Kryeministri Berisha pret Ambasadoren e Republikës së Letonisë për Republikën e Shqipërisë, me rezidencë në Romë, Zj. Astra Kurme
Kryeministri Berisha priti sot në takim në Këshillin e Ministrave, Tiranë, Ambasadoren e Republikës së Letonisë për Republikën e Shqipërisë, me rezidencë ne Romë, Zj. Astra Kurme.
Pasi i uroi mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të forcuar e thelluar edhe me tej bashkëpunimin në të gjitha fushat mes Shqipërisë dhe Letonisë. Kryeministri u shpreh se Letonia dhe vendet Balltike janë një shembull i shkëlqyer për vendet e Europës Juglindore në proceset e reformimit dhe transformimit të tyre, në rrugën e integrimit Euro-Atlantik të rajonit.
Më tej, Kryeministri Berisha i bëri Ambasadores një ekspoze të reformave dhe arritjeve të Shqipërisë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, luftës kundër krimit, korrupsionit, informalitetit. Ai e njohu Ambasadoren me reformat për zhvillimin e shpejtë të vendit, me thjeshtëzimin e procedurave dhe uljen drastike të barrës fiskale për bizneset dhe me procesin e shndërrimit të Shqipërisë në vendin më tërheqës për investimet e huaja.
Ambasadorja Kurme shprehu dëshirën e vendit të saj për të thelluar dhe intensifikuar bashkëpunimin e dy vendeve tona në të gjitha fushat. Ajo vlerësoi arritjet mbresëlënëse të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit dhe trafiqeve, korrupsionit, arritjet në reforma në kuadër të integrimit në NATO dhe BE, politikat e jashtme të saj konstruktive, ashtu dhe kontributin e Shqipërisë në shërbim të paqes, në kuadër të misioneve të NATO-s.
Dy personalitetet u shprehën për vullnetin e plotë të dy vendeve për intensifikimin e kontakteve politike në nivelet më të larta, si dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të gjithanshëm, në veçanti ne kuadër te procesit te integrimit Euro-Atlantik te Shqiperise.