E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha pritet nga Emiri i Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah

- Emiri i Kuvajtit u shpreh se stabiliteti ekonomik i Shqipërisë, veçanërisht edhe në këtë periudhë të krizës botërore, bën që Shqipëria të jetë një vend mjaft i favorshëm për investitorët kuvajtianë

Në vijim të vizitës së tij në Kuvajt, Kryeministri Berisha u prit sot në takim nga Lartësia e Tij, Emiri i Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah, në Seif Palace.

Kryeministri Berisha e falënderoi Emirin për mikpritjen, si dhe i shprehu nderin dhe kënaqësinë e tij për këtë takim. Kryeministri Berisha e ftoi Emirin e Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah që të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me shumë kënaqësi nga Emiri i Kuvajtit. Ai u shpreh se në një kohë shumë të afërt do të kishte kënaqësinë që të vizitonte Shqipërinë.

Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të falënderuar qeverinë Kuvajtiane për mbështetjen dhe ndihmën financiare që i ka dhënë shqiptarëve, në Shqipëri dhe në Kosovë, me anë të shumë projekteve të ndryshme.

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, - u shpreh Kryeministri - , janë shkëlqyera, por do të punohet edhe më tej për zhvillimin e marrëdhënieve në fushën ekonomike dhe në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Kuvajti, - u shpreh Kryeministri -, është një nga vendet që e ka ndihmuar më shumë Shqipërinë në zhvillimin e saj ekonomik. Kryeministri u shpreh, gjithashtu, se investitori më i rëndësishëm në Shqipëri, Al-Kharafi, është nga Kuvajti dhe se shpresojmë që shumë investitorë të tjerë të ndjekin shembullin e investimeve të suksesshme që ka pasur ky investitor në Shqipëri.

Nga ana e tij, Emiri i Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah u shpreh se Shqipëria është një vend mik dhe investimet kuvajtiane në Shqipëri janë implementuar me shumë sukses. Për këtë arsye, - u shpreh ai- ato janë investime që Shqipëria i ka merituar plotësisht. Emiri i Kuvajtit u shpreh se stabiliteti ekonomik i Shqipërisë dhe qëndrueshmëria e ekonomisë shqiptare, veçanërisht edhe në këtë periudhë të krizës botërore, bën që Shqipëria të jetë një vend mjaft i favorshëm për investitorët kuvajtiane.

Lartësia e Tij, Emiri i Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah e falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e tij personal në rritjen e shkëmbimeve midis dy vendeve. Kjo vizitë, - u shpreh ai - , do të inkurajojë edhe më tej thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për Fondin Kuvajtian, i cili ka nisur punën në Shqipëri që në vitet e para të demokracisë dhe gjatë gjithë këtyre viteve ka implementuar me qindra projekte në ujësjellës, kanalizime, ndërtim, infrastrukturë, në fushën e kulturës, etj. Më tej, Kryeministri Berisha e njohu Emirin Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah me fushat që kanë potencial për zhvillim të mëtejshëm si energjia dhe ndërtimi i hidrocentraleve. Në këtë takim u fol për përfshirjen e sektorit privat në këto investime, por me shumë interes do të ishte edhe bashkëpunimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe Fondi Kuvajtian për ndërtimin e hidrocentraleve, veprave të mëdha energjetike.

Më tej, Kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare do të lehtësojë investimet kuvajtiane në fushën e rafinerive të naftës dhe në fushën e turizmit, për ndërtimin e resorteve turistike dhe zonave të mëdha rezidenciale si në zonën bregdetare ashtu edhe në atë malore. Kryeministri Berisha u shpreh se edhe impiantet e përpunimit të ujërave të pijshëm mineral janë një fushë me interes ku investitorët kuvajtianë mund të kenë investime suksesi në Shqipëri.

Kryeministri Berisha u ndal, gjithashtu, edhe në projektet e mëdha infrastrukturore dhe kontributin që mund të japë qeveria kuvajtiane në këtë drejtim. Më konkretisht, Kryeministri Berisha u ndal në projektin e Boshtit të Jugut dhe mundësinë e financimit të ndërtimit të kësaj rruge nga qeveria e Kuvajtit.

Emiri i Kuvajtit Sheikh Sabah Al-Ahmad Al-Jaber Al-Sabah u shpreh se ai do të jetë një mbështetës i fuqishëm i projekteve dhe investimeve kuvajtiane në Shqipëri, se personalisht do t’i shqyrtonte këto projekte me Kryeministrin e Kuvajtit dhe se Shqipëria si një vend me ekonomi të qëndrueshme është një partner me interes për Kuvajtin për investime në fusha të ndryshme. Ai u shpreh se vetë personalisht do të inkurajojë sektorin privat dhe Dhomën e Industrisë dhe Tregtisë së Kuvajtit që të vizitojnë Shqipërinë, të shohin nga afër potencialet e saj dhe këto të ndiqen nga projekte konkrete dhe marrëveshje ndërmjet dy vendeve në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha dhe Emiri i Kuvajtit diskutuan edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kuvajti. Kryeministri Berisha u shpreh se 68 vende kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe se të gjitha këto vende e kanë njohur duke e parë këtë si mënyrën e vetme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Lidhur me këtë, Emiri i Kuvajtit u shpreh se të gjitha proceset që ndihmojnë dhe sjellin paqen dhe stabilitetin janë të mirëpritura nga Kuvajti. Ai u shpreh se Kuvajti nuk sheh asnjë kundërshtim në njohjen e pavarësisë së Kosovës, gjë e cila do të shihet me shumë seriozitet nga qeveria e Kuvajtit.


04/04/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›