E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pret një delegacion të organizatës amerikane BENS

Sot, Kryeministri i vendit zoti Sali Berisha priti një delegacion të zgjeruar të organizatës amerikane të Biznesit për Sigurinë Kombëtare (Business Executives for National Security -BENS), të kryesuar nga Presidenti i organizatës Charles Boyd, Gjeneral në Pension i Forcave Ajrore të SHBA-ve, dhe Nën-Admirali Richard Gallager, zevendës komandant i EUCOM (Komanda Europiane).  Delegacioni shoqërohej nga ambasadori amerikan në Tiranë, zoti John Ëithers.

Duke vlerësuar interesimin e delegacionit mbi Shqipërinë, Kryeminsitri Berisha bëri një ekzpoze të situatës së përgjithëshme në Shqipëri ku theksoi se synimi i qeverisë shqiptare është ta bëjë Shqipërinë një vend demokratik, me institucione të qëndrueshme, nën sundimin e shtetit ligjor, dhe të zhvilluar ekonomikisht.  Nga ana e tyre, delegacioni i BENS shprehu vlerësimin për arritjet e mëdha të Shqipërisë në të gjitha fushat.

Kryeministri Berisha vlerësoi ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në NATO, dhe përsëriti angazhimin e Shqipërisë në luftën globale kundër terrorizmit, duke përmendur pjesëmarrjen në misionet ushtarake në Irak, Afganistan, Çad, etj.  Zoti Berisha u shpreh më tej se procesi i integrimit në Bashkimin Europian konsiderohet nga qeveria shqiptare si një proces i bazuar mbi performancën, si dhe shprehu vullnetin e qeverisë për të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme në këtë proces, ku mes të tjerash përmendi zhvillimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare brenda standarteve të OSBE-së, forcimin e institucioneve të pavarura, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryeministri Berisha u shpreh se falë luftës kundër korrupsionit qeveria shqiptare në 4 vitet e mandatit të parë arriti të mbledhë 5 miliardë USD më shumë se qeveria paraardhëse, dhe se shpenzimet e administratës publike u ulën nga 3% në 2% të GDP-së.  Po ashtu u ndërmorr një reformë e plotë e regjistrimit të biznesit duke bërë të mundur regjistrimin e bizneseve të reja vetëm për 30 minuta me kosto minimale prej 1 Euro; u krijua sistemi i prokurimeve tërësisht elektronike; u krijua sistemi i e-taxation; u privatizuan pothuajse të gjitha ndërmarrjet publike, si dhe u ul taksa mbi ardhuarat në 10%.

Në sajë të ndihmës së dhënë nga SHBA, u krijua Task-Forca e luftës kundër krimit ekonomik, e cila tashmë po shtrihet edhe në qarqe të vendit.

Kryeministri u parashtroi vizitorëve projektet e qeverisë shqiptare duke përcaktuar Turizmin, Energjinë dhe Industrinë si tri fushat më prioritare të zhvillimit ekonomik të vendit. Po ashtu Kryeministri shpalosi programin e qeverisë për zhvillimin e arsimit; infrastrukturës rrugore dhe portuale, ringritjen e industrisë, si dhe rishikimin tërësor të sistemit shëndetësor.  Një theks të veçantë Kryeministri vuri mbi reformën në gjyqësor duke përmendur edhe nevojën e ngritjes së rrogave të gjykatësve të dy shkallëve më të ulëta të sistemit gjyqësor. 


30/10/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›