Kryeministri Berisha takon Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Jashtme të Izraelit, zonjen Tzipi Livni

Kryeministri Berisha zhvilloi sot në Davos një takim me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Jashtme të Izraelit, znj Tzipi Livni.
Të dy personalitet vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe ndanë të njëjtin mendim për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen, veçanërisht në sektorin ekonomik.
Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu zonjën Livni me masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, në ndihmë të investitorëve të huaj, si dhe shprehu angazhimin e qeverisë shqiptare për të mbështetur investimet izraelite në vendin tonë.
Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të progresit të reformave në shumë fusha, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në ekonominë shqiptare.
Nga ana e saj, Zëvendëskryeministrja izraelite u shpreh se do të mbështesë bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë, si dhe u angazhua në shqyrtimin e mjaft projekteve të reja dhe zbatimin e tyre në Shqipëri në fusha të ndryshme. Në mënyrë të veçantë, zonja Livni u ndal në mundësitë për një perspektivë të mirë bashkëpunimi në bujqësi, arsim, energjetikë, turizëm etj..
Gjatë këtij takimi, ndër të tjera, Kryeministri Berisha dhe zonja Tzipi Livni diskutuan gjerësisht edhe për zhvillimet në rajon dhe çështjen e statusit të Kosovës.