Kryeministri Berisha pritet nga Kryeministri i Kuvajtit, Lartësia e tij Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah
- Kryeministri i Kuvajtit u shpreh se vizita e Kryeministrit Berisha shënon një hap të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve
- Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i Kuvajtit diskutojnë për bashkëpunim në fusha të ndryshme si: energjetikë, turizëm, bujqësi, infrastrukturë, etj
Në fillim të vizitës së tij zyrtare në Kuvajt, Kryeministri Berisha u prit sot nga Kryeministri i Kuvajtit, Lartësia e tij Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah.
Në takimin e zhvilluar pas ceremonisë zyrtare të mikpritjes, Kryeministri i Kuvajtit, Lartësia e tij Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe u shpreh se kjo vizitë shënon një hap të mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah u shprehën se marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë në një nivel të shkëlqyer. Gjithashtu, dy Kryeministrat vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, por u shprehën se ekzistojnë të gjitha potencialet për një zhvillim të mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, duke e çuar bashkëpunimin ekonomik në nivele edhe më të larta.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri i Kuvajtit, Lartësia e tij Sheikh Nasser Mohammed Al-Ahmed Al-Sabah u shpreh se kontribut të madh në thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve mund të japë bashkëpunimi në sektorin privat, por edhe bashkëpunimi nëpërmjet projekteve të përbashkëta midis qeverisë shqiptare dhe Fondit Kuvajtian për Zhvillim. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për fushat me potencial për shfrytëzim nga investitorët kuvajtian, si shfrytëzimi i burimeve ujore të Shqipërisë, ndërtimi i resorteve turistike dhe fusha e turizmit në përgjithësi, për të cilin Shqipëria ka një potencial të madh si në turizmin malor edhe në atë bregdetar.
Në këtë takim u diskutua, gjithashtu, edhe për bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës, ku Kryeministri Berisha u ndal në projektet e financuara nga qeveria Kuvajtiane, më konkretisht në projektin për ndërtimin e Boshtit të Jugut. Kryeministri Berisha u shpreh se, për arsye se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, do të ishte një ndihmë shumë e madhe financimi i mëtejshëm për zbatimin e projektit të Boshtit të Jugut.
Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për të shprehur mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen e gjithanshme që qeveria e Kuvajti i ka dhënë Shqipërisë në të gjithë këto vite, nëpërmjet implementimit të qindra projekteve në fusha të ndryshme si ujësjellës, kanalizime, infrastrukturë, ndërtim, etj.
Kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria është e hapur që të lehtësojë investimet kuvajtiane në Shqipëri në fushën e rafinerive dhe përpunimit të naftës, si dhe në ndërtimin e Hidrocentraleve. Gjatë këtij takimi, pala kuvajtiane shprehu interes edhe për projekte të ndryshme në fushën e bujqësisë.
Kryeministri i Kuvajtit u shpreh se është e rëndësishme që takime të këtij niveli të lartë të ndiqen edhe nga takime të ekspertëve të fushave përkatëse, të cilët të bisedojnë edhe për thellimin e marrëdhënieve ekonomike. Në këtë takim u fol edhe për çeljen, së shpejti, të ambasadës së Shqipërisë në Kuvajt dhe ambasadës së Kuvajtit në Shqipëri, si një kontribut ky i mëtejshëm në bashkëpunimin mes dy vendeve.
Dy Kryeministrat diskutuan gjatë këtij takimi edhe për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kuvajti.
04/04/2010