Kryeministri Berisha merr pjesë në prezantimin e planit të zhvillimit territorial të qarkut Shkodër e Lezhë
Sot paradite, Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në Konferencën për prezantimin e planit të zhvillimit terrritorial të qarkut të Shkodrës e Lezhës. Në këtë aktivitet ishte e pranishme Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, njëkohësisht deputete e qytetit të Shkodrës, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues të pushtetit vendor të Shkodrës e Lezhës, etj.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, kryeministri Berisha theksoi:
"Dua t'u shpreh mirënjohjen e thellë të gjithë atyre që bën të mbështetën hartimin e planit të zhvillimit 15 vjeçar të rajonit Shkodër-Lezhë. Ky plan përbën një hartë të vërtetë rruge për qeverinë shqiptare, me të cilën ky rajon do të shndërrohet në një rajon të vërtetë europian. Gjithashtu, ky plan përbën dhe një hartë rruge me të cilën do të zhvillohen Shkodra, Lezha dhe zonat kufitare përreth, sepse pavarësia e Malit të Zi çeli një derë të madhe në bashkëpunimin me këtë vend, sikurse do të celë edhe pavarësia e Kosovës. Në këtë kontekst, Shkodra shndërrohet në një nga promotorët më të mëdhenj të zhvillimit të këtij rajoni.
Shkodra në shekuj ka qenë djepi i qytetërimit tonë perendimor. Rajoni i Shkodrës dhe Lezhës ka potenciale të mëdha dhe të gjithanshme, trashëgimi historike dhe kulturore të pashoqe, brigje që lagen nga Adriatiku dhe njërit prej liqeneve më të mëdhenj të Evropës, laguna, lumenj, porte, aeroporte, tokë pjellore, malësi alpine me bukuri mahnitëse, pyje të shumta, pasuri minerare si rrallë ndonjë rajon tjetër i kontinentit. Por potenciali më i madh i Shkodrës dhe i këtij rajoni janë njerëzit e mrekullueshëm, njerezit e talentuar, gjenia krijuese e qytetarëve të saj.
Shkodra, nga ana tjetër, është qyteti që pagoi më shumë se çdo qytet tjetër ndëshkimin për shpirtin liridashës e atdhetar të qytetarëve të saj. Ndaj dhe sot është qyteti i rrugëve të shkatërruara, i kanalizimeve që mungojnë, si dhe varfërisë e, pse jo, mjerimit të papranueshëm.
Dua të garantoj qytetarët e Shkodrës se qeveria është e vendosur të bëjë çdo përpjekje, çdo investim që ta shndërrojë në realitet planin e zhvillimit të këtij qyteti dhe këtij rrethi. Unë jam i vetëdijshëm se ky plan kërkon disa buxhete, jo vetëm një, por jam i vetëdijshëm se mundësitë janë të shumta. Për ne më vendimtare është t'i shndërrojmë sa më parë pasuritë e Shkodrës, burimet e pafundme të këtij rajoni, në të mira për qytetarët e saj, qytetarët e rajonit dhe qytetarët e gjithë Shqipërisë.
Ndaj Qeveria që unë kryesoj ka vendosur të përqëndrohet para së gjithash në investimet në burimet njerëzore. Ne jemi të vendosur që në një kohë të shkurtër të dyfishojmë investimin në burimet dhe vlerat njerëzore. Në këtë kontekst, modernizimi dhe orientimi drejt tregut i Universitetit të Shkodrës dhe tërë sistemit arsimor dhe zhvillimi i arsimit profesional përbën një nga përparësitë tona më absolute, një nga kushtet bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të Shkodrës dhe rajoneve të tjera të vendit.
Nga ana tjetër, zhvillimi i qëndrueshëm i Shkodrës kërkon respektimin e kushteve urbanistike, administrim në përputhje me ligjin e territorit të qytetit, brigjeve, zonave të saj turistike. Pra, "Shkodra ndën ligj, Shqipëria ndën Ligj" mbetet motoja jonë.
