E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha nis nesër një vizitë zyrtare në Kosovë

Kreu i qeverisë do të zhvillojë takime me krerë të lartë të shtetit dhe politikës kosovare


Kryeministri i vendit Sali Berisha, nis nesër një vizitë 2 ditore në Kosovë, të dytën që nga konfirmimi në korrik 2005-s. Shefi i ekzekutivit shqiptar pritet të takojnë personalitetet më të larta të shtetit të ri shqiptar në rajon, ku në krye të axhendës së takimeve janë takimet me Presidentin Fatmir Sejdiu si dhe me kryeministrin Hashim Thaçi. Kryeministri Berisha do të takohet ditën e parë edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqin, ndërkohë që pritet të mbajë fjalimin tradicional, drejtuar deputetëve, gjatë punimeve të seancës plenare. Në ditën e parë të vizitës, ai do të zhvillojë homazhe edhe para varrit të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës. Gjatë takimeve të veçanta, përfaqësuesit e lartë të të dy vendeve pritet të nënshkruajnë 6 marrëveshje të rëndësishme ekonomike, për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe reduktimin e barrierave në shkëmbimin e lirë tregtar mes dy vendeve. Gjithashtu, të dy kryeministrat pritet të nënshkruajnë edhe një marrëveshje të përbashkët për heqjen e barrierave të lëvizjes, për shqiptarët e të dy anëve të kufirit. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, shoqërohet në këtë vizitë zyrtare nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, zëvendësministrja e Jashtme, Edit’h Harxhi si dhe pjesëtarë të stafit të tij këshillimor. Kreu i qeverisë shqiptare, gëzon një reputacion të madh te populli shqiptar i Kosovës. Që nga përfundimi i luftës, e ka vizituar një herë Kosovën, gjatë mandatit të parë qeverisës, 2005-2009. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Berisha u prit në mënyrë madhështore në Prishtinë, Pejë, Prizren, Drenicë e Gjakovë, ku turma të entuziazmuara qytetarësh të Kosovës, i shprehën falënderimet e tyre, kryeministrit shqiptar, për mbështetjen e pakursyer në pavarësimin e Kosovës dhe njohjen e saj në arenën ndërkombëtare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›