Kryeministri Berisha takon pesë ambasadorë të vendeve të NATO-s që ndodhet për një vizitë në Tiranë
-Ambasadorët përshëndetën arritjet e qeverisë dhe inkurajuan vazhdimin e mëtejshmë të reformave si domosdoshmëri për të marrë ftesën për antarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit.
Kryeministri Berisha priti pasditen e sotme në një takim pesë ambasadorë, përfaqësues të përhershëm të vendeve antare pranë NATO-s në Bruksel, ambasadorin e Britanisë së Madhe z.Stjuart Eldon, ambasadorin e danez z.Per Polsen-Hansen, ambasadorin francez z.Rishard Dyk, ambasadorin gjerman z.Ulrih Brandenburg dhe ambasadorin holandez z.Herman Shaper që ndodhen për një vizitë në Tiranë.
Kryeministri Berisha duke i falenderuar ambasadorët për mbështetjen e vazhdueshme që i japin Shqipërisë, bëri një ekspoze të gjithanëshme të reformave dhe arritjeve të qeverisë si reforma në drejtësi, reforma elektorale, në fushën ekonomike, në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, informalitetit, korrupsionit, etj. Kryeministri i siguroi bashkëbiseduesit se qeveria shqiptare ka vullnetin për të përmbushur të gjitha reformat me standarde nga më të lartat.
Duke u ndalur veçanërisht në reformën elektorale dhe reformën në drejtësi, Kryeministri tha se ekziston një klimë e mirë bashkëpunimi edhe me opozitën për të përbushur reformat që mundësojnë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe NATO.
Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se regjistrimi elektronik i popullsisë, që tashmë ka nisur dhe parashikohet të përfundojë në korrik të vitit 2008, pritet t’i japë fund problemit me listat e votimit.
Kryeministri i njohu ambasadorët me angazhimet e ndërmarra për reformën në drejtësi, duke përmendur këtu gatishmërinë e opozitës për të bashkëpunuar në këtë drejtim. Në vazhdim Kryeministri Berisha u ndal dhe në shpalljen e tenderit ndërkombëtar për prodhimin e kartave të identitetit.
Nga ana e tyre ambasadorët vunë në dukje arritjet e rëndësishme në reformat e gjithanëshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në dy vitet e fundit, si dhe i shprehën Kryeministrit vlerësimet më të mira për kontributin që forcat ushtarake shqiptare kanë dhënë përkrah trupave të NATO-s në misionet paqeruajtëse në Afganistan, Bosnje Hercegoninë, si dhe në misionet në luftën kundër terrorizmit në Irak.
Pasi u njohën me arritjet e deritanishme të qeverisë shqiptare, ambasadorët theksuan se në periudhën në vazhdim, deri në Samitin e Bukureshtit ku do të vendoset për ftesën për antarësim, është e rëndësishme vazhdimësia dhe thellimi i mëtejshëm i reformave, në veçanti reformës në drejtësi dhe asaj elektorale.
Ambasadorët e pesë vendeve të NATO-s shprehën se Gjermania, , Britania e Madhe, Danimarka dhe Holanda do të vazhdojnë të përkrahin dhe mbështesin procesin e antarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Duke folur për zhvillimet në rajon, ambasadorët vlerësuan politikën konstruktive dhe rolin e moderuar të Shqipërisë.