Përfshihen nga flakët kodrat në periferi të Shkodrës

Flakët e zjarrit që përfshinë pasditen e sotme kodrat e malit Hebe, në fshatin Beltojë rreth 25 km larg Shkodrës, janë vënë nën kontroll falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse. Shefi i Policisë së Mbrojtjes Ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit (PMNZSH) në prefekturën e Shkodrës, Ilir Kopliku, tha se "dy makinat zjarrfikëse që ndodhen në vendngjarje bënë të mundur vënien në kontroll të zjarrit, i cili përfshiu kodrat e malit Hebe në fshatin Beltojë". Sipas Koplikut, ende nuk kemi të dhëna për dëmin e shkaktuar, ndërsa për në vendngjarje janë nisur edhe mjete të tjera zjarrfikëse nga qyteti i Shkodrës. Ai theksoi se zjarri i rënë në kodrat e Malit Hebe krijon shumë probleme, jo vetëm për djegien e pishave, por edhe për shtëpitë e shumta të banorëve që shtrihen poshtë këtij mali. Ndërkohë që, zjarri paraqet rrezik edhe për një pikë karburanti, që ndodhet në rrugën nacionale Shkodër-Lezhë. Ditët e fundit në rrethin e Shkodrës dhe të Malësisë se Madhe ka patur disa raste të rënies së zjarrit, si në komunën Postribë, në aksin rrugor Shkodër-Koplik, komunën Guri i Zi si dhe dy vatra në plazhin e Velipojës. Zjarret janë izoluar me shpejtësi nga efektivat e zjarrfikësve duke evituar dëmet në banesa dhe pyjet që gjendeshin pranë tyre....