E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takim me Presidentin e Malit te Zi Vujanovic

Mali i Zi dhe Shqipëria kanë hapësira të gjera bashkëpunimi mes tyre, sidomos në fushën e energjetikës, infrastrukturës rrugore dhe turizmit. Një qëndrim i tillë u bë i ditur nga Kryeministri, Sali Berisha gjatë takimit me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Bashkëbiseduesit kanë ndarë besimin e tyre se e ardhmja e Shqipërisë, e Malit të Zi dhe e të gjithë rajonit është në BE. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi hapat e bërë nga Mali i Zi në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa e siguroi Presidentin për mbështetjen që Shqipëria do të vazhdojë të japë në procesin e antarësimit të Malit të Zi në NATO. Gjithashtu, kyeministri Berisha përshëndeti investimet e bëra në infrastrukturë rrugore lidhëse midis dy vendeve, si dhe e njohu Presidentin malazez me projektet e qeverisë shqiptare për përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës rrugore që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, si dhe nënvizoi  domosdoshmërinë e ngritjes në një nivel edhe më të lartë bashkëpunimin në fushën e turizmit. 
Më tej, Kryeministri bëri një ekspoze të zhvillimeve politike dhe ekonomike të vendit. Ai e njohu Presidentin e Malit të Zi me përpjekjet që qeveria shqiptare po bën për ndertimin e infrastruktures strategjike ku theks iu vu asaj energjitike. Në këtë drejtim, suksesi i projektit TAP u vlerësua si me rëndësi strategjike edhe në nivel rajonal.
Të dy bashkebiseduesit diskutuan edhe për zhvillimet në rajon. Kryeministri Berisha vlerësoi edhe njëherë qëndrimin e Malit të Zi në njohjen e Kosovës dhe nivelin e marrëdhënieve të krijuara mes tyre. “Jemi shumë të interesuar të shohim ndryshimin e faqes në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës” - tha Kryeministri Berisha. Nga ana e tij, Presidenti Vujanoviç theksoi kontributin e Kryeministrit Berisha në  drejtim të paqes dhe stabilitetit ne rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›