. Dhe unë u kam deklaruar bashkëpunëtorëve të mi se asgjë nuk mund të pengojë fitoren tonë. Janë pra këto raporte që më detyrojnë mua të ndihem krenar dhe njëkohësisht të ndiej një detyrim absolut t'ju shërbej ju, të bëjë cdo gjë që Shqipëria të ndërtohet duke përmbushur ëndërrën tuaj, sipas projekteve të ideuara nga ju. Kjo do të jetë Shqipëria europiane. Unë u garantoj ju dhe të gjithë studentëve të Shqipërisë se arsimimi juaj dhe i të gjithë fëmijëve shqiptarë, krijimi i kushteve që gjenia krijuese të realizohet në Shqipëri është dhe mbetet detyrimi im kryesor dhe objektivi i qeverisë që unë kryesoj. Dhe këtë e rikonfirmoj këtu, në këtë universitet të djepit, të shpirtit, të qytetërimit, të vokacionit perëndimor të kombit shqiptar.
Qeveria ndërrmori përpjekjen e madhe të saj. Së pari për të rikthyer ligjin në vend, duhet të kërkojë mirëkuptimin tuaj dhe tu sigurojë se asgjë nuk e ka nxirë më shumë jetën e shqiptarëve gjatë këtyre viteve se sa dhunimi dhe mosrepektimi i ligjit nga qeveritarët dhe administrata shtetërore e asaj kohe. Pikërisht në këtë dhunim dhe mosrespektim qëndron shtylla e shtetit të krimit të organizuar, e shtetit të korrupsionit. Ju garantoj ju se me një përkushtim të madh do të zbatojmë ligjet tona demokratike që ato të funksionojnë njësoj si për kryeministrin ashtu dhe për qytetarët, që ato të garantojnë liritë dhe të drejtat, të cilave ne u besojmë.
Vetëm duke rikthyer shtetin ligjor ne mund të bëhemi njerëz vërtetë të lirë, vetëm duke rikthyer shtetin ligjor ne mund ti shfrytëzojmë ne dobi të vetes sonë pasuritë përrallore, që ka Shkodra dhe mbarë Shqipëria. Nuk gjeni vend më të pasur dhe më të begate se sa vendi yne. Po ta shohësh nga lartësia Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me alpe, liqene dhe bregdet të mahnitshëm. Shqipëria është një vend i të gjitha pasurive, e rëndësishme është që të zhvillohet më mirë për ti shfrytëzuar dhe për ti shndërruar këto pasuri në dobi të qytetarëve shqiptarë. Unë them se e kemi nisur mirë sepse investimin e parë ne do ta bëjme tek mendja juaj, tek truri i fëmijëve tanë, tek fantazia dhe imagjinata e tyre.
Ne jemi të vendosur të dyfishojmë buxhetin brenda katër viteve për arsimin. Kjo përbën një përpjekje të jashtëzakonshme për një vend, i cili ka me qindra dhe mijëra probleme për të zgjidhur. Do të modernizojmë sistemin tonë arsimor, duke e përshtatur atë me standartet europiane. Asgjë nuk mund të bëhet më shumë për të gjithë ju dhe brezin e ri, sesa të integrojmë vendin në Europë, ta shndërrojmë Europën në shtëpinë tuaj shqiptare.
Që të ecim drejt Europës ne duhet të çlirohemi nga kthetrat e korrupsionit, të vendosim ligjin, por duhet gjithashtu të zhvillojmë arsimin dhe dijet në përputhje me standartet europiane. Në këtë kontekst ne nisëm liberalizimin e universiteteve, duhet të rrisim në mënyrë progresive dhe të shpejtë numrin e qytetarëve shqiptarë të shkolluar me arsimin e lartë dhe kjo është shumë e domosdoshme sepse kemi qenë katër herë larg standarteve të BE për arsimin e lartë. Liberalizimi është vetëm një aspekt. Rritja e cilësisë së arsimit është një kushte vendimtar që dija të shndërrohet në qytetërim, që dija të shndërrohet në shkencë dhe të ngrihet në standartet demokratike.
Ne jemi shumë të vendosur të investojmë për të modernizuar universitetet tona dhe cilësinë e mësimdhënies, të investojmë për të përmirësuar kushtet e jetesës suaj. Unë siguroj se qeveria do të bëjë cdo përpjekje që Universiteti "Luigj Gurakuqi", por edhe universitete të tjera të kenë kushtet më të mira në auditoret e tyre. Të punësojmë intelektualët më të shquar në mësimdhënie. Ne jemi të vendosur të mbështesim studentët e shkëlqyer shqiptare në universitete, sikundër të rikthejmë këta studentë kudo që ndodhen në Shqipëri.
