Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Azerbajxhanit, zotin Ilham Aliyev
Kryeministri Berisha zhvilloi pasditen e sotme në Davos një takim me Presidentin e Azerbajxhanit, zotin Ilham Aliyev.
Gjatë takimit, Kryeministri Berisha dhe Presidenti Aliyev biseduan gjerësisht mbi Projektin trans-Adriatik për gazin, bisedë kjo që ishte një vazhdim i bisedimeve të zhvilluara në Stamboll midis tyre.
Presidenti Aliyev e siguroi Kryeministrin Berisha mbi vendosmërinë e tij për të garantuar furnizimin me gaz të këtij projekti që kalon nga Shqipëria, çështje kjo që Kryeministri Berisha e diskutoi edhe me autoritetet zviceriane si dhe me Kompaninë EGL, me të cilën zhvilloi dje një takim në Davos.
Kryeministri Berisha e njohu Presidentin Aliyev me ecurinë e reformave në Shqipëri si dhe me revolucionin fiskal që po e bën Shqipërinë gjithnjë e më shumë tërheqëse për investitorët e huaj.
Presidenti Aliyev dhe Kryeministri Berisha gjatë bisedës së tyre konfirmuan vullnetin e mirë dypalësh për një bashkëpunim shumë të frytshëm ekonomik dhe kulturor mes dy vendeve.
Presidenti Presidenti Aliyev e ftoi Kryeministrin Berisha për të vizituar Azerbajxhanin, gjithashtu edhe Kryeministri e ftoi Presidentin Aliyev të vizitojë Shqipërinë, ftesa këto që u pranuan me kënaqësi nga të dy palët.