Kryeministri Berisha merr pjesë në disa aktivitete, në Davos
Kryeministri Berisha, në vazhdim të vizitës së tij disa ditore në Davos në Zvicër në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, mori pjesë në shumë aktivitete ekonomike dhe gjeopolitike, në mesin e mjaft personaliteteve të rëndësishme të politikës dhe ekonomisë botërore.
Në paraditen e sotme, Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga Ministri i jashtëm Lulzim Basha, mori pjesë në sesionin mbi problemet që popullsia botërore po has me pasuritë hidrike dhe sidomos ato të ujit të pijshëm, si dhe rrugëzgjidhjet për këtë problem.
Personalitete të rëndësishme ekonomike të botës, drejtues ekzekutivë të kompanive më të mëdha të sektorit të ujit, veçanërisht nga SHBA dhe Zvicra, diskutuan dhe ju përgjigjën pyetjeve të shumta mbi politikat që duhen ndjekur për të mos e kthyer problemin e ujit në një shkaktar për konflikte dhe varfëri të njerëzimit.
Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në aktivitetin “France on the move”, ku mbajti një fjalim Kryeministri i Francës François Fillon, i cili u ndal në ecurinë ekonomike dhe politike të Francës dhe reformat e ndërmarra nga qeveria e djathtë franceze.
Kryeministri Berisha pati edhe disa takime të shkurtra me figura me rëndësi të botës. Kështu ai u takua me Administratoren e USAID-it, Henrietta Fore dhe e falënderoi atë për projektet e zbatuara nga USAID-i në Shqipëri, si dhe u shpreh se i mirëpriste dhe mbështeste projektet e reja.
Kryeministri Berisha u takua edhe me Kardinalin amerikan Marc Farry, një nga personalitetet më me influencë të kishës në SHBA. Kardinali Marc Farry u interesua për zhvillimet në Shqipëri dhe u shpreh se së shpejti do të vinte për një vizitë në Shqipëri.
Gjithashtu Kryeministri Berisha u takua edhe me Presidentin e ri të Kompanisë prestigjioze COCA-COLA Muhtar Kent dhe e uroi për detyrën e re dhe e ftoi që të vizitonte Shqipërinë, ftesë që ai e pranoi dhe e priti me kënaqësi.