Vendime të miratuara në mbledhjen e qeverisë

V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MIRATIMIN E KONTRATËS SË KONCESIONIT, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE, SI AUTORITET KONTRAKTUES, DHE SHOQËRIVE “SICPA SECURITY SOLUTIONS, S.A.” E “SICPA SECURITY SOLUTIONS, ALBANIA”, SH.P.K., PËR PROJEKTIMIN, FINANCIMIN, DIZENJIMIN, PRODHIMIN DHE NGRITJEN E NJË SISTEMI, PËR EMETIMIN, SHPËRNDARJEN, GJETJEN DHE MONITORIMIN E PULLAVE FISKALE E TË PULLAVE TË KONTROLLIT TË BARNAVE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1 e 100, të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 24, të ligjit nr.8976, datë 12.12.2002, ”Për akcizat”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për miratimin e kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions, s.a.” e “Sicpa Security Solutions, Albania”, sh.p.k., për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi, për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MEMORANDUMIT PËR GARANCITË LIGJORE DHE JURIDIKE KUNDËR PROCEDIMIT TË PALIGJSHËM TË TË DHËNAVE PERSONALE”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e memorandumit për garancitë ligjore dhe juridike kundër procedimit të paligjshëm të të dhënave personale”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MARRËVESHJEN, NDËRMJET QEVERIVE TË VENDEVE PJESËMARRËSE TË BASHKËPUNIMIT EKONOMIK TË DETIT TË ZI (BEDZ), PËR BASHKËPUNIMIN NË NDIHMËN DHE PËRGJIGJEN NDAJ EMERGJENCAVE TË FATKEQËSIVE NATYRORE OSE TË SHKAKTUARA NGA NJERIU, DHE NË PROTOKOLLIN SHTESË
TË SAJ
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen, ndërmjet qeverive të vendeve pjesëmarrëse të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), për bashkëpunimin në ndihmën dhe përgjigjen ndaj emergjencave të fatkeqësive natyrore ose të shkaktuara nga njeriu, bërë në 15 prill 1998, dhe në protokollin shtesë të saj, bërë më 20 tetor 2005.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR ADERIMIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MARRËVESHJEN, NDËRMJET QEVERIVE TË VENDEVE PJESËMARRËSE TË BASHKËPUNIMIT EKONOMIK TË DETIT TË ZI (BEDZ), PËR BASHKËPUNIMIN NË NDIHMËN DHE PËRGJIGJEN NDAJ EMERGJENCAVE TË FATKEQËSIVE NATYRORE OSE TË SHKAKTUARA NGA NJERIU, DHE NË PROTOKOLLIN SHTESË TË SAJ”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Minstrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në marrëveshjen, ndërmjet qeverive të vendeve pjesëmarrëse të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BEDZ), për bashkëpunimin në ndihmën dhe përgjigjen ndaj emergjencave të fatkeqësive natyrore ose të shkaktuara nga njeriu, dhe në protokollin shtesë të saj”, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË DANIMARKËS, PËR BASHKËPUNIMIN PËR ZHVILLIM
Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës, për bashkëpunimin për zhvillim.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË MBRETËRISË SË DANIMARKËS, PËR BASHKËPUNIMIN PËR ZHVILLIM”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Mbretërisë së Danimarkës, për bashkëpunimin për zhvillim”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8750, DATË 26.3.2001, “PËR PARANDALIMIN DHE LUFTËN NDAJ TRAFIKUT TË SUBSTANCAVE NARKOTIKE OSE PSIKOTROPE””
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8750, datë 26.3.2001, “Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike dhe psikotrope””, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
Kuvendi
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8750, DATË 26.3.2001, “PËR PARANDALIMIN DHE LUFTËN NDAJ TRAFIKUT TË SUBSTANCAVE NARKOTIKE OSE PSIKOTROPE”
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.8750, datë 26.3.2001, “Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në paragrafin e dytë, të nenit 3, dhe kudo në ligj fjalët “... ministri i Rendit Publik ...” zëvendësohen me “... ministri përgjegjës për rendin publik ...”.
Neni 2
Në nenet 17 dhe 18 fjalët “... me nenin 40, të ligjit nr.8553, datë 25.11.1999, “Për Policinë e Shtetit”...” zëvendësohen me “... me dispozitat e ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit” ...”.
