E Shtunë, 31 Tetor 2026

P/Ligjin për minatorët, PS: Berisha e Meta po tallen!

Deputeti socialist Beqja tha sot se "maxhoranca po bëhet gati të miratojë uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve nga 65 në 60 vjeç, çka është një nënvlerësim për sakrificat e punonjësve të nëntokës 

TIRANË- Partia Socialiste konsideron se p/ligji për uljen me 5 vjet të moshës së daljes në pension të minatorëve është nënvlerësim i mundit dhe i sakrificave të tyre.
Deputeti socialist Ilir Beqja tha sot në një konferencë për shtyp, se "maxhoranca po bëhet gati të miratojë uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve nga 65 në 60 vjeç, çka është një nënvlerësim për sakrificat e punonjësve të nëntokës". PS e konsideron se pas nënvleftësimit fshihet tallja ndaj kësaj shtrese që më parë i bëhej nga Berisha dhe sot edhe nga Meta që është pjesë e qeverisë.
“Është tallje, sepse nuk ofron asgjë për mbi 5 mijë ish-minatorë që aktualisht nuk e mbyllin dot fundin e muajit me trajtimin e vecantë jo më shumë se 8 mijë lek në muaj që u jep qeveria Berisha - Meta. Është tallje, sepse edhe kur të dalin në pension në moshën 60 vjeçare, minatorët do të gëzojnë pensionin për shumë më pak vite se shqiptarët e tjerë”.
“Talljes së Berishës po i shtohet edhe tallja e Ilir Metës. Meta nuk ka sesi të përshëndesë uljen e moshës së daljes në pension për minatorët kur në programin e tij kishte premtuar miratimin e statusit të minatorit”.
Sipas Beqjas, "ky ndryshim në ligj nuk i jep zgjidhje nevojave të sotme të minatorëve dhe të ish-minatorëve".
Beqja tha se "PS do të bëjë të gjitha përpjekjet, që puna, djersa, mundi dhe sakrifica e minatorëve të respektohen në Shqipëri".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›