Kryeministri urdhëron marrjen e masave për përmirësimin e treguesve tekniko-ligjorë në sektorin elektroenergjitik
URDHËR
Për marrjen e masave për përmirësimin e treguesve tekniko-ekonomikë në sektorin elektroenergjitik
Në mbështetje të pikës 3, të nenit 102, të Kushtetutës,
Urdhëroj:
1. Për të përmirësuar treguesit në sektorin elektroenergjitik, në zbatim të vendimit nr.42, datë 13.1.2006, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e planit të gjashtë të masave për sektorin e energjisë elektrike, për vitet 2006-2008", si dhe për realizimin e treguesve të tremujorit të parë të vitit 2006 e në vazhdim, të përcaktuara në planin e mësipërm të masave, brenda 7 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij urdhri, pranë çdo prefekture, të krijohen grupet e punës me këtë përbërje:
- Prefekti kryetar;
- Drejtori i Policisë së Shtetit, në prefekturë anëtar;
- Kryetari i degës së Policisë Elektrike, në prefekturë anëtar;
- Drejtori i zonës elektrike të shpërndarjes së prefekturës anëtar.
2. Prefekti mund të përfshijë në grupin e punës çdo drejtues institucioni shtetëror, në varësi të pushtetit qendror, që vlerësohet i nevojshëm për realizimin e detyrave të parashikuara në këtë urdhër.
3. Prefekti u kërkon titullarëve të institucioneve të tjera të pushtetit vendor, në juridiksion, që të bashkërendojnë punën për të mundësuar realizimin e detyrave të përcaktuara në këtë urdhër.
4. Prefekti, në përputhje me kompetencat që ka, ushtron autoritetin e vet që institucionet, buxhetore dhe jobuxhetore, në juridiksionin e prefekturës që ai drejton, të kenë përparësi pagesën e faturave të konsumit të energjisë elektrike.
5. Grupi i punës ka si objekt të punës:
- t'i propozojë KESH, sha-së, masat që do të mundësojnë përdorimin me efikasitet të energjisë elektrike në prefekturë, me qëllim ruajtjen e kuotës së furnizimit me energji elektrike, të përcaktuar nga KESH, sha-ja, për çdo prefekturë;
- të marrë masa konkrete për harmonizimin e punës së KESH, sha-së, Policisë Elektrike, Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera shtetërore për:
i) ndërprerjen e lidhjeve të parregullta;
ii) uljen e humbjeve joteknike dhe faturimin në përputhje me detyrimet, ligjore dhe nënligjore, për energjinë elektrike të konsumuar;
iii) rritjen e arkëtimeve të konsumatorëve familjarë, privatë, buxhetorë dhe jobuxhetorë;
iv) evidentimin e punonjësve buxhetorë dhe jobuxhetorë, që janë debitorë ndaj KESH, sha-së, për pagesën e energjisë elektrike;
v) evidentimin e konsumatorëve, që marrin energji elektrike në mënyrë të parregullt.
- të njoftojë, çdo javë, ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës për:
i) furnizimin dhe administrimin e energjisë elektrike në prefekturë;
ii) nivelin e realizimit të detyrave sipas këtij urdhri;
iii) çdo problem tjetër që gjykohet se është i nevojshëm të trajtohet nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.
6. Ngarkohen ministri i Brendshëm, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, prefektët, Policia Elektrike dhe KESH, sha-ja, për zbatimin e këtij urdhri.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
Kryeministri
Sali Berisha