Nga 1 janari 2009, kjo takse zbret nga 30 përqind, në 15 përqind
Vendimi i fundit i qeverisë për të ulur taksën e sigurimeve shoqërore nga 30 % që ka qenë në vitin 2008, në 15 % nga 1 janari i vitit 2009, sipas burimeve nga ministria e Financave, është nivel nxitës dhe ndihmues për biznesin. Ministri i Financave Ridvan Bode, duke argumentuar arsyet për marrjen e një vendimi të tillë theksoi, se "Ne kemi marrë masat që ulja e taksave gjithnjë të rikthehet në një përmirësim të administrimit dhe ulje të informalitetit. Ne e kemi pranuar që informaliteti në tregun e punës, sidomos për biznesin e vogël, vazhdon të mbetet i lartë. Në këtë kuadër jemi duke përpunuar akte nënligjore për të nxjerrë nga informaliteti këtë kategori biznesi, por edhe të tjerë, dhe të ndihmojmë, të nxisim, nxjerren në dritë të gjithë punonjësve dhe të punësuarve nëpërmjet uljes së barrës fiskale.". Sipas tij, kjo ishte e fundit taksë që zbret në nivelin 50 % nga ato që kanë qenë mbi biznesin. "Kjo-tha Bode- ka qenë një masë jo vetëm e nxitur nga nevoja për të luftuar informalitetin në tregun e punës, por edhe nga analiza që ne i bëmë sistemit tonë fiskal me ato të vendeve të tjera që kanë barrë më të ulët fiskale. Kjo ka qenë një gungë në sistemin tonë, kompanitë kanë pagur 30 % mbi pagën si kontribut për sigurimet shoqërore, ndërkohë që individët paguajnë vetëm 10 %. Ne i zbritëm këto parametra për të qenë më normal dhe për të mos bërë atë presion aq të madh fiskal ndaj kompanive për tregun e punës." Ministri i Financave, tha se kjo "është një taksë e rëndësishme dhe disi nën nivelin e vendeve të tjera të rajonit, ndonëse ka vende që e kanë dhe më të ulët se sa ne këtë takse.". Ai tha se " niveli 15 % është nivel nxitës dhe ndihmues për biznesin dhe mendojmë që përmes kësaj ulje të mos shkaktojmë diferenca të mëdha në buxhetin e Sigurimeve Shoqërore, në skemën e pensioneve, duke kompensuar nga të ardhurat e buxhetit dhe duke rritur pjesërisht grandin, si një moment fillestar, deri në prodhimin e rezultateve pozitive që do të japi ulja e taksës. Preferenca jonë,-tha Bode-siç vërehet edhe nga raporti i FMN-së, dëshmon që barra jonë fiskale ka ulur informalitetin, ka zgjeruar numrin e kontribuesve dhe ka dhënë efekte më pozitive krahasuar me atë të mëparshmin."...