Neni 3
Pas nenit 28 shtohet neni 28/a, me këtë përmbajtje:
“Neni 28/a
Instituti i Mjekësisë Ligjore, pas përfundimit të ekspertimit të substancës narkotike ose psikotrope, së bashku me aktin e ekspertimit, i dërgon organit procedues që ka kërkuar ekspertimin edhe mostrën e ekspertuar.
Rregulla më të hollësishme për afatet, procedurën dhe mënyrën e dërgimit të substancave narkotike ose psikotrope të ekspertuara përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të prokurorit të Përgjithshëm.”.
Neni 4
Dispozitë tranzitore
1. Instituti i Mjekësisë Ligjore, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, inventarizon mostrat e substancave narkotike dhe psikotrope, të ekspertuara prej tij, sipas çështjes penale përkatëse.
2. Në përfundim të procesit të inventarizimit, sipas pikës 1, të këtij neni, Instituti i Mjekësisë Ligjore njofton drejtuesit e prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë, të cilët marrin masat për asgjësimin e substancave narkotike dhe psikotrope ose për kryerjen e veprimeve sipas disponimit të gjykatës në vendimin përfundimtar.
3. Asgjësimi i substancave narkotike dhe psikotrope, i parashikuar në këtë nen, realizohet sipas rregullave të parashikuara në nenin 28, të këtij ligji.
Neni 5
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
JOZEFINA TOPALLI (ÇOBA)
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË STANDARDEVE TË HARMONIZUARA SHQIPTARE, QË KANË KARAKTER REFERUES PËR PREZUMIMIN E KONFORMITETIT TË PAJISJEVE MBROJTËSE PERSONALE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 2, pika 19, e 27, të ligjit nr.9779, datë 16.7.2007, “Për sigurinë e përgjithshme, kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të produkteve joushqimore”, me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e standardeve të harmonizuara shqiptare, që kanë karakter referues për prezumimin e konformitetit të pajisjeve mbrojtëse personale, sipas listës që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Standardet e harmonizuara shqiptare, numrat dhe titujt e të cilave janë përfshirë në listën e përmendur në pikën 1, të këtij vendimi, shërbejnë si dokumente reference për prezumimin e konformitetit të pajisjeve mbrojtëse personale me kërkesat thelbësore, të përcaktuara në vendimin nr.1096, datë 4.11.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për kërkesat thelbësore dhe vlerësimin e konformitetit të pajisjeve mbrojtëse personale”.
3. Ngarkohet Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË HUNGARISË, PËR BASHKËPUNIMIN EKONOMIK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Hungarisë, për bashkëpunimin ekonomik.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PJESËMARRJES SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË ORGANIZATËN E SHTETEVE AMERIKANE (OAS), ME STATUSIN E VËZHGUESIT TË PËRHERSHËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 6, të ligjit nr.9095, datë 3.7.2003, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e pjesëmarrjes së Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), me statusin e vëzhguesit të përhershëm.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E FORMËS DHE TË PARAQITJES SË GRADAVE TË POLICISË SË BURGJEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 28, të ligjit nr.10 032, datë 11.12.2008, “Për Policinë e Burgjeve”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e formës dhe të ndërtimit të gradave për Policinë e Burgjeve, të cilat të jenë sipas përcaktimeve të bëra në albumin, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Miratimin e gradave të Policisë së Burgjeve, sipas kategorive të mëposhtme:
a) Gradat e rolit bazë;
b) Gradat e rolit të mesëm;
c) Gradat e rolit të lartë.
3. Elementet përbërëse të gradave dhe shenjat dalluese/identifikuese të jenë sipas përshkrimeve në albumin, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
5. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.1642, DATË 11.12.2008,TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE, SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË PËRRENJAS, TË QARKUT TË ELBASANIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3 e 17, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Për një ndryshim në listën përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, brenda juridiksionit territorial dhe administrativ të bashkisë së Përrenjasit, të qarkut të Elbasanit, që transferohen në pronësi ose në përdorim të kësaj bashkie, sipas lidhjes 1 dhe formularëve, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen ministri i Brendshëm, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë dhe bashkia e Përrenjasit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE
TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NË BASHKINË ORIKUM,
TË QARKUT TË VLORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 8, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që janë në juridiksionin territorial dhe administrativ të bashkisë Orikum, të qarkut të Vlorës, sipas propozimit të paraqitur nga këshilli i kësaj bashkie.