Dua të informoj qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë qytetarët shqiptarë se, përgjatë këtyre viteve, mosrespektimi i ligjit nga administrata dhe qeveritarët ka dëmtuar shumë direkt interesin e tyre. Ndaj edhe ne jemi të përcaktuar për rivendosjen e shtetit ligjor, si kushti i të gjitha kushteve për prosperitet dhe zhvillim të qëndrueshëm të Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë. Shkodra disponon brigje të mrekullueshme, laguna mahnitëse, kurora dhe malësi alpine shumë të bukura dhe të gjitha këto kanë nevojë të mbrohen nga babëzia e individëve të caktuar dhe nga indiferenca e qeveritarëve të caktuar. Vetëm në rast se këto mbrohen, ato do të shndërrohen në të mirë të madhe për qytetarët e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë.
Shkodra, distrikti, me pozicioni e saj gjeografik, historikisht ka qenë një kryeurë e vendit me botën perëndimore. Ngritja e infrastrukturës me shpejtësi në rajon përbën për ne një përparësi madhore. Ndër to unë do të citoj; Korridorin Adriatiko-Jonian, i cili së shpejti fillon punimet për fazën përfundimtare, falë kooperacionit të qeverisë italiane. Gjithashtu, ka projekte të tjera të mëdha për të cilat Shkodra ka nevojë, Korridori Trans-Alpin, i cili lidh Shkodrën me qytetet e Kosovës, me të cilat ajo ka patur shkëmbime në shekuj e mijëvjeçarë.
Shkodra ka nevojë për një rikonstruksion të plotë të rrugëve të saj, të kanalizimeve. Ndërhyrja në këtë qytet është emergjente. Ju garantoj se qeveria do ta trajtojë si të tillë problemin e madh me të cilën përballet infrastruktura, e rëndësishme jo vetëm për Shkodrën e Lezhën, por edhe për të gjithë qytetarët shqiptarë, malazezë, kosovarë, një infrastrukturë me rëndësi të madhe rajonale.
Shkodra është qyteti i papunësisë masive. Praktikat e ndjekura me energjinë elektrike, e them me keqardhjen më të madhe se ishin "shok elektrik" për qytetin e përjetësisë së shqiptarëve. Këto praktika do të marrin fund. Qeveria, në bashkëpunim me qytetarët e Shkodrës do t'i rikthejë asaj të gjitha mundësitë që shumë shpejt ajo të dalë nga papunësia. Qeveria do nxisë biznesin. Ne jemi shumë të fokusuar në inkurajimin e biznesit. Pas përgjysmimit të taksave për biznesin e vogël, ne kemi bërë një ulje dramatike të çmimit të energjisë për këto biznese, javën e ardhshme do të shpallim një ulje tjetër shumë të rëndësishme të taksave për bizneset e tjera.
Unë u bëj thirrje autoriteteve të Shkodrës, biznesmenëve shkodranë, që sëbashku me mbështetjen e qeverisë, ta shndërrojmë në realitet sa më shpejt Parkun Industrial të Shkodrës, si promotori kryesor i punësimit. Sipërmarrësit italianë kanë përcaktuar një zonë midis Shkodrës dhe Koplikut. Le ta studiojnë dhe le ta shndërrojnë sa më shpejt atë në realitet. Në rast se kjo zonë është e pamjaftushme, le të ofrojnë ndonjë zonë të re, për të cilën qeveria zotohet të investojë me përparësi për ta furnizuar 24 orë me energji elektrike, për të ndërtuar infrastrukturën e nevojshme, për ta furnizuar me ujë të pijshëm.
Ju siguroj se asgjë nuk do ta pengojë qeverinë për të ndërmarrë dhe hapa të tjerë lehtësues fiskalë në këto zona, me qëllim që qytetarët e Shkodrës dhe të rajonit të punësohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Plani që paraqitet, është i mrekullueshëm, ambicioz. Ai përcakton detyra e detyrime të qarta për qeverinë, për pushtetarët vendore, por që kërkon pjesëmarrjen dhe kontributin aktiv të mbarë qytetarëve të Shkodrës. Kam bindjen se në rast se qeveria do t'u përmbahet detyrimeve të saj, dhe unë ju garantoj se do t'u përmbahet, në rast se autoritetet vendore të Shkodrës e Lezhës do t'u përmbahen detyrimeve të tyre, ato shuma që unë i cilësova si shumë herë më të mëdha se buxheti i shtetit, do të vërshojnë drejt ketij rajoni, nga buxheti i qeverisë, nga ndihmat bujare të vendeve mike, nga institucionet ndërkombëtare, nga Bashkimi Europian dhe vendet fqinje. Duke vënë së pari përkushtimin tonë, jam i bindur se gjërat e tjera do të zgjidhen me sukses".