E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, gati të realizojë projektin ëndërr, integrimin në BE

Kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm Meta, përshëndesin miratimin e Traktatit të BE nga Irlanda


Shefi i ekzekutivit Sali Berisha përforcon ambicien e projektit të tij qeverisës, integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE. Duke uruar Irlandën për aprovimin që i dha Traktatit të BE, Berisha u shpreh se ky është një moment historik dhe fitore e domethënëse, për të ardhmen e suksesshme të Unionit, duke lënë mënjanë çdo euroskeptik, mbi sfidat madhore të bllokut evropian. Me këtë akt, tha Berisha, i jepet akordi reformimit dhe konsolidimi të mëtejshëm të Bashkimit Evropian, nëpërmjet shtimit të radhëve të tij.  Qeveria e Shqipërisë ka përshëndetur miratimin e Traktatit të BE-së, nga shteti i Irlandës, votuesit e të cilit, nëpërmjet një referendumi popullor, i dhanë jetë kushtetutës së re të Evropës. Kryeministri Sali Berisha dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, e konsideruan këtë moment si fitore historike për mbarë Evropën, duke i hapur rrugë procesit të reformimit dhe modernizimit të Bashkimit Evropian. Shefi i ekzekutivit Sali Berisha, nëpërmjet një letre urimi drejtuar kryeministrit të Republikës së Irlandës, Brian Cohen, vlerëson vullnetin e pakushtëzuar të qytetarëve irlandezë, të cilët nëpërmjet votës së tyre miqësore miratuan referendumin e Traktatit të Lisbonës. Berisha tha se kjo është një mundësi e artë për t’i dhënë hov ëndrrës dhe përpjekjeve të Shqipërisë, për rikthim në familjen evropiane. Ndërsa Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, bëri me dije se hyrja në fuqi e Traktatit të Lisbonës, do t’i shërbejë zgjerimit të BE drejt vendeve të Ballkanit.   Dy ditë më parë, BE-ja kapërceu “ngërçin” që kishte krijuar Traktati i Lisbonës 18 muaj më parë në Irlandë. Këtë radhë, irlandezët miratuan me votë unanime, projektin e ri të BE, duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm në drejtim të zgjerimit. Ndërkohë që pritet ratifikimi i këtij traktati nga të gjitha vendet anëtare të BE, Brukseli zyrtar, pritet që gjatë muajit nëntor të shqyrtojë edhe kërkesën e Shqipërisë për statusin kandidat dhe njëherazi dhënien e një përgjigje pozitive, ambicieve të vendit, për t’ju bashkangjitur familjes së madhe evropiane. Irlandezët miratuan marrëveshjen me shumicë dërrmuese dhe i dhanë frymë projektit jetë gjatë të Bashkimit Evropian. Kushtetuta e re e BE, synon ta bëjë me efikas procesin e vendimmarrjes së BE-së dhe shihet si dokument me rëndësi kyçe për zhvillimet në të ardhmen e bllokut. Marrëveshja mund të hyjë në fuqi vetëm pas ratifikimit të saj nga të 27 vendet anëtare.  Sipas të gjitha gjasave, vendet anëtare të BE, do ta ratifikojnë atë brenda 2009-ës. Çekia dhe Polonia, janë dy vendet që, pas votës irlandeze, do ta miratojnë marrëveshjen e bllokut në një kohë shumë të shpejtë. Berisha: Populli irlandez ndëshkoi euroskepticizmin dhe i hapi rrugë zgjerimit të mëtejshëm të BE-së Kryeministri i vendit Sali Berisha, e konsideron votën “pro” të irlandezëve, për Traktatin e Lisbonës, e quajtur ndryshe si Kushtetuta e Bashkimit Evropian, si një ndëshkim i merituar për eurospektikët e zgjerimit të unionit dhe ngjalljen e një shprese të re, për reformimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të strukturës së BE. Duke shprehur konsideratat më të larta të tij dhe të popullit shqiptar, kryeministri Berisha, përmes një letre uroi dje kryeministrin e Republikës së Irlandës, Brian Cohen, për atë votë miqësore, me anë të së cilës qytetarët