Kryeministri Berisha u prit nga nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi
- Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit u shpreh se së shpejti në Kuvajt do të organizohet “Java e Shqipërisë”, e ka për qëllim të njohë më nga afër investitorët kuvajtian me Shqipërinë dhe potencialet që ajo ofron
Kryeministri Berisha, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Kuvajt, u prit sot nga Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit i uroi mirëseardhjen Kryeministrit Berisha dhe u shpreh se ndihej shumë krenar që priste Kryeministrin e Shqipërisë. Ai u shpreh se marrëdhëniet mes Parlamenteve të të dy vendeve janë të shkëlqyera dhe për këtë ka dhënë një kontribut të madh grupi parlamentari i Miqësisë Shqipëri – Kuvajt. Më tej, Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, Jassim Mohammed Al-Kharafi, vlerësoi progresin e madh që ka bërë Shqipëria në fushën ekonomike dhe stabilitetin ekonomik të Shqipërisë.
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se bashkëpunimi ekonomik dhe investimet kuvajtiane në Shqipëri janë shumë të rëndësishme. Një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim, - u shpreh Kryeministri Berisha - , mund të zhvillojë edhe Parlamenti, me anë të bashkëpunimit të ndërsjellët të grupeve parlamentare të Miqësisë. Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për Fondin Kuvajtian, i cili ka financuar me qindra projekte në Shqipëri.
Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit e informoi Kryeministrin Berisha se së shpejti në Kuvajt do të organizohet “Java e Shqipërisë”, nismë kjo e Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit. Kjo nismë ka për qëllim të njohë më nga afër investitorët kuvajtian me Shqipërinë dhe potencialet e saj. Gjithashtu, u diskutua që një delegacion me bisnesmenë kuvajtian të vizitojë Shqipërinë, për parë më nga afër potencialet që ajo ofron në fusha të ndryshme.
04/04/2010