Ne do të transformojmë arsimin e lartë, në të gjitha aspektet sepse vetëm kështu ne i përgjigjemi konkretisht kërkesave dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë. Ne nuk e shkëpusim arsimin e lartë nga ciklet e tjera. Do të bëjmë cdo përpjekje që fëmijët tanë të ulen të shkollat që meritojnë. Asgjë nuk më trondit më shumë se sa dimri dhe klasat e ftohta ku mësojnë fëmijët tanë. Kjo do të marrë fund. Ne kemi siguruar një kredi prej 50 milion euro, përveç shtimit të ndjeshëm të buxhetit, e cila do të përdoret për ndërtimin e shkollave në vend.
E filluam punën tonë me mësuesit, duke bërë rritjen më të ndjeshme që mund të jetë bërë ndonjëherë, të rrogave të tyre. Ky është hapi i parë. Ne do të mbajmë fjalën për dyfishimin e tyre deri në fund të këtij mandati, ashtu sic u shndërrua në realitet premtimi për rritjen e rrogave gjatë këtij viti.
Do të bëjmë përpjekje të mëdha për kualifimin e mësuesve, për përmirësimin e kushteve të tyre jetësore sepse mësuesi është misionari i dijes dhe në rast se nuk e ndihmojmë atë që këtë mision ta ushtrojë si i tillë, zor se do të kemi rezultat në përpjekjet tona. Do të ridimensionojmë arsimin profesional, i cili në Shqipëri është në nivele të papranueshme. Vetëm 17 për qind e nxënësve parauniversitarë, ndjekin arsimin profesional, në një kohë kur në vendet e BE, kjo shifër shënon 80 për qind.
U ftoj ju, që këtë universitet që e kemi parashikuar si një promotorr të fuqishëm të zhvillimit rajonal, ta shndërrojmë në një promotorr të fuqishëm të zhvillimit të arsimit profesional në Shkodër dhe në mbarë veriun. Në këtë mënyrë ne iu përgjigjemi kërkesave të tregut. Tregu dhe arsimi duhet të jenë një binom i pandarë. Orientimi i arsimit drejt tregut është kushti më vendimtar që arsimi të realizojë qëllimet e tij të mëdha. Reformat tona janë të thella dhe të gjithanshme. Ato përfshijnë mësimdhënien por edhe kërkimin shkencor.
Në Shqipëri, paralel me inteligjencën e universiteteve ekzison edhe inteligjenca e institucioneve kërkimore shkencore, e shkëputur nga ju. Ne nuk mund ta pranojmë këtë gjë. Universitetet, katedrat, do të jenë qendrat e fuqishme të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Që në momentin që mësimdhënia shkëputet nga kërkimi shkencor, raporti i dijes me të vërtetën fillon dhe deformohet. Është e domosdoshme që pedagogu të kryejë studim shkencor se vetëm në këtë mënyrë ai do të përçojë tek ju dijet bashkohore, në fusha ndryshme, ndaj në këtë reformë ne jemi shumë reflektues ndaj akademisë, ndaj akademizmit, por vetëm reforma do të bëjë të mundur, që ti japë atyre atë formë që ju përshtatet ju.
Unë po vij nga një takim tjetër me qeveritarët vendorë dhe aty u paraqit një studim vërtet i shkëlqyer i një kompanie konsulente mbi zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit që shtrihet nga Lezha në Podgoricë duke vazhduart drejt Kosovës, dhe shndërrimin e tij në një rajon europian. Unë u siguroj ju, se pavarësisht se investimet dhe buxheti i domosdoshëm është shumë i madh, qeveria është e vendosur që këtë zonë të cilën zoti e ka bekuar, por që në mënyrën më të paskrupullt e ndëshkuan vetëm për shpirtin e saj liridashës. Ne jemi të vendosur dhe do të bëjme çdo përpjekje që Korridori Adriatik- Jonian që lidh Shkodren me Malin e Zi dhe Kroacinë të ndërtohet sa më shpejt, që unaza e qytetit të ndërtohet sa më shpejt dhe që puna të thellohet e Shkodra të shndërrohet në një port jo vetëm detar por edhe lumor të rëndësishëm.
Ne do të bëjmë përpjekje të mëdha për rindërtimin e rrugëve të qytetit, të kanalizimeve, të ujrave të bardha dhe të zeza, do të krijojmë një zonë industriale, e cila do ta shndërrojë atë në gjeneratorin kryesor të prodhimit të begatisë, të zhvillimit të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë.
Zotohem para jush, se para të gjithë këtyre projekteve të mëdha, do të marrin epërsi të padiskutueshme investimet me te rëndësishme të biznesit per ju."