Lista me 367 (treqind e gjashtëdhjetë e shtatë) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përfundon me numrin rendor 2992 (dy mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e dy).
2. Ndryshimet që i bëhen listës gjatë periudhës së afishimit, të pasqyrohen në listën përfundimtare të pronave, e cila miratohet nga Këshilli i Ministrave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MANUALEVE TEKNIKE TË ÇMIMEVE TË PUNIMEVE TË NDËRTIMIT DHE TË ANALIZAVE TEKNIKE TË TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutes, të nenit 18, të ligjit nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe të analizave teknike të tyre, të rishikuara, sipas tabelave, që i bashkëlidhen këtij vendimi, që do të përdoren për përcaktimin e fondit limit të objekteve në ndërtim.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dërgon të dhënat për çmimet mesatare të tregut të katër elementeve të strukturës së kostos, të nevojshme për përditësimin e çmimeve të manualit.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vë në dispozicion çmimet e “investiguara” në bazë të kërkesës së bërë nga Ministra e Punëve Publike dhe Transportit, brenda tri muajve nga data e paraqitjes së kërkesës.
4. Çmimet e zërave të punimeve, të përcaktuara në manualet teknike, janë orientuese dhe referuese për planifikimin e buxhetit vjetor.
5. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike dhe Transportit dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
6. Vendimi nr.30, datë 20.1.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe analizave teknike të tyre”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.500, DATË 6.7.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.10 233, datë 11.2.2010, “Për Autoritetitin e Aviacionit Civil”, me propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në pikën 1, të vendimit nr.500, datë 6.7.2010, të Këshillit të Ministrave, në përbërje të këshillit drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil, fjalët “Z. Ervin Minarolli anëtar;” zëvendësohen me “Zj. Lilika Radovicka, anëtar;”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
RELACION
PËR
NJË NDRYSHIM NË VKM-N NR.500, DATË 6.7.2010 “PËR EMËRIMIN E KRYETARIT DHE TË ANËTARËVE TË KËSHILLIT DREJTUES TË AUTORITETIT TË AVIACIONIT CIVIL”
Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, në zbatim të objektivave të Qeverisë Shqiptare për zhvillimin dhe modernizimin e aviacionit civil, si dhe ne vijim të përmbushjes së rekomandimeve të gjithë organizmave ndërkombëtare që monitorojnë ne mënyrë rigoroze organizimin e administratës se aviacionit civil shqiptar, ka përgatitur draftin e Projektvendimit “Për emërimin e Kryetarit dhe Anëtarëve të Këshillit Drejtues te Autoritetit te Aviacionit Civil”.
Ky projektvendim është ne zbatim të Ligjit 10233, date 11.02.2010 “Për Autoritetin e Aviacionit Civil” ne të cilin përcaktohet që emërimi i kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues behet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa gjithë përshkrimi i detyrave funksionale të këtij këshilli dhe organizimi i punës së tij janë të detajuara ne Ligjin 10233, date 11.02.2010 “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”
Në pikën 1, të VKM-së Nr. 500, datë 6.7.2010 bëhet ky ndryshim.
Anëtari i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Aviacionit Civil Z. Ervin Minarolli lirohet dhe emërohet Zj. Lilika Radovicka. Ky zëvendësim bëhet për faktin që Z. Ervin Minarolli ka paraqitur dorëheqjen në bazë të nenit 10, ligjit Nr.10233, date.11.2.2010 “Për Autoritetin e Aviacionit Civil.
Drejtimi i AAC-se nga Këshilli Drejtues i propozuar do t’i shërbejë funksionimi të këtij autoriteti sipas parametrave bashkëkohore ne përputhje me standartet ndërkombëtare ne lidhje me menaxhimin ekonomik dhe organizativ gjë që do t’i shërbeje ne mënyrë efikase ritmeve te zhvillimit te aviacionit dhe njëkohësisht do te jete e afte t’i përgjigjet ne kohe zhvillimeve te perspektives.