e Irlandës miratuan në referendum Traktatin e Lisbonës. Berisha e cilësoi këtë si një mbështetje spektakolare për reformimin e mëtejshëm të BE, nëpërmjet shtimit të radhëve, kryesisht drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku në krye radhë qëndron Shqipëria. “Kjo ditë e madhe për vendin tuaj shënon njëkohësisht një fitore historike për mbarë Evropën pasi ajo i hap rrugën vazhdimit të procesit jetik të reformimit e modernizimit të mëtejshëm të BE-së, për të përballuar sfidat e shekullit të njëzetenjëtë. Por me votën e tyre të lirë, kombi mik irlandez dërgoi gjithashtu një mesazh të qartë kundër euroskepticizmit, duke i dhënë një hov të ri ëndrrës dhe përpjekjeve të vendit tim, Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë për rikthim e ribashkim me familjen evropiane të vlerave të përbashkëta. Për këtë mesash shqiptarët ju mbeten përherë mirënjohës”, shpreh kryeministri Berisha në letrën e tij të urimit. Kreu i qeverisë Berisha, më tej në urimin e tij, bën me dije ambicien e Shqipërisë për një integrim të shpejtë në BE, nisur edhe nga aprovimi i Traktatit të Lisbonës, që pritet të ratifikohet nga të gjitha vendet anëtare deri në fund të 2009-ës.   Berisha theksoi se vota ‘pro’ e irlandezëve, është dëshmi e mbështetjes së zgjerimit të BE. “Kam kënaqësinë e veçantë që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare t’ju shpreh juve dhe qeverisë suaj përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për votën plebishitare, me anë të së cilës qytetarët e Irlandës miratuan në referendum Traktatin e Lisbonës, në një demonstrim spektakolar të përkrahjes dhe mbështetjes që ata i japin procesit të reformimit dhe konsolidimit të mëtejshëm të një Bashkimi Evropian gjithnjë e më solid, efikas e më pranë nevojave të qytetarit”, thuhet më tej në urimin e kryeministri Berisha. Duke shprehur ndjenjat e tij më miqësore, Berisha e ftoi homologun e tij irlandez, Cohen, për një vizitë zyrtare në Shqipëri. “Më këtë rast, më lejoni zoti Kryeministër, t’ju ripohoj dëshirën time që t’ju pres në Tiranë në kohën më të përshtatshme për ju, si edhe sigurimet e konsideratës sime më ta lartë”, përfundon letrën e tij të urimit Berisha. Meta: Traktati, perspektivë për zgjerimin, Shqipëria e sheh veten pranë BE Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta vlerëson Traktatin e Lisbonës, miratuar së fundmi nga Irlanda, si një perspektivë e zgjerimit të BE, ndërsa thekson se Shqipëria e sheh veten më pranë Bashkimit Evropian. Gjatë një deklarate për shtyp nga Ministria e Jashtme, Meta e cilësoi këtë si një lajm të shkëlqyer për BE dhe Ballkanin Perëndimor. “Qeveria Shqiptare përshëndet rezultatin pozitiv dalë nga referendumi i qytetarëve irlandezë mbi Traktatin e Lisbonës. Ky është një lajm i shkëlqyer për Bashkimin Evropian dhe një zhvillim pozitiv për vendet e Ballkanit Perëndimor. Implementimi i Traktatit të Lisbonës do të sjellë një epokë të re me reformimin e thellë institucional dhe strukturor të BE-së si dhe do të hapë një perspektivë të qartë për zgjerimin e tij të mëtejshëm”, u shpreh Meta. Ai deklaroi se Shqipëria mirëpret hyrjen në fuqi të këtij Traktati, si një mundësi për konkrete për të unifikuar përqasjen e BE ndaj vendeve të Ballkanit, ku Shqipëria synon një afrim më të shpejtë me familjen evropiane. “Shqipëria mirëpret hyrjen sa më shpejt të Traktatit në fuqi dhe është e bindur se përqasja e Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë më konkrete dhe më e unifikuar për sa i përket aspiratës së përbashkët integruese”, u shpreh më tej, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›