MINISTËR
SOKOL OLLDASHI
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.759, DATË 15.9.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUOTAT FINANCIARE TË USHQIMIT NË MENSA E KONVIKTE, BURSAT E SHTETIT DHE PAGESAT E NXËNËSVE DHE TË STUDENTËVE NË INSTITUCIONET ARSIMORE PUBLIKE, PËR VITIN SHKOLLOR 2010 - 2011”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 1 e 5, të ligjit nr.10 289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, të nenit 63, të ligjit nr.7952, datë 21.6.1995, “Për sistemin arsimor parauniversitar”, të ndryshuar, të nenit 29, të ligjit nr.8872, datë 29.3.2002, “Për arsimim dhe formim profesional në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 57, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.12.1994, “Për statusin e invalidit”, të ndryshuar, të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.10 190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
3. Në vendimin nr.759, datë 15.9.2010, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto ndryshime:
a) Pika 12 ndryshohet, si më poshtë vijon :
“12. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për vitin e ri shkollor 2010 – 2011, të japë 1 500 (një mijë e pesëqind) bursa, për nxënësit, dhe 1 920 (një mijë e nëntëqind e njëzet) bursa, për studentët, për hyrjet e reja në vitin e parë në sistemin arsimor publik për të gjitha kategoritë e parashikuara në pikën 2, të vendimit.”.
b) Pika 14 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“14. Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 janar 2011, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart është data 15 nëntor 2010.”.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës, DAR/ZA-të, institucionet e arsimit të lartë dhe njësitë e pushtetit vendor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, botohet në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 shtator 2010.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES USHTARAKE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË TURQISË, PËR BASHKËPUNIMIN FINANCIAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ushtarake, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për bashkëpunimin financiar, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.297, DATË 12.6.1995, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E FONDACIONIT TË KULTURËS “FAN S. NOLI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit nr.10 190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, të ndryshuar, dhe të neneve 124 e 128, të ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shfuqizimin e vendimit nr.297, datë 12.6.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e fondacionit të kulturës “Fan S. Noli”.
2. Shuma prej 50 000 000 (pesëdhjetë milionë) lekësh, e dhënë si kapital bazë për veprimtarinë që zhvillon fondacioni “Fan S. Noli”, të kalojë në buxhetin e shtetit.
3. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
ZBATIMIN E NOMENKLATURËS “SHQIPËRIA NË 3 (TRI) RAJONE NUTS II”, SIPAS NOMENKLATURËS SË NJËSIVE TERRITORIALE PËR STATISTIKAT (NUTS) , TË BASHKIMIT EUROPIAN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të paragrafi të dytë, të pikës 7, të nenit 71, të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, ratifikuar me ligjin nr.9590, datë 27.7.2006, “Për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe komuniteteve europiane e shteteve të tyre anëtare”, dhe të nenit 1, të ligjit nr.8653, datë 31.7.2000, “Për ndarjen administrativo - territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Integrimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Zbatimin e nomenklaturës “Shqipëria në 3 (tri) rajone NUTS II’, sipas nomenklaturës së njësive territoriale për statistikat, niveli NUTS II, të Bashkimit Europian.
2. Tri rajonet janë:
a) Durrësi dhe Veriu;
b) Tirana dhe Elbasani;
c) Jugu.
3. Në zbatim të kësaj nomenklature, organizimi territorial statistikor brenda territorit të Republikës së Shqipërisë do të jetë sipas nivelit NUTS II.
4. Ngarkohen Instituti i Statistikave, ministritë e linjës dhe institucionet qendrore për zbatimin e këtij vendimi, me qëllim përgatitjen e shifrave të produktit të brendshëm bruto për frymë, të harmonizuara me shifrat e nivelit NUTS II, brenda vitit 2011.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM DHE SHTESË NË VENDIMIN NR.208,
DATË 24.3.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHËNIE NDIHME FINANCIARE QEVERISË SË KOSOVËS,
PËR REALIZIMIN E PROJEKTEVE TË PROPOZUARA
PËR KOMUNËN GRAÇANICË, KOSOVË”
Ne mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.10 190, datë 26.11.2009, “Për buxhetin e vitit 2010”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.208, datë 24.3.2010, të Këshillit të Ministrave, të bëhen ky ndryshim dhe kjo shtesë:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Kundërvlefta në lekë për 200 000 (dyqind mijë) euro t’i shtohet buxhetit të miratuar për vitin 2010, për Fondin Shqiptar të Zhvillimit, për t’u përdorur në formën e transfertës.”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Fondet e pashpenzuara, prej 200 000 (dyqind mijë) eurosh nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2010, të përdoren nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për rimbursimin e TVSH-së për kontratat e financuara nga IPA, 2008.”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe bohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
15/12/2010